UBT

Martirët e Llashticës

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Qamil Llashtica – Kishte më shumë se 100 vjet që turqit po i binin në qafë popullit të fushës së Moravës për punë të fesë. Perandoria turke kërkonte me ngulm konvertimin e shqiptarëve, ajo kështu synonte ta siguronte qetësinë e saj të brendshme. Katundet e rrafshit njëra mbas tjetrës po sulmoheshin nga ushtria turke. Kudo që shkonin ata mbillnin tmerr dhe vdekje, mbrapa linin shkrumb e hi. Ishin rrahur njerëz e përgjakur, ishin kall shtëpi dhe katunde të tëra.

Nga çasti në çast pritej që t’ia mësynin edhe Llashticës, ashtu siç kishin vepruar me shumicën e katundeve të tjera. Llashticasit po jetonin në ankth, frikë e tmerr.
Tashmë të gjithë e kishin të qartë se ushtria turke nuk do ta kursente as këtë katund. Pleqtë e katundit thoshin se “edhe neve nuk kanë me na lanë ma kështu, veç kur t’i shohim një ditë këtu”.

Banorët mjaft kishin qëndruar po edhe mjaft kishin bërë lëshime, po kjo nuk i kënaqte turqit. Ata e kishin pranuar fenë e turkut vetëm sa për sye faqe; kishin hequr dorë nga mbajtja e derrave, shumica e meshkujve përpos emrit të tyre kishin marr edhe nga një emër turk, meshkujt kishin filluar të rrethpriten, vet katundarët e kishin hequr kryqin e madh që ndodhej në mes të katundit me qëllim që ta largonin vëmendjen e turqve. Kishte sa vjet që nuk mbahej mesha e së dielës, kisha kishte filluar të rrëzbitej. Për shërbime fetare vinte prifti nga Depca i bërë tebdil, të shumtën e herave ai udhëtonte natën dhe gjithmonë vet i dyti. Kryqi dhe ikona të Shën Marisë, ndodheshin në çdo shtëpi të tyre. Ishin vendosur përmbi derë, në ballë të oxhakut, përmbi votër, në magje, në çerepë, në djepat e fëmijëve, etj. Këtë e dinin turqit fort mirë. Dy herë më parë për këtë punë kishte ardhur këtu një hoxhë prej Kaçanikut i cili iu kishte folur për të mirat e fesë së re, hoxha ishte larguar i pakënaqur.

Ishte mëngjesi i një dite të pranverës së hershme, gjashtë javë para Shën Gjergjit. Njerëzit ishin të lodhur e të rraskapitur dhe mezi që dolën nga dimri për shkak të mungesave të ushqimeve për njerëzit dhe kafshët. Ishte fillimi i pjesës së dytë të shekullit XIX. Dy toborre ushtarësh turq ia kishin mësyer Llashticës, me ta ishte edhe “ hoxha” i Kaçanikut, pa u vonuar shumë erdhi edhe një tog tjetër ushtarësh, sigurisht si përforcim, ata kishin marr me vete edhe dy civilë zeshkanë nga qyteti të cilët në një mushk kishin ngarkuar dy hekura të rëndë, u nisën menjëherë drejt Vorreve të Vjetra që ishin përmbi katund. Ishte kjo hera e dytë që turqve u pengonin të vdekurit dhe varret e shqiptarëve të këtij katundi. Para 30 vjetësh derisa një tog ushtarësh turq po zdirgjej nga Malet e Depcës, kush e di se çfarë mund të kenë përjetuar ata atje, me t’i pa këto varre , zabiti dha urdhërin e tij të kobshëm: ushtarët iu vërsulën varreve, thyen, rrëzuen e dëmtuan gurët e tyre. Më vonë katundarët u munduan t’i rregullojnë dhe t’i drejtojnë kryqat të cilët kishin shpëtuar. Sot ishte puna më ndryshe, sepse ata kishin marr me vete ata hekurat, donin që të vdekurve t’u jepej goditja e fundit.

