UBT

Në duart e kosovarëve ende shumë armë ilegale

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Kosova vazhdon të mbetet një vend ku në duart e njerëzve ka shumë armë ilegale. Raportet e policisë prej vitit 2002 tregojnë se gjërat nuk kanë ndryshuar, pavarësisht shtrëngesave në çështjet e sanksionimeve ligjore dhe kampanjave për amnisti armësh.

Bazuar në raportet policore niveli i armëve ilegale në duart e popullatës nuk ka shënuar rënie. Rënie sipas këtyre raporteve dhe raporteve të tjera përfshirë edhe atë të Departamentit amerikan të Shtetit nuk ka shënuar as niveli i kontarbandimit të armëve.

Sipas këtyre raporteve nuk bëhet fjalë kurrsesi për statistika reale, por vetëm për atë pjesë që gjendet dhe konfiskohet gjatë aksioneve dhe hetimeve për vepra të tjera, ose incidenteve të rastësishme. Të tjerat mbeten inekszistente derisa poseduesi i tyre të gjendet në një shkelje dhe në të njëjtën kohë të zbulohet edhe posedimi ilegal i armës.

Brahim Sadriu, nga Policia e Kosovës shpjegon se prej vitit 2002 në raste të ndryshme penale janë konfiskuar 19 730 armë.
Në këto të dhëna nuk llogariten armët që janë grumbulluar gjatë organizimeve të mbledhjes së armëve nëpërmjet amnistisë.
Në këto kampanja të organizuara kryesisht nga KFOR-i dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara(UNDP) janë mbledhur numër i vogël i armëve që nuk kanë kaluar asnjëherë shifrën prej 400-500 armësh.

Policia thotë se nuk ka matës real se sa armë pa leje ka në duart e njerëzve dhe as se sa është niveli i kontrabandimit të tyre.
“ Nuk mund të dimë sa armë ilegale ka duart e qytetareve, por çdo rast i armëmbajtjes pa leje trajtohen nga njësitet patrulluese. Rasti iniciohet (për t’i kaluar Njësitit të Hetuesisë së stacionit).Ndërsa kur kemi te bëjmë me raste të grupeve të organizuara që merren me kontrabandim armësh këto raste hetohen nga njësitet e specializuara të hetimeve në kuadër të Departamentit të Hetimeve në nivel të Drejtorisë së Përgjithshme të PK-ës”, ka thënë Sadriu.
Ndërkohë deri më tani sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme janë dhënë rreth 4500 leje për armë.

ARKATANA

Në llojet e armëve që konfiskohen prin ajo e tipit TT dhe automatiku Ak-47. Ndërkohë që shumica e lejeve për armë janë dhënë për revole të tipit Glock dhe armë gjuetie.

Njohësi i çështjes së kriminologjisë, profesori Ragip Halili thotë se nuk ka pasur aq përpjekje serioze për të iu kundërvënë krimit të organizuar, në zemër të së cilit është kontrabandimi me armë.

“Nuk është parë se ka pasur ndonjë qasje aq serioze ndaj pranisë armëve ilegale dhe sidomos nivelit të kontrabandimit të tyre si pjesë e krimit të organizuar në Kosovë”, i ka thënë Halili, Radio Kosovës.

Sipas Halilit autoriteteve policore dhe politikbërësve u duhet një mekanizëm që përfshin kontrollin e sfondit të poseduesve ilegal, blerësve të armëve dhe krijimin e një baze të dhënash kombëtare që ndjek lëvizjen dhe shitjen e armëve të zjarrit. Gjithashtu edhe ashpërsimin e dënimeve për poseduesit apo përdoruesit e tyre.

Përtej statistikave që nuk kanë shënuar ndryshime, përpjekjet për të gjetur mënyra që zvogëlojnë sasinë e armëve të paligjshme, tek njerëzit dhe frenojnë kontrabandimin e tyre nuk duken të kenë qenë aq të efektshme.