Diskurs me kurva e zagarë
Nga Imer Mushkolaj – Ata që fyejnë të tjerët nga karriget e parlamentit e të qeverisë, duke i quajtur zagarë e idiotë, ose duke ua quajtur gratë kurva e prostituta nuk e bëjnë këtë për ndonjë arsye tjetër, por veç nga droja se po i humbin privilegjet, nga frika se pushteti po u rrëshqet nën këmbë ose nga ankthi se një ditë nga ta do të kërkohet llogari e përgjegjësi.
Sali Berisha vazhdon t’i shajë e fyejë kundërshtarët politikë në Kuvendin e Shqipërisë, pa u mërzitur se çfarë mesazhesh përçon në publik me diskursin e tij që shumë më shumë se një politikani, i shkon ndonjë rrugaçi ordiner. Të enjten, nga foltorja parlamentare ai nuk hezitoi ta quajë kurvë e prostitutë gruan e ministrit Erion Veliaj. Asgjë e re nga Berisha, i cili pas humbjes spektakolare në zgjedhjet e vitit të kaluar më shumë në Kuvend po e luan rolin e një aktori komik që i argëton kolegët në momente monotonie, sesa që është i dobishëm si deputet.
Dhe, prej gojës vazhdon të nxjerr sharje e fyerje – nga dëshpërimi se më nuk mund t’i shijojë të mirat që ia solli pushteti për tetë vjet atij e familjarëve të tij. Më nuk i ka privilegjet që ia solli pushteti dhe as fuqinë të bëjë çfarë të dojë. Prej gojës vazhdon të nxjerr vrer – nga frika se do t’i duhet të jep përgjegjësi për të gjitha bëmat e tij.
Të enjten, ai po ia qante hallin Lazaratit dhe ndërhyrjes policore atje. Po përpiqej të kundërshtonte shtetin ligjor që zgjodhi të thyejë kalanë e drogës, që ishte turpi i shqiptarëve dhe Shqipërisë. Për tetë vjet me radhë ai jo që nuk ndërhyri në Lazarat, por u dorëzua para një realiteti të frikshëm që e mbante peng një shtet.
Të enjten, ai gjithë situatën po e përjetonte rëndë, teksa mediat po shkruanin se në telefonat e të arrestuarve në Lazarat ishin gjetur mesazhe të tij dhe se për vite me radhë ai i kishte garantuar mbrojtje shtetërore kartelit të drogës atje.
Të enjten, ai po shfaqte edhe njëherë gjithë egërsinë dhe matufllëkun e tij, në përpjekje për të fëlliqur të gjithë ata që iu kanë kthyer në ankth sa herë i sheh e i dëgjon. Sepse, kur nuk ke argumente, kapesh për të tjera gjëra. Në raste të tilla, Berisha e argumentet zor se kanë gjë të përbashkët.
* * *
Me fjalor të ngjashëm me atë të Sali Berishës, dy ditë para zgjedhjeve më sulmoi një veteran i UÇK’së dhe eksponent i PDK’së, që (ende) drejton Zyrën për Çështje të Veteranëve të Luftës të UÇK’së në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Ai në Facebook po e shfrynte mllefin duke më quajtur zagar, legen e idiot. Në këtë mënyrë, ai po reagonte ndaj shkrimit tim “Dita e Çlirimit”, në të cilin jepja argumentet e mia pse nuk duhej votuar ata që keqpërdorën luftën për interesa personale, ata që uzurpuan prona të huaja, ata që keqqeverisën për vite më radhë.
Ai po më akuzonte se isha pjesë e një fushate kundër luftës dhe udhëheqësve të saj, se po e sulmoja “luftën e sakrificën” dhe se nuk po zgjedhja mënyrë për të linçuar “luftën dhe njerëzit e luftës”. Ai po thoshte se mua dhe disa “zagarëve të fëlliqur” na pengonin komandantët“, sepse e dashkemi “UDBen” tonë.
Ai po bënte me gisht kah unë dhe po më fyente vetëm pse pse kisha guximin të shprehesha kundër atyre që, në emër të lirisë, i kanë sjellë të këqija këtij vendi. Dhe, më shumë se për arsye parimore, këtë po e bënte nga droja se mos humb të mirat dhe privilegjet që ia ofronte posti që mbante. Ai nuk po kursente fjalë e shprehje për të më sulmuar vetëm për shkakun se, thjesht, shprehja mendimin se Hashim Thaçi me të tijët më nuk duhej të qeveriste.
Ai po më shante pse thoja se më 8 qershor qytetarët duhet të votojnë për çlirimin e shtetit nga kapja mafioze-politike, nga ata që e kanë shndërruar shtetin në pronë private.
* * *
Qoftë nga foltorja e parlamentit, qoftë nga ndonjë kolltuk qeverie, njerëz që mendojnë me kokën e tyre do të vazhdojnë të shahen, të fyhen e të linçohen. Me diskurs jotolerant e mosdurues, do të ketë të atillë që provojnë t’i heshtin të gjithë ata që mendojnë ndryshe, ata që nuk pranojnë të bëhen pjesë e sistemit.
Ata do të vazhdojnë t’i identifikojnë të tjerët si qen, kurva, zagarë, prostituta e idiotë, ndërkohë që mbajnë poste me përgjegjësi publike dhe paguhen nga paratë tona. Dhe, këtë e bëjnë me vetëdije të plotë dhe me qëllim që t’i ruajnë privilegjet që ua ofron karriga. Natyrisht, duke u shitur edhe si nacionalistë e të brengosur për shoqërinë e shtetin. Krejt tjetër është kauza e tyre. Krejt arsye tjera kanë për shqetësimet e tyre, për brengat e tyre.


