Fundamenti

Pse duhet të votohet Abdyl Bajrami

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Arton Musliu – Pjesëmarrës i demonstratave të vitit 81, i burgosur politik nga regjimi serb, aktivist i madh i shoqërisë, njëri nga themeluesit e Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së, veprimtarë i paepur i çështjes kombëtare shqiptare, human e bujar, me moral të lartë individual, konsistent në qëndrime e i durueshëm para sfidave, njeri i luftës dhe i paqes, krenar por modest. Këto janë elementët thelbësore me të cilat karakterizohet njëra nga figurat qendrore të Anamoravës Abdyl Bajrami.

Duke qenë se qyteti i Vitisë është duke vuajtur nga mungesa e përfaqësimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për shkak të natyrës së sistemit zgjedhorë dhe për shkak të kandidatëve të shumtë të cilët duan të jenë pjesë e tij, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit reflektojnë një mundësi ideale për përfaqësimin tonë aty. Dhe kjo përmes kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Abdyl Bajrami. Kjo për dy arsye kryesore.

E para, Partia Demokratike e Kosovës do ti fitoj këto zgjedhje dhe do të vazhdoj me implementimin e projekteve në drejtim të zhvillimit ekonomik, përmirësimit të standardit jetësor dhe infrastrukturorë.

E dyta, Abdyl Bajrami me ndikimin e madh në shoqëri që ka pashmangshëm do të përfaqësoj nevojat dhe interesat e qytetarëve të Anamoravës në përgjithësi dhe të qytetit të Vitisë në veçanti.

Veprimtaria e pastër dhe kontinuale në shërbim të atdheut, objektiviteti i tij në bashkëpunim ka bërë që Abdyl Bajrami të ketë respekt kudo në Kosovë. Prandaj ai përveç që do të votohet fuqishëm në Viti, në të njëjtën kohë do të votohet fuqishëm edhe në të gjitha qytetet e Anamoravës, por edhe në gjithë Kosovën. Partia Demokratike e Kosovës, dega në Viti, është shumë e konsoliduar për të arritur fitore në këto zgjedhje dhe për ta mbështetur kandidatin e saj për deputet, Abdyl Bajramin.

Uji Dea

Duke qenë se koncepti programor i Partisë Demokratike të Kosovës, tashmë edhe Misioni i Ri për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, kanë gjetur përkrahje të madhe tek qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe në Viti, atëherë mund të themi se fitorja është e pashmangshme dhe e sigurt.

Abdyl Bajrami, si një përfaqësues i denjë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe si një njeri me integritet të lartë njerëzor e intelektual, padyshim se do të jetë zëri i qytetarëve të Anamoravës dhe Vitisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Dhe për fund të këtij opinioni, numri 99 të cilin e ka Abdyl Bajrami në listën e PDK-së për deputet, na kujton vitin 1999 kur ai, bashkë me Selami Nezirin, si udhëheqës të UÇK-së, duke e udhëhequr luftën në mënyrë të mençur dhe të urtë, duke mundësuar korridorin për lëvizjen e luftëtarëve dhe bartjen e armatimit tek zonat tjera të UÇK-së, menaxhuan për mrekulli këtë luftë me shumë pak viktima në njerëz. Pasi atëbotë vendbanimet ishin të stërngarkuara me popullatë civile shqiptare.

Pra këto atribute, dhe të tjera, e bëjnë Abdyl Bajramin një figurë unike në Anamoravë. Prandaj fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës është imanente për të ardhmen e Republikës së Kosovës. Ndërsa fitorja e Abdyl Bajramit, si figurë eminente, bashkë me PDK-në, Anamoravës dhe Vitisë do ti sjellë padyshim përfitime të mëdha.