Punë të mbarë Institutit për Studime Ligjore dhe Demokratike, Gjilan, Kosovë!
Nga Hekura Rapaj – Mendimet dhe debatet e bëra u përqendruan në domosdoshmërinë e paraqitjeve të ideve, praktikave, përvojës dhe zgjidhjeve të rëndësishme të kërkimeve për çështje, probleme, shqetësime dhe procese të një interesi nacional, rajonal dhe ndërkombëtar, drejt rrugës së pakthyeshme të integrimit evropian, në strukturat Euroatlantike dhe ato globale të zhvillimit ekonomik, social, kulturor dhe të sigurisë.
Në Gjilanin e dijes, trimërisë dhe të kulturës shqiptare, atje ku vlerat e shqiptarizmit dhe emancipimit arsimor kanë hedhur me shekuj rrënjët e tyre të jetesës dhe zhvillimit, atje ku pashë të skalitura në auditorët e dijes, në institucionet social-kulturore, në rrugët dhe sheshet e qytetit emrat e shquar të shqiptarizmit si Thimi Mitko, Idriz Seferi, Ali Hadri, Agim Ramadani, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka, Xhavit Ahmeti, Nushe Tefiku, Adem Jashari, Abdullah Tahiri, Nëna Tereze, Pajazit Ahmeti, Xheladin Kurbaliu, Mulla Idrizi, Avdullah Presheva, Muharrem Ibrahimi, Shaban dhe Sami Ukshini, Vëllezërit Frashëri, Fatmir Ibishi, Isa Boletini, Skifter Arifi, Pjetër Bogdani, Fehmi Agani, Mic Sokoli, Ali Pash Tepelena, e shumë e shumë të tjerë që nuk pata mundësin e evidentimit, ndërsa në mendje më shkoi menjëherë, se ndodhesha në vendlindjen e Xheladin Beqirit (Karadaku), “Dëshmor i Atdheut” dhe “Hero i Popullit”.
Gjilani bën pjesë në një nga qytetet më të lashta shqiptare, nga komunat më të mëdha të Kosovës, si dhe një vend djep i dijes dhe kulturës shqiptare ndër vite, ndërsa aktualisht konkurrente dinjitoze në vlerë promovuese të kulturës dhe shkencës në Kosovë.
Këtë fakt e vërteton realiteti, ku data 25 mars 2017, i jepte dritë, shkëlqim, dije, emancipim dhe gjallëri gjithë qytetit, dy konferencat shkencore ndërkombëtare të organizuara: Instituti për Studime Ligjore dhe Demokratike në Konferencën e saj të VI-të Shkencore me temë: “Bashkëpunimi komunal rajonal në funksion të qeverisjes lokale moderne”, ndërsa tjetra, organizuar nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, nën patronazhin e Kryetarit të komunës, Z. Lutfi Haziri me temë: “Idriz Seferi – një jetë për Shqipëri (1847-1927).
E veçanta për t’u theksuar, qëndron, në atë që, Komuna e Gjilanit me mbi 90 mijë banorë, kurrë nuk i ka ndërprerë veprimtaritë kulturore që e kanë origjinën në ato vite të zymta errësire të pas Luftës së Dytë Botërore, dhe nën pushtimin shekullor të bishës serbe. Shoqëritë Kulturore-Sportive “Drita”, Klubi Letrar “Dardania”,“Rexhep Elmazi”, “Zenel Hajdini”, “Bajram Curri”, etj., së bashku me Tetarin Profesionist të Gjilanit, sfidonin pushtetit mizor e gjakatar obskurantist e antishqiptar serb.
Instituti për Studime Ligjore dhe Demokratike (ISLD), zhvilloi me suksese të plotë Konferencën e saj të VI-të Shkencore Ndërkombëtare, me temë: “Bashkëpunimi komunal rajonal në funksion të qeverisjes lokale moderne”, me një pjesëmarrje të gjerë nga rajonet Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe Mali i Zi, ku referova Temën: “Terrorizmi, rrezik potencial në Kosovë”.
Rregulli i përpiktë dhe korrektesa në organizimin e kësaj Konference nga stafi drejtues, kryesuar nga Flamur Hyseni, Kryetar i ISLD-së, si dhe zhvillimi i pandërprerë i një debate aktiv, ballafaques akademik ndërmjet diskutantëve, të ftuarve dhe një grupi ekselent të ftuarish, studentë të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, ekspertë, përfaqësues nga organizatat dhe institucionet e ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, grupeve të interesit e shoqërisë civile etj., i dhanë gjallëri mendimit akademik, shkencor, profesional dhe prokupacioneve shqetësuese të së tashmes.
Mendimet dhe debatet e bëra u përqendruan në domosdoshmërinë e paraqitjeve të ideve, praktikave, përvojës dhe zgjidhjeve të rëndësishme të kërkimeve për çështje, probleme, shqetësime dhe procese të një interesi nacional, rajonal dhe ndërkombëtar, drejt rrugës së pakthyeshme të integrimit evropian, në strukturat Euroatlantike dhe ato globale të zhvillimit ekonomik, social, kulturor dhe të sigurisë.
Rajoni jonë, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoni, Mali i Zi, i mbushur me mjaft konflikte dhe shqetësime të së kaluarës, ende të pazgjidhura, si dhe me një konfliktualitet të paqëndrueshëm politik, e ka më se të domosdoshme bashkëpunimin rajonal midis shteteve dhe organizatave të ndryshme kulturore, shkencore dhe akademike, në përballjen e përbashkët të sfidave drejt konsolidimit të shteteve, qetësisë, harmonisë dhe marrëdhënieve paqësore dhe të mirëqenies në rajon.
Ngelet vetëm që t’i urojmë organizatorëve dhe Institutit për Studime Ligjore dhe Demokratike suksese dhe më shumë energji për organizime, hulumtime, studime e ballafaqime shkencore në të ardhmen./rajonipress/


