Interesante: Gjyqi i kosovarit që solli para drejtësisë mjekun vrasës e pedofil
Lexoni historinë e krimit monstruoz të mjekut gjerman pedofil, që kishte dhunuar dhe vrarë një 14 vjeçare, dhe historinë e Anton Krasniqit, shqiptarit nga Kosova që organizoi rrëmbimin e mjekut të arratisur dhe nxjerrjen e tij para drejtësisë.
Dy ditë me radhë, nga mëngjesi deri në mbrëmje, para gjykatës në Mulhouse të Francës, zgjati procesi gjyqësor lidhur me rastin Bamberskit të vitit 1982, që ka të bëjë me mjekun gjerman, pedofil e vrasës, Dr. Dieter Krombach, i cili kishte paralizuar 14 vjeçaren franceze Kalinka Bamberski, duke e dhunuar sistematikisht. Më pas ai e vrau atë me injeksion vrasës.
Por, Anton Krasniqi, kosovari që kishte dëgjuar për rastin tmerrues, në vitin 2009 arrin të rrëmbej mjekun monstër, të cilin nuk po e ekstradonin autoritetet gjermane në Francë, duke e mbrojtur dhe konsideruar të pafajshëm *gjykata franceze në Muhhouse e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me 15 vjet burg)
Mjeku Krombach, një kardiolog nga Gjermania, ishte dashuruar nga fillimi i viteve të ‘80-ta në një grua franceze, e cila ishte e martuar dhe kishte dy fëmijë. Pas një historie të shkurtër, Krombach përfiton zemrën e nënës franceze, e cila vendos divorcin, duke marrë me vete dy fëmijët dhe duke shkuar për të bashkëjetuar me mjekun gjerman.
Por, kush do kishte menduar atëkohë se mjeku gjerman ishte pedofil. Së fundi, truri i tij kishte bërë një kalkulim të gjymtë që tejkalon të gjitha paramendimet e një njeriu. Me injeksion (kobalt ferricit) paralizoi trupin e Kalinka Bamberskit, vajzës 14 vjeçare të gruas së tij, të cilën ai e kishte adoptuar thuajse ishte babai i vërtetë. Përderisa trupi i Kalinkës ishte i paralizuar, mjeku fillon të shfrytëzojë seksualisht.
Bamberski dhe Krasniqi
Këto akte monstruoze, një natë të gushtit të vitit 1982 përfundojnë fatalisht. Kalinka, nga dhimbjet trupore të dhunimit seksual, arrin të kundërshtojë injeksionin dhe nis të reagojë duke tentuar të shpëtojë nga duart e tij. Rezistenca ishte e kot dhe e kobshme, pasi mjeku monstruoz zgjati dorën dhe merr një injeksion tjetër me një dozë të lartë, dozë kjo e cila jo vetëm që do ta paralizonte trupin e një vogëlushe, por do ta mbyste çdo qenie të gjallë.
Zemra e saj pushon së rrahuri nga ora 22:30. Mjeku gjerman vazhdon më tutje të shfryjë epshet e tija seksuale në trupin e sajë të vdekur deri kah ora 23:10.
Pas dhunimit, ai e mbuloi trupin dhe e la ashtu të vdekur në dhomën e fjetjes. Të nesërmen, nga ora 10:15, mjeku shkoi prapë në dhomën e saj dhe preku me dorën e tij trupin e ftohur dhe të vdekur. Ai informoi emergjencën, e cila arriti shumë shpejtë, por shumë vonë për Kalinkën.
Trupi i saj u dërgua në murgun e qytetit Memingen të Gjermanisë për obduksion, ku gjatë obduksionit, si mjek kryesor ishte edhe dhunuesi i saj, i cili arriti që me brisk të ndajë pjesët gjenitale dhe t’i hedh ato në mikserin e Klinikës së Patologjisë. Në testin patologjik të lëshuar nga Spitali në Memingen, shënohet se nuk dihen arsyeja e vdekjes.
