Mobi Casa

Mendja shtëpia ime e flluskuar

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

është avull, ose ujë i ftohtë, që të pikë në ballë, ngjyrë e paparë, që kapet a s`kapet, ose rrjedh vërdallë, për tu ngurtësuar, në daç nxehe, në daç ftohe kokën, ngurtësimin e bëri moti, se e zuri dhe ia veshi gëzofin

mos shtrydh mendimin e mekur
nuk të pikon luleshtrydhe e pjekur
ai ka kasollë
kudo që vete kulmin mbi kokë
*
po ajo
si do ta ndërtojë shtëpinë
ajo e flluskuara ime
*
prore mësyje shtëpinë
thinjoshet mësymja
mjegullat dosido
muret ia ngjyejnë
*
peshkatari i peshkimit të peshkut të mendjes
hedh grepin me majën e mbrehtë të penës
shpon viktimën e karremit
zvarraniku i ngathët ngulitet
peshku i shkathët oqeanit vërtitet
*
joshja s’është joshje
përderisa lakminë se ngopte
anashkalohet karremi
dorës së shtangur i bie kalemi
* shtëpia e nisur do të ngritët
për të shumëçka lypet
hapësira mes gishtash këmbëza
tyta shënjestrash
kati përdhe shtylla të forta
për kate të larta dhoma
dritare që i drejtojnë kahet
e tej shikimit izolimeve
brenda krahnezat
dhe vapë e mendimit
oxhaqe të pa rrënuar
mbi kulm rrufepritësi
t`ia përçojë rrufetë
motit të shpirtit
*
mendja shtëpia ime e flluskuar
le kuzhinën pa amvise por i gatuan instinkti
fulterja mbi stufën e ndezur të ndjenjave
fshije pluhurin e gjakimit të shkrumbuar
lavjerrësi në njërin korridor
matë hap-mbylljet e dyerve pa doreza
kumbojnë kumte gjithfarë orëve të ndera mijëra fletë të bardha rrinë të hapura të djerra
riparo shtëpinë prore të flluskuar të mendimit
prej çarjeve të streseve
lumturia e plasaritur në tualet
gjumin e porositur të çjerrë e qet
*
pos në sekondë gjeniu kapi enigmën
minutat orët ditët javët muajt vitet
futin dhëmbët e ajrit ku s`futen mitet
në kullotën pingule myshqeve
muret epuar assesi rrëzohen
Pirgu i Pizës
epohet drejtohet
nga vullneti i shtruar saktësisht
i tokës së rrotullueshme mrekullisht
shinave harkore të ekuinoksit

Uji Dea

Mehmetali Rexhepi

Gjilan, dhjetor 2012