Në katund ishte lëmë e vërtetë; ushtarët hynin nëpër shtëpi, shkallmonin dyert e shtëpive, burra të lidhur e të përgjakur, gra e fëmijë të trishtuar, plakat, nuset dhe vajzat shprishnin flokët, qanin dhe vajtonin, bagëtia nëpër këmbë, lehje qensh, britma dhe lebetitje. Nga shtëpitë dilnin ushtarët me kryqa në duar, ikona, qirinj, rruzare, djepa fëmijësh, etj. Të gjitha këto i hidhnin në zjarr. Ato shtëpi të cilat nuk e kishin kryqin në derë shpëtuan më lehtë ndërsa dyert e shtëpive të tjera përfunduan në zjarr. Më së keqi e pësuan ata burra të cilëve iu gjet kryqi në qafë. Ata të varreve nuk u vonuan shumë, u bashkuan me të tjerët dhe u nisën në drejtim të Zhegrës. Mbasi ishin larguar, populli filloi të merrte frymë dhe ta merrte veten, i zgjidhën ata burra që kishin mbetur të lidhur, ua lidhnin varrët të rrahurve dhe të plagosurve dhe i futën nëpër shtëpi. Të rinjtë i lëshuan kafshët dhe bagëtitë e imta për në kullosë.

Mobi Casa

Atëherë katundi nuk kishte më shumë se 30 shtëpi. Një nga të rrahurit ishte edhe Brahim Larçi, i cili ishte trupmadh dhe ende i fortë ndonëse i ishte afruar të gjashtëdhjetave. Ai nuk fliste, vetëm fshante, shikonte njerëzit,shtëpitë dhe katundin se çka e kishte gjetur. U nis kah cungu i druve, i mori dy drunj dhe i lidhi me një dredhë dhe ashtu si kryq i nguli në mes të yrtit, ra në gjunjë dhe filloi t’i lutej Zotit. Në këtë kohë turqit kishin përdorur një dredhi; mbasi ishin larguar nga katundi, ishin kthyer majtas, ishin ngjitur Kodrës së ilisë dhe me shpejtësi hynë përsëri në katund kësaj radhe nga ana e Lugut të Shtrembët. Me furi u futën në yrtin e Brahim Larçit të cilin e gjetën duke u lutur para kryqit, e rrahën pa mëshirë dhe e lanë për të vdekur.

Kësaj radhe nuk bënë gjë tjetër u mblodhën me shpejtësi dhe u nisën kah Pisjani për në Gjilan. Brahimin i cili nuk ishte as i gjallë as i vdekur, i përgjakur, thye gjymtyrë, brinjë e kurriz, e mbështollën në lëkura të deshve. As nuk hante as nuk pinte as nuk fliste dhe në krye të dy javëve i mbylli sytë dhe kaloi në amshim. I thoshin Brahim Larçi sepse e kishte njërin sy të larëm, Baçë ishte emri i tij i vërtetë. I kishte pesë djem të cilëve Zoti iu kishte falë fëmijë, vajzat i kishte përcjell kaherë. Brahim Llashtica ishte burrë zotni,ishte në za, i mençëm dhe i pashëm. Rrinte vetëm në shpinë të atit. Ishte kapuç i fisit, e thirrshin me krenue, shkonte nëpër pajtime e mbarime, në dasma, ahengje, sparime e fatime, nëpër të pame e varrime, në tregje e kuvende, etj. Shtëpia e tij ishte më e mira në katund, kishte dy pendë qe, pela hergele, tri torishta me lopë dhen e dhi, bletë shumë dhe mall sa do Zoti.

Plaka Kunë ishte nga familja Kaza, kështu quheshin ata përpara ndërsa sot quhen simbas emrit të kësaj plake. Ajo ishte besimtare e devotshme, atë ditë shtëpia e saj kishte mbetur pa derë. Plakës Kunë i kishin shpëtuar vetëm rruzaret të cilat I mbante në duar. Ajo kishte thënë “nuk due me jetue në atë shtëpi në të cilën nuk ka kryq”. Atë natë ajo e kaloi në një kthinë në mes të hambarit dhe koshit. I lidhi dy krande me një pe dhe ashtu si kryq i vari te koka. Më vonë asaj ia sollën një kryq të punuar mirë dhe një ikonë të Shën Marisë të cilat i mbante te koka. Ajo e kaloi atë natë aty,u mbështoll me lëkura, çerga e plafa. Aty jetoi ajo për disa vjet deri sa në një mëngjes të ftohët dimri u gjet e shtangur, ndërsa shpirti i saj ishte ngritur në qiell dhe ishte bashkuar me engjuj.

Këta janë dy martirët e Llashtices, një burrë dhe një grua të cilët përjetuan mundime, u flijuan dhe ranë theror për besën e Zotit, për fenë e të parëve tanë dhe për tokën e Shqipërisë.

Qamil S. LLASHTICA Toronto, Kanadë