Uji Dea

Ministra, si nuk turpëroheni!

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Astrit Gashi – Nëse ndjeheni të lumtur, të mbushur me jetë e pozitivitet karshi gjithçkajës që na rrethon, dëgjojeni rekomandimin tim: Mos e vizitoni panairin ndërkombëtar të bizneseve “Prishtina 2013”.

Sapo t’ju shkel këmba brenda tij është e garantuar vetëm një gjë: Një dëshpërim i menjëhershëm. Një insta – dëshpërim, i ngjashëm me ato instant kafetë e mëngjesit, që detyrohemi t’i pimë në vend të një espressoje a kafeje turke të fortë.

Ai është vendi ku nuk të duhen syze të dioptrisë së trashë për të parë sa pak të pazhvilluar e se pak zot të vetes jemi. Një realitetet ky për të cilin flasim e lexojmë, por që si i tillë na prezantohet në mënyrën me brutale, krejtësisht lakuriq e deri në porno, brenda atyre mijëra metrave katrorë me blloka e tulla, që janë aty sikur për të na rënë në kokë, që të na zgjojnë nga ëndrrat për të ardhmen e të na mbajnë lidhu në të tashmen.

Në atë vend, ballafaqohesh me të vërtetën e njohur dhe njëkohësisht të hidhur se ca mjaltë, patate, një birrë dhe disa verëra nga një lokalitet si Rahoveci, janë fuqia jonë globale ekonomike me të cilën, ka edhe të atillë që mendojnë ta sfidojnë rendin e ri botëror. Përveç tyre, e ekspozuara si prodhim vendor, në të njëjtin rend me tullat e tjegullat është ajo që na mungon më së shumti, dituria. Të renditura bukur në një sallë të parenditur, ose renditur pa shije, qëndrojnë të ekspozuara “Institucione të shkollimit të lartë”, vendet ku pak a shumë shitet e blihet diploma, para njohurive e dijes. Pyetja që në mënyrë cinike të vjen në mend po aty, në atë moment është: “Cila është kjo ndërlidhje logjike mes mjaltit, patates e diplomave shkollore”? dhe e vetmja përgjigje që të bie ndërmend është po ashtu në formë të pyetjes “Kur na paska qenë në ketë vend kriter një diplomë universitare për të mbjellë patate, për ta proceduar pastaj atë në çips apo për të mirëmbajtur toge bletësh”?. Asnjëherë!

Në Panairin 2013 nuk shkova i vetëm. Drejt tij u nisëm me Bardhyl Metën të Odës Ekonomike Gjermano- kosovare dhe dy miq të vjetër nga gazetaria ekonomike, me njërin nga të cilët, Ibrahim Rexhepin, ishim thuaja se “pionierë” të këtij lëmi të gazetarisë pas luftës, ai si senior e “shef”, ndërsa unë si një gazetar ambicioz e shpeshherë rebel e i padëgjueshëm.

Rrugës, që unë i bie përditë në drejtim të Fushë-Kosovës, të ngarkuar me kamionë e përplot vetura, ishim shumë më seriozë e më të lumtur e madje edhe të entuziazmuar. Sikur disa fëmijë, që nuk duan të dinë për realitetin, atë e projektojnë në bazë të dëshirave e ëndrrave të bardha, e të lumtur që po shkojnë të hallat. Bardhyli na tregonte për panairin e Gjenevës dhe ironizonte në mënyrë provokuese ndaj nesh gazetarëve se “Kosova ishte shndërruar në një kantier ndërtimi e zhvillimi”, teksa po shihnim urën në ndërtim nga Bechtel- Enka. Autostradën e një kombi që në fakt di se çka të hajë e me çka të ushqehet, por se nuk di se çka të krijojë e si ta krijojë.

UBT

Te vendi përfundoi edhe entuziazmi ynë. Morën fund imazhet e Panirit të Gjenevës dhe projeksionet tona për vendin tonë, sot, si një kantier zhvillimi e ndërtimi. Si me dhunë na u hoqën syzet 3D dhe u kthyem në realitetin dydimensional, i cili thotë pak a shumë kështu: Si mund ta ndërtoni një vend duke mos prodhuar asgjë?

Kjo pyetje, që vlen për secilin nga ne, megjithatë duhet drejtuar e kërkuar sqarim diku tjetër, te ajo dyshja që një ditë më herët krejt buzagaz prente shiritin e këtij panairi, tek dyshja e pazhvillimit ekonomik: Mimoza Kusari- Besim Beqaj. Te këta mekanikë që me gjasë më nuk ua vret syrin asgjë, as ato tjegulla e tulla, e as ata pak prodhues vendorë mjalti e patateje, që vuajnë qindra pengesa burokratike e korruptive në punën e tyre.

Si do ta zhvilloni këtë tokë “ilire” zotërinj? Do ju pyesim e do ju mbajmë përgjegjës sot e 100 vjet. Në emër të atyre prodhuesve të mjaltit, patates— e shumë prej tyre që prodhojnë speca, domate, hudhra e kërpudha, e të cilat detyrohen t’i hedhin në kosha plehu nga invazioni i jashtëm dhe atë në pikë të sezonit, sepse nuk bëtë asnjë gjë për t’i mbrojtur. Sepse krimi ekonomik fillon nga aty ku siguron mbijetesën ky vend- nga doganat, dhe pasojat e tij bashkë me prodhuesit i vuajnë edhe tregtarët e importuesit. Por edhe në emër të atyre importuesve, që bëjnë punë të përditshme siç e thonë edhe vetë me ngarkesa e presione, e që nuk kanë asnjë copë faji se në fakt ne sot nuk bëjmë e as nuk prodhojmë asgjë. Si nuk ju vjen turp të preni shirita e të promovoheni?

Është momenti i fundit që të mendojmë e veprojmë për biznesin prodhues vendas dhe për ta mbrojtur atë nga krimi i brendshëm dhe invazioni i jashtëm. Të mendojmë pak për vetën tonë. Në të kundërtën, nuk u mbetet tjetër veç t’ia qesin drynin këtij dyqani a supermarketi mallrash të quajtur Kosovë. Bashkë dhe me Odat ekonomike të këtij e atij vendi, që në vend se ta mbrojnë anëtarësinë e saj, janë shndërruar në njërën anë tagrambledhës e haraçxhinj të biznesit, ndërsa në anën tjetër darkaxhinj ministrash.

Në institucione, më të padobishme madje edhe se vetë ministrat në fjalë.

Në termat e ekonomistëve “ Outlook-u ekonomik i Kosovës” sot është i dëshpërueshëm. Shumë më i dëshpërueshëm se ky tekst.