Eko Higjiena

Statuja e pahijshme e kryeqytetit

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Në nëntor të vitit 2009, para dhjetëra mijëra njerëzve, ish-presidenti amerikan Bill Clinton pati thënë se “Kurrë nuk e kam pritur se dikush do të bënte një statujë timen kaq të madhe”, duke e lavdëruar statujën që ishte punuar në nderim të tij. Statuja e gjatë rreth tri metra qëndron në bulevardin që po ashtu ka marrë emrin e tij “Bill Clinton” në Prishtinë, para ndërtesave 15-katëshe. Që atëherë kritikët në Kosovë janë ankuar se statuja është jo vetëm artistikisht e papërshtatshme, dhe se ajo as që duket si ish-presidenti. Statuja është krijuar nga skulptori Izeir Mustafa, ndërkohë që ka kushtuar 30 mijë euro.

Arkitekti Bekim Ramku, për gazetën “Zëri”, thotë se sa u përket statujave të llojit të Bill Clinton-it, heronjve kombëtarë por edhe përmendoreve tjera, shpesh bëhet një gabim nga ana e zyrtarëve të komunës të cilët nuk kërkojnë nga realizuesit e këtyre veprave për t’u konsultuar me arkitekt kur ideojnë këto vepra. “Në raste të shumta (posaçërisht tek ne) rezulton me një vepër që nuk ka ndonjë lidhshmëri me kontekstin (rrethin ku vendoset) dhe fitohet përshtypja se këto vepra nuk e kanë vendin aty. Fatkeqësisht te ne ky fenomen ndodh shumë shpesh dhe përgjegjësia se sa një vepër do të inkorporohet në rrethin urban ku vendoset i bie ekskluzivisht skulptorit të cilët fatkeqësisht thellohen vetëm në skulpturë”, thotë Ramku.

Sipas tij, statuja e Bill Clinton-it është në disproporcion vetë skulptura por edhe zgjedhja e ngushtë urbane. “Raste shume të mira që ndoshta do mund t’i referoheshin skulptorët tanë janë Memoriali i Martin Luther King në Washington apo për monumente të vendosura në hapësira urbane Monumenti dhe Ura në Rijekë”, thotë për gazetën arkitekti Bekim Rmaku.

Një ndër arkitektët që nuk vlerëson shumë statujën e presidentit e 42-të amerikan, Ideal Vejsa, thotë se statuja Bill Clinton-it përpos vlerës “emocionale”, s’ka ndonjë vlerë tjetër. “Duke filluar prej kontekstit urban, në prapavijën e të cilit ka objekte me lartësi dominuese gjë që e minimizon veprën e statujës e duke vazhduar me proporcione që nga perspektiva e njeriut krijojnë një perceptim të deformuar të përmasave të veprës”, pohon Vejsa. Sipas tij, statujat realiste i kanë humbur vlerat me perëndimin e komunizmit, e kjo gjë, siç thotë ai, “lë një përshtypje që fatkeqësisht në vendin tonë sistemi komunist ende nuk ka përfunduar”.

Leutrim Fishekqiu, skulptori dhe organizatori i “Skulpfest-it”, mendon se kjo nuk është mënyra se si duhet falënderuar Amerika. “Ne kemi nisur festivalin për të shfaqur pakënaqësinë për ndodhitë e periudhës së pasluftës lidhur me promovimin e artit e sidomos atë të skulpturës. Duke përfshirë këtu edhe trendin e fundit të punimeve të skulpturave në shenjë respekti për dëshmorët e rënë gjatë luftës”, thotë Fishekqiu.

Hidromorava

Sipas tij, kopjimi i një statuje si ajo e lirisë e vendosur në kulm të Hotel “Victory”, nuk është mënyrë e duhur për ta shfaqur respektin ndaj ShBA-ve.

“Bustet të ndërtuara në Kosovë nuk paraqesin ndonjë vlerë artistike për shkak se janë kopje dhe si të tilla nuk mund të tregojnë diçka e aq më pak respekt ndaj dikujt. Respekti ndaj tyre mund të tregohet përmes demonstrimit të veprave të tyre në mënyrë artistike e jo ata si personazhe, përfshirë këtu Bill Clinton-in në Prishtinë”, thotë Fishekqiu për gazetën “Zëri”. Bustet aktuale, sipas tij, janë të vendosura në zona të paplanifikuara dhe si të tilla edhe lihen anash në sigurimin e mirëmbajtjen a tyre. “Me këtë trajtim ndaj këtyre personazheve kaq të çmuara të vendit tonë, si mund të flasim për respekt ndaj tyre”.

Sociologu Artan Muhaxhiri, thotë se raporti i Kosovës dhe kosovarëve me Amerikën është i veçantë dhe hiperemocional dhe dashuria e kosovarëve ndaj Amerikës përmban elemente maksimale të falënderimit dhe respektit. “Falënderimi është një akt i fisëm dhe mund të bëhet në mënyra të ndryshme, përfshirë edhe artin. Përparësia e kësaj shprehjeje është se veprat artistike me kohë shndërrohen në simbole identitare, duke e fuqizuar edhe më shumë peshën e falënderimit”, pohon Muhaxhiri.

Sipas tij, format e falënderimit si shtatorja e Bill Clinton-it, ose koncerti tradicional për nder të 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së Amerikës, janë shndërruar në kiç dhe klishe.

Sa i përket statujës së Clinton-it, ai thotë se realizimi i saj artistik dhe niveli estetik janë ofendues edhe për kosovarët, edhe për presidentin Clinton. “Ajo ka defekte elementare në kompozicion dhe në proporcione, prandaj nuk e meriton që ta përfaqësojë një ndjenjë aq fisnike, siç është falënderimi ynë kolektiv ndaj këtij personaliteti”, tha ai. Muhaxhiri thotë se deri më tani vendimmarrja në art ka qenë kompetencë e njerëzve që s’kanë pasur sens artistik, për ç’gjë sot ballafaqohemi me kiçizim të skajshëm të vendeve publike.