ARKATANA

Pse pro amnistisë?

/ 9 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Berat Buzhala – Askënd nuk ka nevojë që ta brejë ndërgjegjja për votën Pro këtij draftligji. Të jeni të bindur që ata që sot fshihen prapa emrave të Selverit, të Enverit…, nesër do të donin të fshiheshin prapa emrit tënd të vdekur. Këta kërkojnë të fshihen prapa të vdekurve. Kërkojnë të fshihen prapa heronjve. Por kjo nuk i bën ata që të jenë të tillë… Këta janë një grup fundamentalistësh politikë – shumë të dyshimtë në agjendën e tyre – që vendin tonë po provojnë me tërë kapacitetin e tyre ta nxjerrin prej binarëve. Në emër të atdhedashurisë këta e vrasin atdheun. Në emër të dashurisë për lirinë këta na e vrasin neve sot lirinë.

“Në politikë, sikurse në jetën e përditshme, nuk ka asgjë më të pavlerë dhe më të kotë se sa moralizimi. Megjithatë, disa njerëz, e shohin këtë gjë si shumë atraktive, sepse i shpëton prej detyrës për t’u thelluar në esencën e problemit”, Lev Davidovich Bronshtein, i njohur si Leon Trotsky, shkruan në librin tij Korrespodencë nga luftërat Ballkanike.

E citova këtë personalitet të njohur botëror të fillim shekullit të kaluar, jo pse i njëjti i ka lënë botës ndonjë trashëgimi të çmuar në fushën e filozofisë – sepse kjo nuk është fusha e tij më e ndritshme – por sepse thashë mos ndoshta trockistët e ditëve të sotshme, revolucionarët e vetmuar të shekullit 21, së paku një citim të babait të revolucionit permanent nuk do të ma marrin me të keq. E kundërta nuk do të më mërziste.

Të nderuar kolegë deputetë, qytetarë të Republikës së Kosovës, ju dhe ne jemi lodhur këto ditë me moralizime rreth kësaj çështjeje. I madh e i vogël, të shumtën pa e lexuar ligjin – të tillë e konsideroj edhe atë që e lexon e nuk e kupton, apo edhe atë që e lexon e kupton por e transmeton qëllimshëm gabimisht – po moralizojnë se si nëse aprovohet ky ligj me se shumti do të dëmtohen ata që nuk do të përfitojnë prej tij dhe që gjatë 14 viteve të fundit paskan qenë qytetarë të ndershëm të kësaj Republike. Pra, po besoj që për një kësi lloj të moralizimit e ka fjalën Trotsky kur flet për kotësitë.

Edhe një lloj tjetër i moralizimit, veç këtij, është shumë në trend ditët e fundit: Se Ligji është i keq vetëm për faktin se në krye të tij nuk shkruan se ky ligj vlen vetëm për pjesën veriore të territorit të Kosovës, se ky ligj vlen vetëm për serbët e asaj pjese, apo edhe e pjesës tjetër. Se ky ligj do të quhej në rregull, sipas këtyre moralizuesve, po qe se aty do të shkruhej se prej përgjegjësisë penale do të liroheshin punëtorët e sigurimit shtetëror, rojave të urave dhe kullave etj. etj.

Të parin, atë që e përmenda më lartë, kryesisht e përdorin revolucionarët e vetmuar të këtij shekulli, kurse këtë të dytin e përdorin të gjithë ata që dëshirojnë ta okupojnë hapësirën medial, duke u rreshtuar prapa demagogjisë dhe moralizimeve populliste, por në anën tjetër edhe me tutje po shpresojnë që të mos i këpusin edhe fijet e fundit të donacioneve për NGO’te e tyre me miqtë ndërkombëtarë. Për këtë kategori thesari popullor e ka rezervuar një thënie të bukur: Krytë te nana, e…. pjesën tjetër të trupit të burri. Pra, e konsiderojnë veten edhe me tutje pjesë të dy taborreve. Gjoja e dëshirojnë dhe e kuptojnë amnistinë, por se gjoja i pengon paqartësia. Gënjeshtër. E vërteta është se ky grup i njerëzve, që aktualisht po organizojnë nënshkrime nëpër sheshe të ndryshme ose nuk e kuptojnë ose nuk e dëshirojnë amnistinë. Sepse ata për një tjetër qellim po i kërkojnë nënshkrimet, e për një tjetër qellim po i marrin. Nënshkruesit e këtij peticioni, që janë qytetar të nderuar të Republikës tonë nuk e vrasin shumë mendjen për mënyrën se si është shkruar ky ligj, dhe nëse aty është vënë filan paragrafi para filan neni. Ata qytetarë thjesht janë të shqetësuar – me të drejtë – me vetë konceptin e faljes. Pra, janë të shqetësuar pse ata që deri dje paskan punuar kundër rendit kushtetues të Kosovës, që deri dje paskan bërë kontrabandë, paskan djegur pika doganore etj etj., sot po falen? Pra, pse po falen ata qytetarë që Republikën e Kosovës e kanë parë si pengesë dhe jo si mundësi?

