Thaçi: Qershori muaji historik i popullit shqiptarë
Drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, i kanë ftuar qytetarët e Therandës që të mobilizohen që me 8 qershor të dalin në zgjedhje dhe ta votojnë PDK’në dhe Misionin e Ri, i cili ka për qëllim zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
Kryetari i PDK’së Hashim Thaçi ka ftuar qytetarët e Therandës që të mobilizohen në çdo fshat, qytet si asnjë herë me parë dhe të dalin në votime për të votuar numrin 58 dhe partnerët e koalicionit për një fitore të thellë të PDK’së.
“Ne me sukses mbyllem dy misione të rëndësishme. Misionin e lirisë dhe pavarësisë. Tani e kemi vendin e konsoliduar dhe forcuar, e kemi integruar Kosovën në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare, kemi fituar shumë njohje ndërkombëtare, kemi forcuar raportet tona të përjetshme me SHBA’të, duke punuar fuqishëm për integrim në NATO dhe BE, tash kemi vënë themelet e shtetit tonë, dhe ne lidershipi i PDK-së e prezantojmë misionin e ri, si një objektivë madhore e zhvillimit ekonomik, e krijimit të 200 mijë vendeve të reja të punës gjatë mandatit të ardhshëm 4 vjeçar”, tha Thaçi para qytetarëve të Therandës.
Thaçi ka ripërsëritur se do të krijojnë edhe fondin prej 1.5 miliard eurove, nga ato 500 milion vetëm në bujqësi ku do të krijohen 50 mijë vende të reja të punës.
Po ashtu, kreu i PDK-së u ka premtuar atyre se të gjitha kategorive që i kanë rritur rrogat deri me tani, do të kenë përsëri edhe në mandatin e ardhshëm katër vjeçar.
Ndërsa, Ministri në largim i punëve të Jashtme Enver Hoxhaj ka ftuar bashkëqytetarët e tij që të bashkohen me Misionin e Ri, për të rrugëtuar drejt fitores së PDK-së me 8 qershor.
“Ju e dini që në 8 qershor mbahen zgjedhjet por qershori është muaji më i rëndësishëm në historinë e shqiptarëve. Qershori është qershori i idealeve të lidhjes së Prizrenit, kur Ther anda ka qenë djep i idealeve të lidhjes së Prizrenit. Qershori është po ashtu muaji i çlirimit dhe lirisë së Kosovës ku djemtë e Therandës e kanë dhënë maksimumin për lirinë e Kosovës. Më 8 qershor kur të mbahen zgjedhjet ne kemi mundësi po ashtu të tregojmë se sa rrugë të gjatë kemi bërë, se sa shumë gjak, se sa shumë lot dhe se sa shumë djersë kemi derdhë që të vijmë deri tek liria, pavarësia e Kosovës”, tha Hoxhaj.


