ARKATANA

Bëjeni më atë qeveri!

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Ibrahim Rexhepi – Përplasjet rreth të drejtës për themelimin e qeverisë po dëshmojnë për brishtësinë e krejt sistemit, jostabilitetin dhe paqëndrueshmërinë e institucioneve dhe vënien e interesave personale – karrieriste të “liderëve” përballë përgjegjësisë që kanë marrë për zhvillimin e stabilitet.

Po të kishte mundësi,zgjidhja më e mirë do të ishte që karrigen e kryeministrit ta ndajnë Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa. Nëse për asgjë, kur bëjmë bashkë programet e partive të tyre, atëherë vendi për katër vjet të kësaj qeverisje do të kishte 520 mijë të punësuar më shumë. Pra, do të kishim nevojë që të kërkojmë punëtorë nga rajoni, apo edhe nga BE-ja, ku papunësia ka arritur në numrin dyshifror!

Ky është vetëm një iluzion. Një e pamundur tepër e madhe. Së pari nga aspekti legjislative, e së dyti edhe nga këndvështrimi individual i pretendentëve për këtë post, meqenëse ata nuk duan bashkëpunim, duket se kanë një urrejtje patologjike ndaj njëri tjetrit dhe të tërën e duan vetëm për vete – madje as të mirën e përgjithshme nuk e kanë për hatër që ta ndajnë me elektoratin – qytetarët e Kosovës. Në këtë pikë nuk ka ndonjë përparësi as koalicioni parazgjedhor, meqenëse partitë që janë pjesë e tij nuk i bashkon programi, apo qasja e përbashkët për avancimin proceseve në vend, por motoja “të gjithë kundër Hashimit”.

Ndonëse ende ka kohë për të parë të vërtetën cullak, meqenëse ende nuk është bërë as certifikimi i zgjedhjeve,e tek më vonë duhet parë si do të zhvillohet loja në Parlament, por fushata parazgjedhore ka dëshmuar se sa larg njëri tjetrit qëndrojnë ata që rrahin gjoks se mund ta drejtojnë shtetin. Nuk patën vullnet as të ulen afër njëri tjetrit së paku për një debat publik. Tash edhe më e rëndë është situata pas-zgjedhore, meqenëse, përplasjet rreth të drejtës për themelimin e qeverisë po dëshmojnë brishtësinë e krejt sistemit, jostabilitetin dhe paqëndrueshmërinë e institucioneve dhe vënien e interesave personale – karrieriste të liderëve përballë përgjegjësisë që kanë marrë për zhvillimin e stabilitet.

Krejt kjo situatë ka reperkusione të rëndë në rrafshin ekonomik dhe social. Madje, shumë më keq se në vitin 2010, kur matematika e zgjedhjeve doli nga votat e vjedhura, por shumë shpejt u arrit marrëveshje politike për krijimin institucioneve të pushtetit. Aktualisht gjithçka është në pritje të zbërthimit jo vetëm të formulës që doli nga zgjedhjet, të cilat i pranuan të gjithë pjesëmarrësit në garë, por edhe të aktit më të lartë juridik të vendit – Kushtetutës. Kjo ka krijuar amulli dhe konfuzion, pos në kokat e “liderëve”, ku secili po e gjen të drejtën e vet brenda këtij dokumenti. Ndërkaq, e drejta është vetëm një.

Fundamenti

“Liderët”e verbuar nga dëshira për t’u ulur në karrigen e kryeministrit, nuk po e vërejnë situatën e rëndë në të cilën është vendi, madje edhe me tendenca që të rrëshqet edhe më tutje kah më e keqja. Sinjalet e alarmit vijnë nga të gjitha anët: eksporti ka rënë 12 për qind, importi është rritur 7 për qind, deficiti tregtar në maj ishte 13 për qind më i lartë se në prill dhe dhjetë për qind më i lartë se para një viti, pastaj, krahasuar me vjet, në maj të hyrat në buxhet ishin 21 milionë euro më të vogla, ndërsa shpenzimet u rritën për 17 milionë euro. Kjo gjendje duket edhe më qartë kur kemi parasysh faktin se të hyrat nga tatimi mbi korporatat janë dhjetë për qind më të ulëta, që tregon gjendjen në të cilën janë bizneset; ndodhi shtrenjtimi i pritur i energjisë elektrike dhe kërcënimet me greva e protesta; u nënshkrua kontrata për autostradën e re , menjëherë e kontestuar, sado që financimi i saj për sivjet është miratuara në Kuvendin e Kosovës; në pritje është tenderi për termocentralin e ri; dhe, u shty riorganizimi i “Trepçës”, për shkak se mbeti në gjysmë puna rreth transformimit të saj në ndërmarrje publike.

Nuk mund të thuhet se krejt këto ndodhë shkaku i zgjedhjeve, por për shkak se vendi është pa qeverisje, si edhe në situatën kur gjërat kanë një rrjedhë stihike. Posaçërisht pse kryeministri në ikje, por edhe shumë ministra gati që nga fillimi i këtij viti më shumë kanë qenë të preokupuar me zgjedhjet, se sa me punët operative që kanë.

Krejt këto kanë një mesazh shumë të keq. Investitorët e jashtëm po e vërejnë qartë se me çfarë partnerësh do të kenë punë nëse kanë pasur qëllim që të vijnë në Kosovë. Ndërkaq, zgjedhësit – qytetarët e Kosovës, tanimë duhet ta kenë të qartë se të zgjedhurit tyre më shumë janë të preokupuar për poste e përfitime materiale, se sa për të ardhmen e vendit.

Së fundit, edhe ky është leksion- të mbushemi mend dhe të mos lidhemi shumë me emra “liderësh” e të “partive”, por me ata që na garantojnë prosperitet dhe shtet të qëndrueshëm.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)