ARKATANA

Firmat fantome minojnë tregun, disa raste në gjykatë

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Që nga paslufta e deri më sot në Kosovë ka zënë rrënjë fenomeni i krijimit të firmave fantome, që ndër vite i kanë shtrirë rrënjët në ekonominë e brishtë të vendit dhe e tëra kjo sipas njohësve të kësaj fushe po bëhet nga oligarkët e inkriminuar, të lidhur me pushtetarët aktualë të dekadës së fundit.

Autoritetet e pranojnë se pasuritë po fitohen paligjshëm

Që nga paslufta e deri më sot në Kosovë ka zënë rrënjë fenomeni i krijimit të firmave fantome, që ndër vite i kanë shtrirë rrënjët në ekonominë e brishtë të vendit dhe e tëra kjo sipas njohësve të kësaj fushe po bëhet nga oligarkët e inkriminuar, të lidhur me pushtetarët aktualë të dekadës së fundit.

Analistët ndërkaq janë të mendimit se e tërë kjo që po ndodh përmes krijimit të firmave fantome ka bërë që këto kompani edhe t’i dominojnë tenderët e Qeverisë, por edhe tregtinë, projektet, e çfarë jo tjetër. Ndërsa, mënyra se si po i arrijnë këto, sipas analistëve dhe specialistëve të kësaj fushe, e tëra është në saje të lidhjeve klienteliste e korrruptive, që i kanë bizneset oligarkike përmes lidhjeve të tyre me pushtetin, si në nivelet lokale ashtu edhe në nivelin qendror dhe jo vetëm kaq. Se në vendin tonë ka kohë që ka zënë rrënjë kjo dukuri e pranon edhe koordinatori kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, i cili nuk ka dhënë ndonjë shifër të saktë, por tregon se në vitin e kaluar kanë pasur raste të tilla.

Koordinatori kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, Shqipdon Fazliu, tha se gjatë vitit të kaluar janë pranuar kallëzime penale e më pas janë ushtruar edhe aktakuza me propozime për konfiskim të pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme. “Këto raste kanë të bëjnë pikërisht me ato që ju i quani si firma fantome. Rastet e tilla janë dërguar në gjykatë dhe pritet marrja e vendimeve meritore nga ana e gjykatave”, ka potencuar ai, shkruan gazeta Kosova Sot.

Legalizimi i mafio-politikës

ARKATANA

Eksperti i integrimeve evropiane në fushën e ekonomisë, Ardian Nokaj,tha se nuk ka asnjë dyshim se në Kosovë ka firma fantome, sepse shumë nga aferat e mëdha korruptive janë të lidhura me pushtetarët e lartë, ose me firmat fantome të krijuara nga familjarët e tyre.”Njerëzit e korruptuar në Qeveri, përveçqë po krijojnë kompani fantome, po krijojnë edhe OJQ të ndryshme vetëm e vetëm për të fituar tenderë dhe për të zhvatur para dhe fonde publike”, është shprehur ai.

Nokaj sqaron se krijimi i firmave fantome është tendencë për “legalizimin” e veprimit politik mafio-ekonomik e social të grupeve të interesit. “Fantome te këto kompani është emri i rrejshëm në të cilin evidentohen kompania dhe pronarët themelues dhe menaxhues të vërtetë të të cilit dihet se kush janë. Këto kompani, biznese, ndërmarrje, e kanë fjalën kryesore edhe të asociacionet e bizneseve ku janë anëtare”, theksoi ai. Nokaj tha se këto kompani kanë ndikime dhe lobime edhe në bërjen e ligjeve, sepse agjitojnë për interesat e tyre. “Deklarativisht janë ‘pro’ ligjeve dhe në të vërtetë punojnë vetëm për interesin e tyre, e kanë gojën përplot ‘prodhim vendor’ e në të vërtetë janë promotorë të sabotimit të ekonomisë vendore, të prodhimit vendor, të dampingut, të monopolist”, vijoi më tutje Nokaj.

Jofunksionaliteti i institucioneve shtetërore

Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi në disa kolegje, Nehat Magjuni, tha se që nga paslufta shumica e parasë publike është e koncentruar vetëm te një varg firmash fantome, që janë krijuar vetëm për të rrëmbyer paranë publike. Ai është shprehur se pjesa më e madhe apo shumica e kompanive serioze dhe OJQ-të që nuk janë të lidhura me pushtetin dhe nuk u shërbejnë këtyre pushtetarëve të dekadës së fundit dhe atyre aktualë që janë në pushtet nuk mund të marrin projekte e as tenderë.

Ndërsa eksperti i fushës së financave, i shkolluar në Angli, Xhevat Meha, sqaroi se dukuria e firmave fantome është prezent në vendet me shkallë të lartë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. “Firmat fantome nuk mund të operojnë në vendet me shkallë të lartë të zbatimit të ligjit. Kompanitë e tilla kryejnë funksione të ndërmjetme, që kanë të bëjnë me transferimin e parave publike te zyrtarët që janë të korruptuar ose janë pjesë e krimit të organizuar”, shprehet ai.

Meha tha se në vendet ku institucionet shtetërore e kryejnë punën e vet sipas ligjit transaksionet e këtyre kompanive i identifikojnë se janë fiktive dhe bëjnë ndjekjen penale. “Niveli i funksionimit të këtyre kompanive është dëshmi e shkallës së jofunksionalitetit të institucioneve shtetërore”, ka thënë ai.”OJQ-të regjistrohen në bazë të ligjit si organizata joqeveritare, por në momentin kur marrin fonde nga Qeveria krijohen lidhje me Qeverinë dhe në këtë mënyrë pushojnë të jenë joqeveritare dhe edhe shkelin ligjin, në bazë të të cilit janë krijuar”, ka vlerësuar Meha./kosova sot/