Uji Dea

Demaçi, Thaçi, Vllasi e Mustafa

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Nga Arton Musliu – Mënyra më e mirë për vlerësimin e njerëzve, figurave publike e politike, proceseve e dukurive të ndryshme është krahasimi i tyre. Komparacioni sfidon pareshtur vlerat e njëri tjetrit. Pasi dikush mund të vlerësohet vetëm duke u krahasuar me dikë tjetër. E duke i krahasuar njerëzit ne mund të vijmë deri tek një konkludim objektiv për secilin.

Në aspektin politik, ndër të tjera figurat politike krahasohen në atë se çka kanë bërë për vendin e tyre përgjatë karrierës së tyre politike dhe veprimtarisë së tyre kombëtare, nëse kanë. Për shembull, Adem Demaçi krahasuar me Azem Vllasin është shumë larg në kuptimin e kontributit për çështjen kombëtare. Derisa i pari ka kaluar gjysmën e jetës së tij në burgjet e Serbisë, i dyti gati gjysmën e jetës së tij e ka kaluar në aparatet shtetërore jugosllave të cilat e kanë shtypur në mënyrë permanente vullnetin e popullit shqiptar të Kosovës për pavarësi.

Në këtë kontekst edhe situata aktuale politike nuk dallon shumë. Pasi, sipas mendimit tim, përveç përgatitjes profesionale, guximit qytetarë e legjitimitetit popullorë, është edhe diçka shumë e rëndësishme pa të cilën nuk bën hiç. E ky është kontributi i secilit në shërbim të atdheut, përgjatë periudhave të ndryshme të historisë së re të Republikës së Kosovës. Duke qenë se jemi në prag të fushatës zgjedhore nuk mund të përmbahem pa i thënë pak fjalë për këtë fushatë. Pasi fati ynë për 4 vitet e ardhshme varet nga fakti se kush do të qeverisë me vendin.

Meqenëse dy pretendentët kryesorë për kryeministër të vendit janë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, atëherë komparacioni i këtyre dy pretendentëve është i pashmangshëm. Njëkohësisht edhe i domosdoshëm dhe i dobishëm për sajimin e një vlerësimi objektiv mbi bazën e fakteve dhe argumenteve. Madje mendoj se i jep sharm kësaj parafushate zgjedhore. E di se shumëkush mund të mos pajtohet por për mendimin tim, duke iu referuar krahasimit të mësipërm, në aspektin e kontributit për çështjen kombëtare, Hashim Thaçi është Adem Demaç, e Isa Mustafa është Azem Vllas.

FIDANISHTJA

Dhe, kjo për arsye të cilat i gjithë opinioni kosovarë i din. Duke mos dashur të lëshohem shumë në të kaluarën, dihet botërisht se Isa Mustafa, dhe partia që ai përfaqëson, jo vetëm që nuk ka qenë pro luftës çlirimtare por ka qenë kundër saj. Një njeri i cili në periudhën e ekzistimit të Jugosllavisë ka qenë një nga funksionarët e lartë kosovarë në funksion të dëmtimit të pozitës kushtetuese të Kosovës atëherë, nuk mund dhe nuk duhet të qeverisë me vendin. Për më tepër ky njeri nuk ka guximin qytetarë dhe përkushtimin politik për zhvillimin e agjendës politike të Kosovës.

Këtë agjendë nuk mund dhe nuk duhet ta udhëheqë Isa Mustafa.
Lufta çlirimtare e UÇK-së, intervenimi i NATO-s në Kosovë, shpallja e pavarësisë së Kosovës, përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, tani misioni i ri për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës janë fakte të pamohueshme se PDK ka punuar dhe është në rrugë të duhur për ta përmbyllur me sukses edhe misionin e ri.

Prandaj duke i krahasuar Hashim Thaçin me Isa Mustafën e kemi lehtë të zgjedhim. Me të parin drejt forcimit të shtetit ligjorë, zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës, dhe mbi të gjitha drejt mbrojtjes së pakompromis të vlerave sublime të luftës çlirimtare. Me të dytin drejt regresit, tensionimit të situatës politike e humbjes së shpresës për popullin e Kosovës.

Fundja, edhe anëtarë të LDK-së e pranojnë se Isa Mustafa nuk është lider i cili i përmbush prekonditat politike për të qenë kryeministër.