Mësimet nga raporti i BB-së
Nga Ibrahim Rexhepi – Gjendja në Kosovës, ashtu si është përshkruar në Raportin e Bankës Botërore, nuk duhet të vështrohet vetëm përmes treguesve të nivelit të varfërisë, meqenëse aty ka edhe plot të dhëna të tjera që nuk duhet ta lënë rehat qeverinë.
Lajmi i ditë ishte ky: ”Varfëria ekstreme, e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qind, derisa varfëria e moderuar, e cila nënkupton jetesën me pesë dollarë në ditë, ka arritur në rreth 50 për qind.”
Këto janë të dhënat e nxjerra nga raporti i Bankës Botërore, i publikuar ditë më parë, ku përshkruhet gjendja dhe perspektiva në rajonin Evropës Juglindore, që nënkupton edhe Kosovën.
Sado që gjendja e përgjithshme duhet të vështrohet përmes kushteve dhe standardit të jetesës së qytetarëve, megjithatë, për të arritur deri te një vlerësim më i saktë nuk duhet lënë anash edhe faktorët e tjerë. Posaçërisht, nëse duam të shohim më mirë ardhmërinë e këtij vendi.
Edhe në raportin e vitit 2013, kur është në pyetje Kosova, sërish ka mungesë serioze të të dhënave . Një çështje tejet serioze, e cila e bënë të pamundur pasqyrimin gjendjes reale, jo vetëm për nevojat e BB-së, por edhe për institucionet vendore. Kryesisht ka mungesë të të dhënave për sektorin e punësimit dhe kjo, sa do që nuk e thotë BB-ja, pasqyron gjendjen kaotike në këtë sektor .Pos, informalitetit mjaft të lartë në sektorin punësimit, mungon edhe evidenca e saktë e atyre që kërkojnë punë , apo edhe që janë potencial të punës, por që nuk evidentohen askund. Ilustrim më i mirë për këtë situatë kaotike janë të dhënat kontradiktore që japin institucionet vendore. Herë thonë se niveli i papunësisë është 44,8 për qind, e pastaj 35,1 për qind. Do të thotë se as Ministria e Punës nuk e ka të qartë se çka po ndodhë në sektorin që ajo e mbulon.
Banka Botërore nxjerr edhe disa fakte, që në dukje janë optimiste, por në esencë nuk kanë përmbajtje të tillë. Kosova në vitin 2012 kishte një rritje ekonomike 2,3 për qind, përderisa rajoni ende është në kuotë negative -0,6 për qind. Gjatë viteve në vijim i tërë rajoni del me normë pozitive, ndërsa vendi ynë sërish pritet të ketë nivel më të lartë të rritjes. Sivjet – 3,1 për qind, ndërsa në mot – 4,3 për qind. Të dhënat janë inkurajuese kur krahasohen me ecuritë që kanë fqinjët. Por, kur kemi parasysh nivelin e GDP-së, apo normat e zhvillimit të shënuara viteve të mëhershme, atëherë Kosova është shumë larg. Asaj i duhet me dekada që të arrijë nivelin zhvillimit ekonomik të fqinjëve, madje, me kusht që ato të kenë ngecje për një periudhë të gjatë. Kjo do të thotë se normat e zhvillimit ekonomik nuk do të kenë ndikim të madhe në uljen e varfërisë, madje edhe për faktin se, siç thuhet në raport se “në Kosovë, rritja përbënte reduktimin thelbësor në varfëri, edhe nëse dinamikat e pabarazisë pjesërisht e gërryen ndikimin e rritjes ekonomike mbi reduktimin e varfërisë”. Sipas kësaj, nga rritja nuk përfitojnë të gjithë.
Problem tjetër janë gjeneratorët e rritjes. Deri më tani rritjen e ka bartur sektori publik. Kjo nuk ka ndodhur pse sektori privat është në pritje, por, është i pafuqishëm që të merr këtë përgjegjësi për shkak të ambientit të jomiqësore për biznes, që rezulton me ngecjen serioze të investimeve. Kjo situatë ka mundësi të zgjasë edhe për shumë kohë, meqenëse raportet e fundit të “Freedon House” dhe i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk tregoj ë për përmirësime, posaçërisht kur është në pyetje funksionimi i shtetit ligjor dhe për zvogëlimin e ndikimit të aparatit shtetëror në ekonomi dhe në biznes. Një shtet ku ka rritjet të autoritarizmit parqet rrezik për investime dhe për kapitalin.
Bartës tjetër i zhvillimit është eksporti, i cili pritet të rritet. Kjo do të ndodhë për shkak të përmirësimit të gjendjen ekonomike në rajon dhe në Evropë. Kjo nënkupton edhe rritjes së kërkesë, që është një shans i mirë për prodhuesit kosovar të orientuar kah eksporti. Por, a ka të tillë ? Struktura e eksporteve kosovare me vite nuk përjeton ndryshime- dominojnë metalet me rreth 65 për qind. Pos eksportit që bënë “Ferronikeli”, pse tjetër është skrap. Nuk ka asnjë indikacion që tregon se kjo strukturë mund të pësoj ndryshime, ndërkaq, rritja e eksportit do të varet kryesisht nga ecuritë e çmimeve në tregun e metaleve.
Njëkohësisht rritja e eksporteve nuk do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e bilancit tregtare, meqenëse, ka mundësi që importet të jenë bërë edhe më të mëdha. Sipas BB-së, bumi i importeve u shënua me ndërtimin e autostradës Vërmicë – Merdarë. Ndërkaq, Qeveria e Kosovë nuk e ka ndërmend që të bëjë një riorientim të investimeve- sërish do të ndërtohen autostradat, ndërsa do të margjinalizohet sektori me mundësi prodhuese.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


