Sundimtarët e ligjit gremisin ekonominë
Njohës të ekonomisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetë të opozitës, janë të mendimit se pengesa kryesore në fushën e zhvillimit të ekonomisë është mungesa e theksuar e sundimit të ligjit. Ata thonë se ekonomia e Kosovës është uzurpuar nga monopolet e shumta dhe nga klanet dhe oligarkët, kurse mungesa e dorës së fortë të ligjit nuk po e lë të marrë frymë ekonominë e lirë të vendit .
Oligarkët i kanë bllokuar tregun e lirë dhe konkurrencën e ndershme,shkruan gazeta Kosova Sot.
Njohës të ekonomisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetë të opozitës, janë të mendimit se pengesa kryesore në fushën e zhvillimit të ekonomisë është mungesa e theksuar e sundimit të ligjit. Ata thonë se ekonomia e Kosovës është uzurpuar nga monopolet e shumta dhe nga klanet dhe oligarkët, kurse mungesa e dorës së fortë të ligjit nuk po e lë të marrë frymë ekonominë e lirë të vendit.
Sipas tyre, që të arrihet kjo nevojitet urgjentisht që Prokuroria e Shtetit dhe gjykatat tona të vihen në lëvizje, e jo që t’i amnistojnë monopolet në biznes, ku këto kompani trashin xhepat e tyre në kurriz të qytetarëve.
Sipas njohësve të kësaj fushe, e tëra kjo që po ndodh në Kosovën e pasluftës po bëhet në saje të lidhjeve të mafio-bizneseve me pushtetarët tanë pa u frikësuar asnjë fije nga drejtësia e kapur, e cila po bën sehir kur po shkelet konkurrenca e lirë, siç bëjnë edhe institucionet që janë krijuar për të luftuar monopolet në interes të konkurrencës së lirë. Sipas këtyre analistëve, nuk duhet që të çuditemi se me këtë garniturë pushtetarësh do të mungojnë investimet e huaja.
Pushteti fuqizoi disa kompani
Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Arton Demhasaj, nga OJQ-ja “Çohu”, tha nuk është veç monopoli në ekonomi pengesë për investime, por në shumë fusha fajtorë,sipas tij, janë edhe vonesat burokratike që po bëhen nëpër institucionet tona të administratës dhe të gjykatave. “Askush nga investitorët e huaj potencialë nuk ka kohë që të presë me vite të tëra që të nxirret një vendim nga një instancë e një gjykatë apo ndonjë vendim i një institucioni, nga cilido qoftë nivel burokratik i një administrate, sikurse është tek ne”, u shpreh ai.”Veç indikatorëve të mësipërm, një nga më të rëndësishmit mbeten edhe monopolet e shumta në ekonominë e brishtë të Kosovës, sepse ka disa vjet ku disa nga kompanitë vendore kanë krijuar kapitalin e tyre prej miliona eurove, që i kanë bërë nga tenderët shumëmilionësh të Qeverisë sonë dhe ndaj të njëjtave kompani është shumë e vështirë që atyre t’u bësh konkurrencë në ato fusha, por në të njëjtën kohë është shumë vështirë edhe që të marrësh masa ndaj këtyre kompanive”, ka potencuar Demhasaj.
Padrejtësitë dhe abuzimi me procedurat
Bankieri Milazim Abazi tha se mungesa e sundimit të ligjit është pengesa kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe e mungesës së investimeve qoftë të vendit, qoftë të huaja.”Në çdo vend mund të ndodhin padrejtësi apo shkelje të rregullave dhe të procedurave. Mirëpo, një gjyqësi e drejtë dhe e pandikuar nga politika e kthen të drejtën tek i zoti dhe vazhdohet të punohet dhe të ekonomizohet”, theksoi ai. Sipas Abazit, te ne edhe gjykatat janë të kapura nga të fortët e politikës dhe shpeshherë edhe nga vetë Prokuroria, kështu që nëse të shkelet një e drejtë, kurrë nuk mund të besosh se gjykata do ta kthejë të drejtën e shkelur. “Së këndejmi, nëse mungon sundimi i ligjit, asgjë tjetër nuk ka vlerë e as kuptim”, u shpreh ai.
Ndërsa eksperti i ekonomisë në fushën e integrimeve evropiane, Ardian Nokaj vlerëson që sundimi i ligjit dhe çështja e konkurrencës, përkatësisht një treg i lirë dhe pa monopole janë kushtet esenciale për zhvillimin e kapitalizmit dhe ekonomisë së një vendi. “Nëse duam një ekonomi kapitaliste dhe liberale, me vlera të njëmendta ekonomike, sociale, atëherë duhet të krijojmë një ekonomi me një bazë të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave nga e cila rrjedh edhe formimi i çmimit në treg”, është shprehur Nokaj.
Ai potencoi se pas mungesës së sundimit të ligjit, monopolet janë kundërshtari më i keq i tregut të lirë. “Koha po dëshmon se vetëm me një konkurrencë të sinqertë e të barabartë mund të kemi një privatizim të suksesshëm, pastaj investime publiko- private me partnerët e huaj”, vijoi më tej Nokaj.
Klanet biznesore dëmtojnë ekonominë
Analisti Dardan Grapci tha se për t’u stabilizuar dhe për t’u rregulluar zhvillimi ekonomik duhet që së pari të forcohet sundimi i ligjit, duhet që gjykatat në punën e tyre të jenë të pavarur nga politika e po ashtu edhe Policia e Kosovës. “Avokatët, që janë të licencuar, duhet që të jenë bashkëpunëtorë për parandalimin e korrupsionit. Ndaj, kur të rregullohet gjithë ky problem, jam i bindur që këta oligarkë që deri më sot e kanë trashur xhepin e tyre me paratë e qytetarëve do të arrestohen e më pas do të dënohen sipas ligjit”, theksoi ai. “Vetëm atëherë kur në vendin tonë do të kemi sundim të ligjit 100 për qind, kam shpresën se investitorët e huaj do të ndjehen më të sigurt për të investuar, prandaj Kosova dhe qytetarët kanë nevojë për investitorë. Derisa klanet biznesore që po punojnë ilegalisht në dëm të ekonomisë edhe ashtu të brishtë të vendit tonë nuk arrestohen, atëherë për fat të keq, investitorët do t’i kemi jashtë vendit, vendi ynë dhe qytetarët edhe më do të vuajnë nga papunësia dhe ekonomia e dobët që kemi”, ka vijuar më tej Grapci./kosova sot/


