KQZ ka mandat të mbajë zgjedhjet
Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, shkuarja në një palë zgjedhje të reja nuk paraqet problem, pasi që ky institucion tashmë ka marrë të gjitha masat e duhura që të jetë në krye të detyrës.
Problem nuk paraqet as mandati i përfaqësuesve të partive politike në këtë Komision, pasi që, sipas ligjit, përfaqësuesve aktualë në një situatë zgjedhjes do t’u zgjatej mandati automatikisht.
Burime të Indeksonline kanë bërë të ditur se në rast se shpallen zgjedhjet, mandati i përfaqësuesve aktualë të partive politike zgjatet automatikisht, duke bërë që KQZ të ketë përbërje të njëjtë, pos anëtarit të AKR-së, parti kjo që e humb përfaqësuesin në KQZ dy muaj pas certifikimit të rezultateve zgjedhore pasi që nuk e ka kaluar pragun.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, pati ritheksuar faktin se institucioni që ajo drejton, në çfarëdo momenti që i kërkohet të përgatitë zgjedhjet, do të jetë e gatshme ta bëjë një gjë të tillë.
“Ne natyrisht e kemi obligim kushtetues, dhe në momentin e parë që na kërkohet të organizojmë ato teknikisht, ne do të jemi të gatshëm”, ka thënë Daka.
Kryetarja e KQZ-së nuk ka dashur që të komentojë mandatin e përfaqësuesve të partive politike në komision, duke shpjeguar se një gjë e tillë është në duar të presidentes.
“Jo ne nuk e kemi në kompetencë për të thënë se kush do të jetë pjesë e KQZ ose kush nuk do të jetë. Komunikimi i subjekteve parlamentare realizohet me zyrën e Presidencës, përmes së cilave edhe vijnë emrat tek ne”, ka shpjeguar Daka. Ndërkohë presidentja e vendit Atifete Jahjaga sipas ligjit për zgjedhje të përgjithshme duhet që dy muaj pasi që janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të emërojë anëtarët e rinj, dhe kjo deri më tani nuk ka ndodhur.
Zgjedhjet e 8 Qershorit janë certifikuar më 4 korrik, dhe sipas ligjit, përbëra e re do të duhej të vendosej deri më 4 shtator.
Megjithatë, burime brenda presidencës kanë thënë për Indeksonline se ligji e specifikon se në rast se zgjedhjet e jashtëzakonshme shpallen, atëherë mandati i përfaqësuesve aktualë zgjatet. Në përbërjen aktuale pos heqjes së anëtarit të KQZ-së kontestuese është edhe çështja e përfaqësuesit të komunitetit serb.
Ai deri më tash ka qenë përfaqësues i SLA-së, parti kjo që iu bashkua Listës Serbe. /Indeksonline/


