FIDANISHTJA

Ta provosh Serbinë

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj – Ngjarjet e të martës mbrëma në Beograd mund të jenë leksion i mirë për ata qytetarë skeptikë të Shqipërisë, të cilët nuk e kuptonin pse ndjenjat e kosovarëve lëndoheshin qoftë edhe nga një koncert i ndonjë këngëtari serb në Tiranë. Disa nga ta, atë natë e provuan Serbinë.

Gjithnjë kam pasur keqkuptime me miq nga Shqipëria kur binte fjala për serbët dhe Serbinë. Kur iu flisja për kohën e okupimit, për luftën, ata sikur tregoheshin skeptikë për ato që u thoja. Nuk hezitonin të më këshillonin që të shfaqesha më i butë në rrëfimet e mia, që ndonjëherë mund t’iu jenë dukur edhe fantastiko-shkencore. Aso çfarë mund t’i prodhojë mendja e dikujt që me çdo kusht dëshiron të tingëllojë interesant në muhabet kafeneje.

Për ata ishte e pakuptueshme, ta zëmë, se pse koncerti i Zdravko Colic’it në Tiranë irritoi aq fort kosovarët. Thoshin se ishte thjesht një këngëtar, muzika e të cilit pëlqehej shumë nga shqiptarët e Shqipërisë. Thoshin, madje, se çështja po dramatizohej më shumë se ç’duhej dhe se arti nuk duhej përzier me politikën. Kishte edhe nga ta edhe që nuk e kuptonin se pse tifozët e Kombëtares së Shqipërisë ishin me shumicë nga Kosova.

Në njëfarë mënyrë, ata kishin të drejtë. Ishin kosovarët, e jo ata që kishin qenë viktima të okupimit, poshtërimit, çnderimit, vrasjeve e masakrimeve nga regjimi serb. Ishin kosovarët ata që kishin përjetuar diskriminimin dhe trajtimin më çnjerëzor. E gjithë kjo, natyrisht, kishte shkaktuar keqardhje te qytetarët e Shqipërisë, por ata ende nuk ia kanë dalë ta kenë të qartë krejt fotografinë e raporteve ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe Beogradit.

Mu për këtë, edhe të martën mbrëma shumë nga ta mbetën të habitur kur panë gjithë atë dhunë ndaj shqiptarëve në stadiumin e Partizanit. Hutia po i pushtonte edhe teksa dhjetëra mijëra vetë po bënin thirrje për vrasjen e shqiptarëve, duke brohoritur “ubij, zakolji, da šiptar ne postoji”. Madje, po çuditeshin edhe pse delegacioni shqiptar pati nevojë të bllokohej në aeroport.

Sepse, ata nuk mund të gjenin arsye pse serbët duhej të silleshin ashtu ndaj tyre. Kishin marrëdhënie diplomatike korrekte dhe duhej mbizotëruar mirëkuptim reciprok. Vetëm një gjë “e vogël” harrohej nga ta: Kosova. Çështja e Kosovës, e cila qëndron aty, në mes të çfarëdo marrëdhënie që mund të ndërtohet ndërmjet Tiranës e Beogradit. Qëndron aty, në mes, si ngarkesë jo veç emocionale për të dy shtetet, për të dy popujt. Ata të martën mbrëma e provuan se ç’don të thotë të kesh punë me Serbinë.

Një shans i humbur

Serbia dështoi që të krijojë kushte për zhvillimin e një ndeshje normale futbolli. Shoqëria serbe dështoi që pas sa e sa luftërave të udhëhequra nga ajo dhe qindra-mijëra viktimave që lanë këto luftëra pas, të tregojë se megjithatë sheh më larg se sa shovinizmi dhe albanofobia që vazhdon ta mbajë të verbuar.

Me masat diskriminuese e raciste të ndërmarra ndaj tifozëve shqiptarë, Beogradi krijoi një klimë lufte para një ngjarjeje që duhej të ishte thjesht një ndeshje futbolli. Krijohej përshtypja se ishte betejë për jetë a vdekje. Një situatë që u tensionua edhe më shumë kur mediat publikuan se shumica e lojtërave mysafirë ishin shqiptarë nga Kosova.

Presidenti Tomislav Nikolic ishte dëshmitar i asaj që ndodhi në stadium. Ai pa gjithë urrejtjen e shfrenuar ndaj djemve shqiptarë. Dëgjoi edhe brohoritjet “ubij, zakolji, da šiptar ne postoji”.

FIDANISHTJA

Ai ishte në pushtet edhe atëherë kur shqiptarët e Kosovës vriteshin e dëboheshin nga shtëpitë e tyre. Atëherë kur thirrjet e tilla ktheheshin në vepër.

Pas gjithë asaj që ndodhi, Nikolic nuk hezitoi të jep edhe leksione, duke thënë se Shqipërisë i duhen dekada e shehkuj që të bëhet shtet normal, pa urrejtje ndaj serbëve. Kështu, pra, flet presidenti i një vendi të ndërtuar mbi urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë.

Pas gjithë asaj që ndodhi, ndërkaq, kryeministri serb Aleksandar Vucic, i cili po ashtu ishte pjesë e regjimit të Slobodan Milosevicit, deklaroi se qëllimi i ekstremistëve shqiptarë ishte që Serbia të tregohet si një vend që nuk e duron diversitetin! Vucic flet për diversitet, ndërkohë që shteti serb u tregua racist ndaj shqiptarëve, kur vendosi që asnjë nga ta të mos e lejojë të futet në stadium, kur vendosi që asnjë flamur apo simbol tjetër kuq e zi të mos valojë aty.

Fuqia e simbolikës

E, natyrisht, kryefjalë të gjithë asaj që ndodhi në ish-stadiumin e Armatës Popullore të Jugosllavisë ishin fjalët “fluturake” e “flamur”. Fluturakja me flamur u konsiderua provokim dhe i tillë edhe mund të jetë, por gjithë ato çfarë ngjanë para fillimit të ndeshjes dhe gjatë minutave që u zhvillua ajo, si mund të quhet? Më e pakta – provokim. Shishe, gurë, fishekzjarret nëpër këmbë të lojëtarëve shqiptarë.

Aktivisti i shoqërisë civile nga Beogradi, Goran Miletic, tha të mërkurën se më fyese është të thuash “vritni, vritni shqiptarët!” sesa shfaqja e flamurit shqiptar.

Më e saktë është të thuhet shfaqja e një bezeje me hartën e trojeve të bashkuara shqiptare dhe dy figura kombëtare në të, por që bartte një simbolikë të fuqishme që shkaktoi veprime të dhunshme. Veprime që vranë edhe atë pak mirëbesim që mund të ishte ndërtuar pas dekadash urrejtjeje të ndërsjellë – veprime që vranë futbollin, siç tha trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi.

Kosova në mes

Pas asaj që ndodhi në Beograd, shpresoj që kolegë të mi gazetarë që ishin të pranishëm në stadium dhe miq të mi në Shqipëri që e kanë ndjekur ndeshjen në televizor, t’i kuptojnë më drejt rrëfimet e mia dhe të secilit kosovar. Të kuptojnë edhe pse kosovarët irritohen kur Tirana mirëpret qoftë edhe një këngëtar si Zdravko Colic. Ta kuptojnë se Kosova qëndron në mes të çfarëdo idili të Tiranës me Beogradin