Hidromorava

Tahiri si Bahtiri

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Nga Lavdim Hamidi – Kur Edita Tahiri dhe Agim Bahtiri japin ultimatume për heqjen e barrikadës mbi urën e lumit “Ibër” thua se bagerët e konzorciumit “Bechtel & Enka” janë nisur rrugës për në Mitrovicë.

Këto dy personalitete publike joserioze sa herë që flasin seriozisht për heqjen e barrikadës e pritur është vendosja e një barrikade të re në atë pjesë që e ndanë qytetin, e jo se do ta heqin ekzistuesen.

Kjo në fakt ndodhi javë më parë kur pasi u hoq barrikada që ndante qytetin për vite të tëra, Bahtiri i Mitrovicës bëri yrysh t’i marrë meritat për heqjen e saj, ndonëse ishin autoritetet në Beograd që e dhanë aprovimin, pas presioneve të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Nuk ishte vetëm Bahtiri që kërkonte epitetin e heroit për heqjen e barrikadës, por një epitet të tillë për marketing politik nxituan ta marrin edhe shumë politikanë të tjerë vendorë, madje edhe disa biznesmenë.

E nxitimi për t’i marrë meritat e rreme i kushtoi Mitrovicës dhe Kosovës me rikthimin e të ashtuquajturit “Parku i Paqes”.

Bahtiri, po ashtu, u tregua batakçi, si një fëmijë i rrugicave të pluhurosura të qytetit, kur i kërcënoi serbët e veriut: Hiqeni barrikadën se do ta shihni nesër! E të nesërmen kur filluan protestat e dhunshme, ai i ndryshoi deklaratat, tashmë duke i kërcënuar protestuesit, të cilët i nxiste një ditë më parë.

Eco Higjiena

Nga një politikan sharlatan, normalisht se janë të pritshme fraza sharlatanësh, njëjtë si ato që i bëri në zgjedhjet e fundit lokale, kur premtoi se do ta hapte fabrikën e kërpudhave dhe se do të punësonte 15 mijë njerëz. E aq vende pune sa ka premtuar Bahtiri në Mitrovicë, nuk janë hapur në nivel të Kosovës në katër vjetët e fundit!

Historia e Bahtirit iu përsërit zëvendëskryeministres në largim, Edita Tahiri, e cila sapo deklaroi se ka marrë garancione nga Brukseli për heqjen e barrikadave në Veri, serbët e asaj pjese filluan ndërtimin e sheshit “Car Llazar” në afërsi të urës kryesore të Ibrit, pranë të ashtuquajturit “Parku i Paqes”.

Ajo normalisht se për ndërtimin e këtij sheshi u deshtë ta akuzojë zyrtarin e Qeverisë serbe, Marko Gjuriq, se është duke shkelur marrëveshjen e Brukselit, parimet evropiane për fqinjësi të mirë, pasi që ai po qëndron pranë punëtorëve serbë, derisa po ndërtohet sheshi i ri.

E Gjuriq i dërgoi menjëherë “selam” Editës, duke e paralajmëruar se askush e në veçanti Edita Tahiri, nuk mund ta shkatërrojë “Parkun e Paqes” e madje as që mund të bëj çka do tjetër në veri të Mitrovicës. Sipas tij, Parku është ndërtuar për të mbetur e jo për t’u larguar, siç po premton Edita Tahiri.

Me drejtues të tillë institucionesh është edhe e pritshme që një politikan i shtetit fqinj, siç është rasti me Gjuriqin, të dëshmohet si autoritet në një pjesë të shtetit tjetër, shtetit tonë të Kosovës.

E autoriteti i institucioneve kosovare, në krye të së cilave është Edita Tahiri, në atë pjesë të vendit po shkrihet vazhdimisht si flluskat e borës.