Zgjedhjet e pashmangshme
Nga Arben Ahmeti – Në gjithë këtë muhabet, zgjedhjet janë zgjidhja e vetme logjike. Këto parti duhet që sa më shpejt të dalin para qytetarit. Çdo skenar tjetër krijon institucione që nuk kanë besim.
Ja pse:
VLAN-i nuk ka mundësi ta ketë kryeparlamentarin. Po sikur t`ia lënë PDK-së dhe vetë ta merrnin qeverinë, në krye të shtetit do t`i kishim gjashtë persona. Katër liderët e VLAN në qeveri, një kryeparlamentar të PDK-së dhe një presidente të pavarur. E paimagjinueshme se sa e koklavitur do të ishte vendimmarrja që do ta bënte shtetin pothuaj jofunksional.
Po sikur PDK-ja të marrë një grusht deputetesh nga VLAN dhe t`i bëjë institucionet, do të kishim një qeverisje të pakicës, të varur nga Beogradi dhe një tufe matrapazësh. Qeverisja pa kurrfarë dinjiteti për t`u përballur me nevojat emergjente të vendit, dhe një opozitë të fuqishme gjithmonë me potencialin për ta destabilizuar vendin.
Po sikur, ndonjëra nga partitë e VLAN t`i bashkohej PDK-së, do të nënkuptonte se në qeveri do të kemi një parti pa kurrfarë parimi, pa kurrfarë vlere e cila pos tjerash qysh prej 8 qershorit ka bërë “hajgare” me popullin duke e lënë shtetin në krizë institucionale.
Si rezultat i skenarëve që nuk bënë të ndodhin, vijmë tek dy skenarët e vetëm që na kanë mbetur. As këta të dy nuk janë më të mirët, por janë të vetmit.
I pari është ai i një qeverie teknike.
Do të duhej të paraprihej nga një marrëveshje PDK+LDK+AAK. Mandati i saj do të duhej të ishte miratimi i buxhetit, kalimi i ndryshimeve për Gjykatën Speciale dhe arritja e tri marrëveshjeve me Serbinë, të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. E mira e kësaj qeverie është se do të zbuste tensionet, pra do të na qonte në një kohë më të mirë në zgjedhje. Pos tjerash do të mund të kalohej një vendim për mbylljen e listave, gjë që do ta thjeshtonte sistemin aq të komplikuar zgjedhor.
Ky skenar do t`u mundësonte partive tjera që të përgatiteshin për koalicione, dhe VV-së do t`i ndihmonte të akomodohej në ndryshimin që ka pësuar, e që nuk bënë kurrsesi të gjykohet prej tash. E keqja e këtij skenari, është se do të na humbiste kohë kot, pasi qeveritë e tilla janë vërtetuar si qeveri koti.
Skenari tjetër është ai i zgjedhjeve të shpejta.
Martesa që nuk funksionon e një qifti, përkundër kujtimit të tyre për dasmën e bukur, medoemos se do të sjell divorcin. Edhe zgjedhjet e bukura të 8 Qershorit do të duhet ndoshta t`i mbajmë si kujtim i bukur qe nuk solli institucione funksionale. Nuk kemi arsye që t`i frikësohemi zgjedhjeve të reja, sepse ne tashmë u mësuam që ato t`i shohim si festë e jo si luftë.
Shumë politikanë, këto ditë mund të kenë krijuar iluzione për veten. Në fakt, ka disa elemente pozitive e gjithë kjo meseleja e ngërçit politik.
Kurrë më shumë se sa në këto tre muaj nuk është vërtetuar se qytetarët e Kosovës më së paku varen nga qeverisja. Ne për gjithë këtë kohë, shkuam në deti, u interesuam për futboll, dhe e mësuam Kushtetutën përmendesh.
Për t`u admiruar neutraliteti i masave qytetare në raport me njërin apo tjetrin kamp. Në fakt, kurrë nuk kam qenë ithtar i neutralitetit qytetar, por nuk kishte opozicion më të mençur se sa kur shihje dy kampe në një përpjekje krejtësisht personale.
Njëri kamp që bënte çdo përpjekje për të mbajtur shtetin, sepse nga ai janë mësuar t`i mbajnë familjarët, dajallarët, axhallarët, ‘tezellarët’, dashnoret dhe gjithë reputacionin që kanë krijuar në qarkun Qeveri – te kafet.
Dhe kampi tjetër, që bënte çdo përpjekje për të marrë nën administrim paratë tona, sepse kanë mbetur pa familjarë shumë të dashur, pa dashnore dhe reputacioni në destinacionin Kuvendi i Kosovës – te kafet u ka rënë shumë.
Të gjithë këta, do të dalin sërish, të vetëm ose në grup nëpër binat e zgjedhjeve që ose do të duhej të mbaheshin tash, ose pas një qeverisje të shkurtër teknike. Aty do të flasin për legjitimitetin institucional dhe demokracinë.