Pasi Kalinka ishte një shtetase franceze, i ati i saj, Andre Bamberski, kërkoi nga organet shtetërore gjermane që trupi i saj të varroset në Francë dhe jo në Gjermani, gjë që edhe u pranua.
I ati dëshironte të dinte se si është e mundur që një vajzë në këtë moshë të vdes papritmas!? Ai mori që të gjitha dokumentacionet e lëshuara nga patologjia dhe i dërgoi tek një profesor gjerman, i cili jetonte dhe punonte në Francë, për t’i përkthyer ato. Duke analizuar këto dokumentacione dhe testin patologjik, zbulohet se organet e gjenitale janë lënduar e nga to rrjedh një lëng i bardhë i cili nuk është analizuar.
I ati vendosi që ta nxjerr nga varri trupin e Kalinkës pas gjashtë javësh, për të dërguar atë edhe njëherë në patologjinë franceze. Patologët francezë konstatuan se organet gjenitale mungonin, ndërsa analiza e gjakut dhe e trupit konstatuan se kjo vajzë së pari është anesteziuar me një dozë të 100-fishtë.
Mjeku përbindësh dhe viktima e tij
Bamberski arriti të ngre akuzë para organeve franceze ndaj Dieter Krombach, por organet gjermane nuk reaguan ndaj kësaj akuze. Gjykata franceze, në vitin 1996 i dha 15 vite burg në mungesë mjekut gjerman, por organet gjermane refuzuan të ekstradojnë atë në Francë. Që nga viti 1996 e deri në vitin 2009, i ati i Kalinkës, Andre Bamberski, kishte provuar çdo gjë për të sjellë mjekun gjerman para gjykatës franceze, duke provuar katër herë rrëmbimin e tij, por çdo tentim kishte dështuar.
Në vitin 2009, Anton Krasniqi, një kosovar i cili jetonte në Austri, kishte njohur të atin e dëshpëruar Bamberski, që synonte dërgimin e mjekut monstër para gjykatës franceze. Antoni e njohu Bamberskin përmes një gazetareje austriake, e cila kishte shkruar dhjetëra artikuj mbi këtë rast.
Gjatë këtij takimi, Krasniqi shprehu gatishmërinë që të kidnapojë mjekun nga Gjermania dhe ta sjell atë para organeve franceze. Kështu, në nëntorin e vitit 2009, së bashku me dy persona të tjerë (një rus dhe një gjeorgjian), arritën ta kidnapojnë dhe të lidhur të lënë atë para gjykatës franceze në Mulhouse.
Kosovari informoi policinë, të cilët vetëm pas dy minutave arritën në vendin e ngjarjes dhe arrestuan mjekun pedofil Dieter Krombach. Ky i fundit përfundoi në burg, i dënuar me 15 vjet.
Me datën 22 dhe 23 maj të këtij viti, nisi procesi gjyqësor me akuzë ndaj shtetasit nga Kosova, atij nga Gjeorgjia, gazetares austriake dhe babait të Kalinkës, pasi që u akuzuan për kidnapim me dhunë dhe lëndime trupore ndaj mjekut. Aktakuza ishte ngritur katër vite më parë.
Avokati mbrojtës i kosovarit arriti të bind Prokurorinë se “ligji është ligj i sjellë nga populli, por që morali është një gjë e cila qëndron mbi popullin dhe ligjin. E, vepra e kosovarit është një vepër e cila me siguri se thyen ligjin, por që mbron moralin jo vetëm të tij, por të tërë popullit”.
Anton Krasniqi ka shpjeguar për INA se para gjykatës ka dëshmuar se ka një kulturë shqiptare që është humane dhe se në vendlindjen e tij, një person i cili dhunon dhe vret një fëmijë, përbën një akt kriminel , që nuk meriton vetëm dënim me vdekje, por edhe dënim nga tërë populli”.
Gjykata në Mulhouse kërkon një vit burg me kusht për këtë grup që kidnapuan mjekun monstruoz. Vendimi nga Prokuroria do merret me datën 18 Qershor të këtij viti. /Telegrafi/
Fotografia: Babai Bamberski dhe kosovari Anton Krasniqi


