Eko Higjiena

Tri vjet nga një proces vërtetë historik

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Vjosa Osmani – Sadriu – Tashmë kualifikimi i një procesi si ‘historik’ është devalvuar në tërësi. Çdo takim, me cilindo zyrtar, udhëheqës të Qeverisë së Kosovës e vlerësojnë si historik, dhe çdo rezultat nga dialogu Kosovë-Serbi po ashtu e cilësojnë si historik. Por një proces që vërtetë kishte peshë historike ishte rasti i Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku populli i Kosovës fitoi luftën ligjore kundër Serbisë që kishte të bënte me ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë.

GJND, jo vetëm që i dha të drejtë argumenteve tona të fuqishme për të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar në një shtet të pavarur, por edhe njohu sakrificën e popullit të Kosovës. Mendimi i GJND-së potencon se pavarësia ishte përgjigje ndaj thirrjes së popullit për të jetuar i pavarur. Viteve të fundit kemi dëgjuar liderë të ndryshëm institucionalë duke garuar se kush ka pasur meritat kryesore në shpalljen e pavarësisë. GJND-ja e sqaroi këtë dilemë. Në mendimin e saj u deklarua se akti i shpalljes së pavarësisë është akt i popullit të Kosovës, pra populli ishte autor i këtij akti. Udhëheqësit e zgjedhur thjeshtë ju përgjigjën thirrjes së popullit dhe vepruan në bazë të vullnetit të tij. Ky nuk ishte akt i asnjë individi, e as i ‘Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes’ siç pretendonte Serbia. Ishte triumf i popullit të Kosovës.

Një e veçantë tjetër e Mendimit të GJND-së ishte përkrahja që ishte dhënë edhe nga gjyqtarë që vinin nga shtete që nuk e kanë njohur Kosovën. Një ndër ta ishte gjyqtari nga Brazili, Antônio Augusto Cançado Trindade, i cili votoi pro Mendimit të GJND-së i cili ishte në favor të Kosovës. Megjithatë, në një mendim të ndarë të shkruar nga ai, ai përdorë një arsyetim më ndryshe nga Gjykata rreth të drejtës së popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Ai flet për kushtet e shqiptarëve të Kosovës qysh nga viti 1989 dhe e cilëson atë situatë si një tragjedi humanitare. Duke ju përgjigjur argumentit të Serbisë se krimet e viteve të 90-ta janë të një regjimi të mëhershëm (Milosheviqit) dhe janë një e kaluar që duhet të harrohet për të cilën Qeveria e tanishme serbe nuk është përgjegjëse, Gjyqtari Trinidade thotë se vrasjet, maltretimet, dhunimet, diskriminimi në punë, në shkollim, në shëndetësi, në gjyqësi, e në të gjitha fushat e tjera që kanë rezultuar me shkelje masive të të drejtave të njeriut nuk mund dhe nuk duhet të harrohen. Askush, thotë ai, nuk mund t’i fshij vuajtjet e shtypjen dhe shkeljet e të drejtës humanitare duke u thirrur thjeshtë në kalimin e kohës. Përpjekjet e tilla gjyqtari i quan iluzione. Gjyqtari po ashtu potencon se është shumë me rëndësi që mos të harrohet kjo tragjedi e madhe humanitare e Kosovës, në mënyrë që krimet kundër njerëzimit, sikur ato që u kryen në Kosovë përgjatë një dekade, mos të përsëriten më. Ai përfundon se populli i Kosovës është figura qendrore në tërë këtë proces. Qytetarët shqiptarë të Kosovës ishin ata që u shtypën nga një shtet agresor, dhe shpallën vendin të pavarur si rezultat i kësaj shtypjeje dhe këtij agresioni, duke realizuar kështu të drejtën e tyre në vetëvendosje. Ai përfundon me një vlerësim jashtëzakonisht të fuqishëm rreth parimit të sovranitetit të shtetit, që çdo udhëheqës shtetëror do të duhej ta mbante në murin e zyrës së tij/saj.

Uji Dea

“Asnjë shtet nuk mund të thirret në integritet territorial për të kryer krime, e as të kryej ato krime mbi supozimin e sovranitetit shtetëror. Asnjë shtet nuk mund të kryej krime ndaj popullit e pastaj të mbështetet në parimin e integritetit territorial, duke mos marrë parasysh ndjenjat dhe vuajtjet e popullit të viktimizuar. Ajo çka ka ndodhur në Kosovë është se populli i viktimizuar ka kërkuar pavarësi si reagim ndaj një terrori dhe shtypjeje të gjatë e sistematike, që janë kryer duke shkelur rëndë parimin themelor të barazisë doemos diskriminimit. Mësimi bazik është shumë i qartë: asnjë shtet nuk mund ta përdorë territorin për ta shkatërruar popullatën. Shteti është krijuar dhe ekziston për qeniet njerëzore, dhe jo anasjelltas”, përfundon Gjyqtari Trinidate.

(Autorja është deputete e LDK-së dhe kolumniste e rregullt e gazetës Tribuna)