Makolli e vlerëson të rëndësishëm projekt strategjinë e diasporës
Ministria e Diasporës organizoi një debat publik lidhur me Projektstrategjinë e Diasporës dhe të Mërgatës 2013-2018, hartimi i së cilës është bërë në etapa të ndryshme.
Në dëgjimin e sotëm publik morën pjesë përfaqësues nga institucionet e Republikës së Kosovës, shoqëria civile dhe media.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, e vlerësoi të rëndësishëm hartimin e strategjisë për diasporën, duke u shprehur: “Gjithmonë kemi pasur mërgatë, por asnjëherë një dokument, nëpërmjet të cilit do të paraqiteshin nevojat, kërkesat dhe objektivat që duhet t’i ndjekin institucionet e Kosovës”.
Më tutje, ministri Makolli tha se diaspora ka kontribuar në faza të ndryshme të historisë së Kosovës. Ajo ka merita të mëdha për mirëqenien e shoqërisë kosovare dhe ndërtimin e zhvillimin e Kosovës, andaj Ministria e Diasporës e përpilon këtë strategji që ta fuqizojë angazhimin dhe pjesëmarrjen e diasporës në shoqërinë kosovare dhe ta lehtësojë koordinimin e politikave të diasporës. Kjo strategji synon të jetë gjithëpërfshirëse, përfaqësuese dhe konsultative. Synimi i saj është ndërtimi i besimit me diasporën.
Më tej, të pranishmit debatuan për objektivat e Projektstrategjisë dhe sugjeruan që ajo të përcillet me plan veprimi, i cili do ta bënte të zbatueshme strategjinë.
Dëgjime publike për hartimin e kësaj strategjie janë mbajtur në 22 vende, ku është e koncentruar më shumë diaspora. Po ashtu, nëpërmjet uebfaqes së Ministrisë së Diasporës, janë dhënë komente të ndryshme për këtë strategji./tung.ch/


