Politikanët grabitçarë ndezin “motorët” për marrje votash
Derisa kriza politike në vend po vazhdon, me premisa të mundësisë së përshkallëzimit, dy partitë politike në koalicion janë hedhur në aksion për ta takuar elektoratin. Ngjashëm është duke vepruar edhe opozita.
Burjani: Subjektet politike tinëzisht po punojnë për dy palë zgjedhje
Derisa kriza politike në vend po vazhdon, me premisa të mundësisë së përshkallëzimit, dy partitë politike në koalicion janë hedhur në aksion për ta takuar elektoratin. Ngjashëm është duke vepruar edhe opozita.
Analistët politik, duke parë një lëvizje të tillë dhe me plot deklarata të ashpra në mes të përfaqë- suesve të partive politike, edhe atyre në koalicionin qeverisës, nuk e përjashtojnë mundësinë që ky vit zgjedhor për zgjedhje të rregullta lokale të shfrytëzohet edhe për të përfunduar njëkohësisht zgjedhjet qendrore si të parakohshme, ndonëse një ngutje të tillë e vlerësojnë të panevojshme, të dëmshme për interesin qytetar, i cili nuk do të përfitojë asgjë nga mbetja në pushtet e së njëjtës klasë politike, pa ndryshime. Politoologu Arsim Haziri pohon se zgjedhjet nacionale në kohën që jemi çdo ditë e më shumë po shihet si rruga e vetme. “Këtë proces përpos opozitës, gjithnjë e më shumë po e dëshiron edhe pozita. Unë kam besim se vendi brenda këtij viti do të shkojë në zgjedhje lokale e qendrore. Kosova është vendi me paperspektivën më të madhe në Ballkan, madje edhe Evropë. Prandaj, konsideroj se vendi për të pësuar sadopak një ndryshim në qeverisje dhe procese i duhet t’i nënshtrohet një procesi zgjedhor”, është shprehur Haziri. Sipas tij, një verifikimi elektoral pothuajse është dukë i pëlqyer gjithë skenës politike.
“Priten konflikte akoma më të mëdha me Demarkacionin e Asociacionin”
Profesor Muhamet Kelmendi, mundësinë e shkuarjes në dy palë zgjedhje gjatë këtij viti, edhe në ato qendroret, e sheh në faktin se koalicioni qeveritar është ndërtuar që në fillim, në baza të interesave të ngushta dhe jo në bazë të parimeve, jo duke diskutuar dhe krijuar program qeverisës, por në bazë të lidhjeve personale midis Thaçit dhe Mustafes, lidhje që janë shkëputur pas zgjedhjes së Thaçit në pozitën e të parit të shtetit. “Koalicioni që nga fillimi nuk kishte dhe nuk ka parime. Ai nuk ka program qeverisës. Ka vetëm interesa të grupeve jo formale të interesit, që partitë e tyre dhe shtetin e kanë shndërruar në vegël për qeverisjen e tyre. Duke u mbështetur në këtë fakt, që nga fillimi kemi deklarata kontradiktore, veprime në prapashpinë të njeri -tjetrit dhe me interesa të kundërta midis grupeve e partive”, është shprehur Kelmendi. Sipas tij, këto fërkime dhe interesa kanë ardhur duke u thelluar. “Ka filluar kjo me vendosjen e njerëzve të partive të tyre dhe të grupeve që kanë edhe sot në qeveri dhe në borde. Këtë arritën ta menaxhojnë sikur edhe konfliktin tjetër që ishte në përcaktimin e buxhetit. U nda buxheti jo mbi bazën e interesave ekonomike dhe shoqërore e të shtetit, por të partive, sipas interesave në terren. Vazhdoi ky konflikt në fushën e mjekësisë, të arsimit dhe në fushën e drejtësisë dhe po shihet që akoma nuk ka askund unitet. Pra, tani priten konflikte akoma më të mëdha sidomos në fushën e Demarkacionit dhe të Asociacionit. Në fakt, problemet që i ka ky koalicion, kudo në botë një i tillë nuk do të mundë të funksiononte si koalicion. Edhe nëse do të krijohej, do të prishej pas disa muajve”, ka theksuar Kelmendi. Sipas tij, tani me këtë thellim të mos pajtimeve, brenda një kohe jo të gjatë do të bie koalicioni dhe të shkohet në zgjedhje. “Çdo kohë e humbur është humbje për shtet, komb dhe për demokraci. Shpresoj se edhe qytetarët e kanë kuptuar këtë dhe do të dalim nga gjendja që kemi rënë si shtet”, theksoi Kelmendi.
“Me këta politikanë nuk do të kenë kuptim zgjedhjet sivjet”
Mirëpo, sipas njërit nga njohësit e skenës politike dhe vetë proceseve elektorale në vend, analistit Blerim Burjani, pasi që ky vit është edhe vit i rregullt zgjedhor për nivelin lokal pritet që së paku të mbahen zgjedhjet lokale, përderisa zgjedhje nacionale ende nuk ka shumë indikacione , por e vërteta është se vendi ka hyrë në krizë të thellë nga e cila është stopuar zhvillimi dhe zgjidhjet e problemeve të shumta. “Tani ka gënjeshtra të mëdha për zbutjen e papunësisë, duke bërë fushata sikur të natyrës parazgjedhore, përderisa ka një ikje të përditshme të heshtur dhe krejtësisht të pa hetueshme të qytetarëve jashtë vendit për shkak të paperspektivës. Madje, në mesin e tyre që tani po ikin ka edhe kuadro të profilit shumë të lartë, profesorë, edhe gazetar, infermier dhe doktorë të kalibrit të lartë profesional. Pra, jemi në një gjendje aspak komode për të luftuar tani për pushtet se kush dhe kënd po e mund politikisht dhe po merr pushtet. Kjo jo perspektivë ka dalë nga kjo klasë politike e dobët por shumë grabitqare”, është shprehur Burjani.
Sipas tij, pavarësisht që subjektet politike tinëzisht po punojnë për dy palë zgjedhje brenda këtij viti, se janë në kërkim të gjetjes së një preteksti për ta arsyetuar këtë opsion, interesi qytetar nuk është që tani të shkohet edhe në zgjedhjet qendrore. “Nuk është gjendja aspak e favorshme për zgjedhje. Zgjedhjet nacionale do të kishin kuptim vetëm në rast se kemi një qeverisje të re plotësisht që mundë të ishte opsion në pritje nga një alternativë e re politike, që nuk vjen nga kjo pozitë dhe nga kjo opozitë”, ka pohuar Blerim Burjani./kosova sot/


