ARKATANA

Alther: Për një qendër pelegrinazhi në Letnicë

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Sa u përket parakushteve shpirtërore, falë Nënë Terezës, e cila këtu e ka nisur misionin e saj, Letnica mund të matet pa problem me Einsiedelnin.

Rolf Alther është emër i njohur për komunitetin shqiptar të Zvicrës. Në cilësinë e kryetarit të shoqatës së miqësisë Zvicër-Shqipëri, ai është i pranishëm në shumë aktivitete të shqiptarëve të këtushëm. Dhe jo vetëm kaq: Alther nuk heziton të reagojë në mediet zvicerane kur konsideron se realiteti shqiptar është pasqyruar jo realisht.

Duke qenë edhe vetë ndërmarrës, ai me shoqatën që drejton, është orientuar më tepër nga promovimi i marrëdhënieve ekonomike në mes të Zvicrës dhe Shqipërisë, po edhe Kosovës. Ndërsa turizmin e sheh si një resurs me shumë peshë sidomos për ekonominë e Shqipërisë. Mirëpo, kur është fjala për turizmin në Kosovë, Alther e thotë pa u hamendur se Kosova nuk mund të krahasohet me Shqipërinë, e cila, falë detit, përfiton nga një turizëm masiv.

Por megjithatë, edhe në Kosovë, sipas z. Alther, ka mundësi për zhvillimin e disa llojeve më specifike të turizmit. Kështu ai, mbase i pari deri më tash, ka promovuar idenë e zhvillimit të turizmit fetar (pelegrinazhit) në Kosovë. Këtë ide Alther e mbështet në një traditë që vazhdon të jetë ende e gjallë: atë të pelegrinazhit në Letnicë të Vitisë, te Kisha e ”Zojës së Madhe” ose “Zonjës Cernagore” siç njihet në traditën e popullit të asaj ane. Për albinfo.ch ai e sheshon në hollësi idenë e tij.

Albinfo.ch: Në një tryezë mbi turizmin në Kosovë, të mbajtur muajin e kaluar në Cyrih, ju prezantuat një ide për turizmin fetar (pelegrinazhin) në qendrën e njohur të katolikëve, në Letnicë të Vitisë. A mund të na e përafroni më tepër këtë ide?

Rolf Alther: Kisha e ngritur në një kodër në Letnicës, me shtatoren e saj të Madonës (Zonja e Madhe ose Zonja Cernogore) nga druri i zi i çmueshëm, ka një traditë të gjatë dhe të gjallë si një faltore e Shën Mërisë. Para luftës së Kosovës, në Letnicë, te Zonja e Madhe, shkonin në pelegrinazh rreth 15 mijë besimtarë të të gjitha grupeve etnike. Në të vërtetë ky vend duhet të ishte bërë i njohur në botë, pasi që aty Nënë Tereza ka pranuar thirrjen e parë për misionin e saj. Edhe shqiptarët myslimanë, paraardhësit e të cilëve nën sundimin osman ishin islamizuar dhunshëm, kultivojnë akoma një lidhje të fortë dhe shkojnë po ashtu në pelegrinazh në kodrën e shenjtë.

Nga e gjithë kjo kuptohet se Letnicën si vend pelegrinazhi nuk ka nevojë ta rizbulojmë. Më parë mund të thuhet se ajo që duhet bërë është ngritja e popullaritetit të saj dhe në këtë mënyrë joshja e sa më shumë pelegrinëve. Parakushtet kryesore tashmë ekzistojnë: Një figurë që shërben si identifikuese edhe përtej kufijve konfesionalë çfarë është Nënë Tereza, një traditë e gjatë religjioze, një godinë e ngjashme me një katedrale, një margaritar arkitektonik, nga brenda e nga jashtë dhe një vendndalesë në një peizazh me bukuri unike dhe pothuaj të paprekur – në mes të Ballkanit.

Mobi Casa

Albinfo.ch: Por, çfarë mund tu ofrojë Letnica në gjendjen që është sot, pelegrinëve? A zotëron ajo me kapacitete të nevojshme ose duhet që çdo gjë të ngrihet nga fillimi, d.m.th. të investohet?

Rolf Alther: Kushtet spirituale për të qenë një vend pelegrinazhi atje janë optimale. Peizazhi dhe kushtet e planifikimit hapësinor janë të shkëlqyera. Mungojnë pra “vetëm” ato parakushte që çojnë në shtimin e përfitimeve ekonomike për rajonin: një planifikim hapësinor largpamës, përmirësimi i komunikacioni, ashtu që të shmanget hyrja e rrugës në fshat, mjetet e transportit publik, vendparkime për mjete transporti kolektiv dhe individual, hotele dhe vendstrehime tjera, për kërkesa të niveleve të ndryshme.

Dhe kur turizmi të sjellë më tepër vizitorë, shtohen të ardhurat, edhe nga shitja e relikteve dhe suvenireve. Këto të ardhura shtesë duhet që me çdo kusht të investohen në zhvillimin e mëtejmë të vendit të pelegrinazhit.

Albinfo.ch: Duke folur për Letnicën, ju e keni quajtur atë një “Einsiedeln të ardhshëm të Kosovës” në të ardhmen (Einsiedeln: manastiri dhe qendra kryesore e pelegrinazhit katolik të Zvvicrës). Ku e shihni ju potencialin për një zhvillim në këtë drejtim? A duhet, sipas jush, që qeveria të investojë atje apo këtë duhet ta bëjnë privatët?

Rolf Alther: Sa u përket parakushteve shpirtërore, falë Nënë Terezës, Letnica mund të matet pa problem me Einsiedelnin. Natyrisht, nevojiten para, kohë dhe punë, që të arrihet një njohje e tillë. Mirëpo, as Roma nuk është ndërtuar për një ditë. Është me rëndësi që dikush të thotë: “tash po ia nisim” dhe të mos ndalet.

Bazë e kësaj duhet të jetë një studim turistik me themel i fizibilitetetit, që mund të ishte një temë diplome, e punuar ta zëmë në institutin e turizmit në Universitetin e Lucernit. Financimin nuk e parashikoj të bëhet nga shteti i Kosovës. Detyrë e shtetit është të krijojë parakushtet juridike dhe që ta mbështesë projektin nga aspekti i planifikimit hapësinor dhe i komunikacionit. Sigurisht, për projektimin, duhet të angazhohen financiarisht edhe bashkësitë fetare. Ndërsa për aspektet thjesht turistike u duhet dhënë përparësi investimeve private. Unë shpresoj se kleri lokal e regjional bashkë me krerët institucionalë do ta identifikojnë shansin shumë të madh, të bashkohen dhe të nisin projektin “Zhvillimi i mëtejmë turistik i vendit të pelegrinazhit, Letnicë”./Blerim Shabani/albinfo/