Mobi Casa

Njollosja e Diplomacisë

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Vjosa Osmani Sadriu – E quajtën tradhtar! Dhe atë më të rrezikshmin. E akuzuan për bashkëpunim me shërbimin sekret serb dhe rrezikim të sigurisë shtetërore. Lulzim Peci, ambasador i Republikës së Kosovës në Suedi dhe pas kësaj edhe zyrtar ndërlidhës i Republikës së Kosovës në Serbi, brenda natës u shndërrua nga “Ambasadori më i mirë i Republikës së Kosovës” – siç e quante Thaçi, në rrezikues të sigurisë nacionale, njeri të gabimeve e lëshimeve të mëdha, që flet serbisht në Serbi e që ka sjellje jodiplomatike, siç u vlerësua, ndër të tjera, nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Nëse do të kërkonim të bëhej vlerësimi i komunikatës më skandaloze të vitit (madje edhe të tërë mandatit qeverisës), pa dyshim që komunikata e MPJ-së pas dorëheqjes së Lulzim Pecit, nuk do të kishte konkurrencë për vendin e parë.

Ambasadori Peci konfirmoi diçka që qytetarët e Kosovës tashme e kanë kuptuar mirë. Në letrën e tij të dorëheqjes, ai tha se ka menduar që politika zyrtare e Kosovës është që normalizimi i plotë i marrëdhënieve Kosovë-Serbi mund të arrihet vetëm pas njohjes së Kosovës nga Serbia. Por si duket ky nuk qenka qëndrimi i kryeministrit Thaçi, theksoi ai.

Dhe natyrisht që kishte të drejtë. Kur filloi procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, Thaçi tha në Kuvendin e Kosovës se nga ky proces pret njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Nuk shkuan as dy javë, dhe një deklaratë e Qeverisë e thoshte të kundërtën. Aty thuhej se Kosova nuk do të kërkojë nga Serbia njohjen e pavarësisë së saj.

Me këtë, udhëheqësit e dialogut hoqën dorë nga kërkesa themelore e Republikës së Kosovës, që natyrisht është parakusht për normalizim të raporteve. Qeveria Thaçi hoqi dorë edhe nga shumë premtime që i kishte bërë në fillim të procesit. Koncesionet u bënë aq të shpeshta, sa që më njerëzve nuk u lenin përshtypje titujt e gazetave rreth këtyre vendimeve në dëm të vendit. Me dorëheqjen e tij, ambasadori Peci tregoi se këto lëshime janë qenësore. Ai nuk pranoi të bëhej pjesë e kësaj loje. Dhe bëri mirë.

Ministria e Punëve të Jashtme si duket u zu e papërgatitur kur dëgjoi për këtë dorëheqje. Gjuha e përdorur në komunikatën zyrtare të kësaj ministrie tregoi nivel të lartë të papërgjegjësisë, pamaturisë dhe mungesën e gjuhës diplomatike. Së pari, aty u tha që Lulzim Peci kishte bërë gabime e lëshime edhe gjatë kohës sa ishte ambasador në Suedi. Shtrohet pyetja, atëherë, pse u emërua në pozitën më të ndjeshme dhe pse iu besua një mision kaq i rëndësishëm?

UBT

Pse Thaçi e quajti ambasadorin më të mirë të Republikës së Kosovës? MPJ po ashtu e qortoi atë pse kishte folur në gjuhën serbe gjatë qëndrimit të tij në Serbi. Si duket ministri Hoxhaj ka harruar që gjuha serbe është gjuhë zyrtare në Kosovë, dhe është kategori kushtetuese e barabartë me shqipen.

Po edhe sikur mos të ishte, nëse adresimi në gjuhën e shtetit pranues është shkelje, atëherë do të duhej të shkarkoheshin shumica e diplomatëve, sepse ambasadori në SHBA i mban adresimet e tij pikërisht në gjuhën e shtetit pranues, pra në anglisht; ai në Francë në frëngjisht; ai në Gjermani në gjermanisht, e kështu me radhë.

Sipas kësaj logjike, do duhej shkarkuar edhe ministrja e Integrimit Evropian, që para disa ditësh thuhet se foli serbisht në Beograd.

Vlerësimi i tillë i MPJ-së dëshmon mungesën e dijes bazike rreth rregullimit kushtetues të Kosovës si dhe të rregullave të diplomacisë të parapara në Konventat e Vjenës për marrëdhënie diplomatike e konsullore. Përfundimisht, MPJ tentoi ta njollosë Ambasadorin Peci duke e etiketuar me tradhti kombëtare, pra me akuzën më të rëndë që mund t’i bëhet dikujt.

Ministri Hoxhaj mendoi që ai mundet thjeshtë të gjuajë akuza të tilla dhe pastaj të rrijë pa bërë gjë. Ai duhet ta dijë që tani ka përgjegjësi ligjore që këtë çështje ta çojë deri në fund. Dhe nëse jo MPJ-ja, këtë çështje duhet ta çojë deri në fund ambasadori Peci.

Thirrjet për linçim publik dhe shantazhimet e njollosjet e tilla kërkojnë përgjegjësi ligjore. Por Ministria e Punëve të Jashtme duhet ta dijë që pavarësisht përpjekjeve për ta shkatërruar reputacionin e një ambasadori, ajo me veprimet e veta ka arritur vetëm një gjë: ta njollosë vetveten.