UBT

Sintaksa e kujtesës

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Po të shkruaj çfarë kam veshur sot, dhe cilat këpucë i kam në këmbë, a kam ble këmishë, rrobat a i kam, të pastërta. Sot jam veshur ngrohtë.

Po të shkruaj për të gjitha gjërat
Po të shkruaj sa mall kam për ty
e di s´e je nën një gur të rëndë
ku zëri dhe fjala nuk arrijnë dot

Po të shkruaj se të kam në kujtesë
po të shkruaj se të kam në dhimbje
disa gjëra ende s´ mund t´i them
po ka mjaft metafizikë në këtë jetë

Varret e Prishtinës ku t´i prehesh
janë të lira, të shkruara, me lule
varrin tënd ti s´mund ta shohësh
këtë verë unë e kam rregulluar

Gjithë jetën jetuam për një ëndërr
por atë ëndërr ende nuk e kemi
çastin kur at´e çlirojmë nga burgu
unë kujtoj se do jetë festë e madhe

Në këtë vetmi jo dhe aq poetike
fjalët për ty i kam të zgjedhura
kjo botë kurrë s´është pa itaka
po ti qé gruaja e vetme për mua!..

NË ANËN TJETËR TË DIELLIT

Përderisa pjesë të lirisë sonë, të
jenë murosur, me klube e klane
që fjala e lirë të mos thuhet
poezia do të shkruhet me gjak
që liria e murosur të çlirohet

Fundamenti

Poezia s´mund ta çudis botën
Me një varg ose me ca strofë
një gjë e tillë ende s´ekziston
as nga artistë me forcë të pakët
as nga poetë me forcë të madhe

Në anët e gjelbërta të hijeve
ku dritë e mëngjesit rri zgjuar
shpirtëra me orë të shpërbërë
mbysin anët e mira të jetës, dhe
lirinë e mirëfilltë mbajnë peng

Në udhët e gjata të jetës, dritë
e mëngjesit s´flë, se zë gjumi
ajo do t´i shpërfaqet vetvetes
se edhe jeta s´ është aq e lirë
kur drejtësia bën padrejtësi

Prandaj, lotët që i shkojnë sot
popullit, janë lot të shpirtit, lot
të zemrës, lot të plagëve të
panumërta, lot të çasteve të
vrara, lot dhimbjesh të vlera

Në këtë vetëdjegie poetike
poezinë s´e burgos veç shteti
atë e burgosin edhe botuesit
atë e burgosin të patalentët
atë e burgosin dhe jo lexuesit!..

Poezi nga libri, “Flakët e jetës”

Rrustem Geci, Dortmund, 2014