Më lejoni që të provoj të jap një përgjigje të shkurtër në këtë çështje: Po falen sepse po kërkojnë të falen. Edhe më tutje ata nuk po kërkojnë falje për krimet që kanë bërë këtu, mirëpo definitivisht janë duke kërkuar që ne t’ua falim një pjesë të fajeve…

Të nderuar qytetarë të kësaj Republike, kur ka ndodhur më herët në historinë tonë që Kryeministri i Serbisë ta mbajë shikimin kah puna që ne po e bëjmë? Kur ka ndodhur më herët – madje as kur e kemi shpallur pavarësinë – që Kryeministri i Serbisë të pretë prej nesh që ne t’i falim komunitetin serb se e kanë cenuar rendin kushtetues të Kosovës. Pra, nëse ne ua falim atyre krejt çka kanë bërë deri në muajin qershor, kjo nënkupton se ata, e edhe Dacic – që po supozoj se po na përcjell – po e pranojnë rendin aktual kushtetues të vendit tonë. E rendi kushtetues i vendin tonë është se Kosova është shtet i pavarur. Sepse askush nuk kërkon që ta amnistosh prej një vepre deri në një datë të caktuar, kurse pas asaj date i njëjti me të njëjtën gjakftohtësi ta përsërisë të njëjtën vepër. Kurse dikush kërkon amnisti sepse e ka ndërmend të sillet si qytetar i përgjegjshëm i kësaj Republikës tonë.

Ata dhe askush nuk do të amnistohet për vepra që e cenojnë rendin kushtetues prej tash e tutje. Dhe këtë po e kërkojnë edhe vetë.

Mobi Casa

Pra, Qeveria e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Presidenca, me gjasë do ta mbyllë një kapitull të lodhshëm dhe të dhimbshëm dhe të gjate plot 14 vjet që një pjesë e banorëve të territorit të Republikës sonë nuk e njihte pjesën tjetër të territorit të Republikës sonë. Të kota dhe të pavlera, siç do të thoshte Trotsky, janë moralizimet e mëtejshme rreth kësaj çështjeje. Kot ne sot humbim kohë në zbulimin e shkaktarëve se si do të ndihen tash ata banore që e paskan respektuar shtetin për kaq e kaq vite. Ata banorë që e kanë respektuar ligjin këtu e 14 vjet më parë pandërprerë sot duhet të ndihen tepër të gëzuar. Te lumtur dhe te gezuar sot duhet te ndihen ata biznesmen që nuk kanë nevojë të amnistohen sepse prej sot e tutje ata nuk do të kenë konkurrencë jolojale në një pjesë të territorit. Të lumtur dhe të gëzuar duhet të ndihen sot ata punëtorë shëndetësorë që e kanë respektuar ligjin, sepse atyre sot u bashkohen edhe një pjesë e kolegeve që nuk e kanë respektuar; të lumtur dhe të gëzuar duhet të ndihemi të gjithë ne që kemi besuar në Republikën e Kosovës, sepse sot ne po na bashkohen në besimin tonë edhe një pjesë e qytetarëve që nuk kanë besuar në këtë gjë.

Të pikëlluar duhet të ndihen vetëm ata që kanë shpresuar se Konferenca e Rambujesë nuk do të sjellë kurrfarë të mire. Të pikëlluar duhet të ndihen të gjithë ata që kanë besuar se Bisedimet e Vjenës po e çojnë vendin drejt inkuadrimit me Serbinë.

Të pikëlluar duhet të ndihen ata që kanë hedhur gur e dru mbi Planin e Martti Ahtisaarit

Pra, të pikëlluar, të mërzitur, të revoltuar duhet të ndihen sot të gjithë ata që nuk kanë besuar në Republikën e Kosovës. Të gjithë ata që kanë besuar që përmes destabilizimit në veri të vendit do ta sendertonin kauzën e tyre shkatërrimtare në midis të Prishtinës. Të gjithë ata që kanë besuar se profecia e tyre apokaliptike do të realizohej, qoftë edhe me partner serb.

Problemi esencial, ju të nderuar kolegë deputetë dhe qytetarë të Republikës së Kosovës, nuk është më në Veri të vendit, sepse ata e kanë vendosur që ta njohin Pavarësinë e Kosovës, ose nëse dëshirojmë të jemi pak me skeptikë, po themi se kanë vendosur që ta provojnë Pavarësinë e Kosovës.

Problemi është tash midis këtij Kuvendi, te një tufë deputetësh që edhe më tutje nuk e njohin e as nuk besojnë në këtë subjekt juridik. Këta deputetë prandaj nuk e duan miratimin e këtij ligji, sepse po shpresojnë që do ta humbasin një aleat, një partner në kauzën e tyre…

Askënd nuk ka nevojë që ta brejë ndërgjegjja për votën Pro këtij draftligji.

Të jeni të bindur që ata që sot fshihen prapa emrave të Selverit, të Enverit…, nesër do të donin të fshiheshin prapa emrit tënd të vdekur. Këta kërkojnë të fshihen prapa të vdekurve. Kërkojnë të fshihen prapa heronjve. Por kjo nuk i bën ata që të jenë të tillë…

Këta janë një grup fundamentalistësh politikë – shumë të dyshimtë në agjendën e tyre – që vendin tonë po provojnë me tërë kapacitetin e tyre ta nxjerrin prej binarëve. Në emër të atdhedashurisë këta e vrasin atdheun. Në emër të dashurisë për lirinë këta na e vrasin neve sot lirinë.