UBT

Shqipëria, si Shqipëria

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Milaim Shefkiu – Sa më shumë që po e njoh dhe po e përjetoj realitetin shqiptar, po bindem me ato lutjet e rilindësve dhe ideologëve, se Shqipëria e ka rrezikun nga vetë shqiptarët. Janë këta, që nuk e lënë shtetin të ecë përpara, nga patologjia e urrejtjes ndaj vëllait dhe nga mospajtimi me realitetin.

Nuk është e mundur që të organizohen një palë zgjedhje në Shqipëri, dhe të kalojnë në qetësi, të jenë fer dhe të mos ndodhin incidente me përmasa sa të kërcet kallashnikovi, si në luftën e Sirisë. Zgjedhjet e 23 qershorit nuk ishin asgjë tjetër përveç një lojë kolumbiane me gjela, ku bastexhinjtë kur humbasin bastin, nxjerrin hanxharët dhe i bëjnë yrysh kundërshtarit, thua se ai i ka fajet që gjeli i tij humbi lojën.

Prandaj Shqipëria si Shqipëria.

Në mes të Laçit, simpatizanti i një partie politike qëllohet me plumba nga simpatizanti i një parti tjetër. Pas dy ditësh, vrasje tjetër si në Kamboxhë në të njëjtin qytet. Kjo është për të të ardhur keq, së pari për Shqipërinë të cilës po i përsëritet historia, e më pas edhe për familjet e të vrarëve. Skandali tjetër, apo loja me gjakun, ndodhi kur përfaqësuesit politikë u munduan të përfitojnë nga tragjedia, duke kërkuar më shumë vota dhe duke akuzuar apriori kundërshtarët politikë. Madje ata harruan edhe t’i shprehin ngushëllime familjes së të vrarit në ditën e votimit, duke menduar vetëm në epilogun e zgjedhjeve.

Por, qershori ndër shqiptarë ka një karakteristikë tjetër. Ishte qershori i vitit 1924, kur në zgjedhjet pothuajse të para demokratike në Ballkan, Fan Noli e mundi në zgjedhje Ahmet Zogun, në një proces me shumë tensione. Noli e bëri qeverinë, e cila nuk jetoi më shumë se gjashtë muaj.Ndërsa gjithë njerëzit që flasim shqip, mendojnë shqip dhe veprojnë e punojnë për Shqipërinë, nuk dua që këto zgjedhje, vendimtare për Shqipërinë dhe integrimin e saj, të zgjasin në pafundësi sikurse gjyqet kishtare të inkuizicionit.

Mobi Casa

Megjithatë në një lojë nervash gjatë numërimit, u konfirmua se Edi Rama dhe koalicioni i majtë fituan bindshëm zgjedhjet. Nëse është e vërtetë sentenca se “Dita e mirë shihet në mëngjes” atëherë Rama i ka fituar këto zgjedhje dhe pas tetë vitesh në pushtet Partia Demokratike e humb garën, ndërsa Sali Berisha shkon në pensionim.

Ajo që kërkohet nga Berisha është se pas 22 vjetësh në politikë dhe pas gjithë atij bagazhi që ka ndërtuar në Shqipëri, të largohet burrërisht duke dorëzuar pushtetin dhe duke i uruar rivalit qeverisjen e re. Kështu Berisha mbetet në analet e historisë shqiptare si pishtar i demokracisë, si njeriu që ka ndërtuar Rrugën e Kombit dhe si kryeministri që ka çuar Shqipërinë në NATO.

Berisha nëse largohet në mënyrë dinjitoze, mbetet politikan me nam, ndërsa nëse qetë shqelma dhe sfidon Parlamentin, atëherë bie në fund të pusit.
Këtu përfundon një etapë e Berishës dhe fillon një sfidë e re e Edi Ramës, të cilit gjithashtu i kërkohet që mos të ecë “me stupc në krah”. Madje, Rama duhet të zbresë në tokë pas zgjedhjeve, sepse akoma është duke qëndruar në “skele” sikurse të ishte duke pikturuar “Shën Marinë nudo”. Rama duhet të jetë edhe më dinjitoz, ndërsa premtimet që i ka bërë duhet t’i përmbushë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët në rajon, përfshirë edhe ata të Preshevës.

Sido që të jetë, shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe të Luginës së Preshevës, presin që procesi i zgjedhjeve në Shqipëri të përfundojë me sukses, i qetë, dhe pa tensione të tjera. Pas vrasjes në Laç, Evropa nuk po arrin të krijojë imazh tjetër për Shqipërinë, duke kujtuar po atë Shqipëri të ngatërresave. Nëse Edi Rama, apo siç po e quajnë në Shqipëri i “gjati” ndryshon për të mirë mentalitetin e Shqipërisë karshi ndërkombëtarëve, atëherë vërtet ai do të mbetet reformator dhe do ta mbajë epitetin e liderit që çoi Shqipërinë në Evropë.

Kurse Sali Berisha duhet të mendojë më racionalist dhe të ikë nga politika, duke ia lënë partinë klasës së re, atyre që premtojnë, por edhe që e sfidojnë Ramën në zgjedhjet e ardhshme, ndoshta Basha ose Olldashi.