Beqiri: Për shkak të përvojës nga e kaluara, nuk duam koalicion me PDK’në
Një mazhorancë më të fuqishme dhe më stabile kërkon kryeministri Hashim Thaçi në mandatin e ardhshëm qeverisës, duke u shprehur i bindur se edhe pas zgjedhjeve nacionale që pritet të mbahen në qershor, ai do të jetë në krye të Qeverisë. Por, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së Ismet Beqiri e hedh poshtë mundësinë që partia e tij të bëjë koalicion me PDK’në.
Sipas tij për vendimet e rëndësishme gjatë mandatit të ardhshëm, i nevojitet një koalicion më stabil. E LDK-ja si partia më e madhe opozitare e përjashton mundësinë e përsëritjes së koalicionit të kaluar ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.
Ende nuk ka datë të caktuar, por kryeministri Hashim Thaçi ka dalë me propozimin që zgjedhjet të mbahen më 8 qershor, e me këtë është pajtuar edhe LDK-ja e Isa Mustafës. Thaçi në një intervistë për Radio Kosovën e ka përmendur këtë datë, duke shprehur bindjen në fitoren e PDK-së. Ai ka thënë se në mandatin e ardhshëm do të ketë më pak vendime politike e më shumë vendime për zhvillim ekonomik e punësim. Por për këto vendim, ai thotë se i duhet një mazhorancë më e fuqishme.
“Më duhet një mazhorancë më e fuqishme, një Parlament më stabil, për vendime edhe më të rëndësishme”, ka thënë Thaçi.
Bazuar në fuqinë aktuale të partive politike, një koalicion mes PDK-së dhe LDK-së do të krijonte një mazhorancë stabile, siç e kërkon kryeministri Thaçi. Por, zyrtarët e LDK-së e përjashtojnë një mundësi të tillë. Sekretari i përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri thotë se bazuar në përvojën e kaluar e koalicionit PDK-LDK, nuk ka arsye që të ketë sërish një koalicion të tillë.
“Ne nuk shohim asnjë arsye, asnjë dobi që të ketë bashkëqeverisje mes PDK-së dhe LDK-së. Përvojat edhe nga e kaluara nuk janë të mira dhe ne dëshirojmë ta ndryshojmë mënyrën e qeverisjes dhe nuk mendojmë që me PDK-në mund të ketë përmirësim të qeverisjes nga kjo që është aktualisht. Prandaj nuk jemi që të ketë koalicion mes LDK-së dhe PDK-së dhe një koalicioni të tillë e përjashtojmë nga opsioni”, tha Beqiri për Radio Kosovën.
Gjatë këtij mandati qeverisës, i cili është drejt fundit, koalicioni qeverisës ndërmjet PDK-së, Koalicionit për Kosovë të Re dhe pakicave, në shumë raste ka pasur problem me numrat në Kuvend. Përgjegjësia për mbledhjen e votave të deputetëve për çështjet e rëndësishme, kryesisht ishte mbi shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ai thotë se ka përvojë të hidhur.
“E kam një përvojë sinqerisht e them, bukur të hidhur gjatë këtij mandati që mazhoranca ka qenë ndoshta paksa e brishtë, edhe pse vendimet, të gjitha që kanë ardhur në Kuvendin e Kosovës kanë qenë pozitive dhe nuk ka munguar mbështetja”, tha Grabovci për Radio Kosovën.
Ndryshe, data 8 qershor përmendet si mundësi për mbajtjen e zgjedhjeve nacionale, e për të cilën janë pajtuar pothuajse të gjitha partitë përveç AKR-së së Behgjet Pacollit, e cila preferon që zgjedhjet të mbahen në shtator. Nga ana tjetër, edhe KQZ-ja shprehet skeptike se për një kohë kaq të shkurtër, do të mund t’i organizojë zgjedhjet nacionale.


