Fundamenti

Gjimnazi i vjetër i “lënduar” nga koha me shi…

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Kur njeriu nuk e sheh të vërtetën me sy, nuk i beson. Kjo është fakt. Por, fakt është edhe e dhëna tjetër se, Gjimnazi i Vjetër, i cili ishte një “nuse” e bukur e qytetit, që mbanë epitetin e shkollës elite, sot, nga koha me shi, është “lënduar” dhe po rënkon. Pra, Objekti i Gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan, ka pësuar dëme nga koha me shi.

Edhe pak kohë, kjo vatër e diturisë, do të festojë datëlindjen e 70-të ose thënë ndryshe, afro një shekulli pune edukativo-arsimore. Jo vetëm kjo. Rastësisht u gjendem në këtë shkollë elite. U befasuam kur pamë nga afër se ishte e dëmtuar nga shiu. Shiu kishte depërtuar gjer te klasat e shkollarëve, zyret e punës, madje edhe tek ditarët e shkollarëve. Pse kishte ngjarë kjo? Dihet: punëkryesi e ka hequr kulmi dhe nuk e ka menduar se shiu do të ndalet. Kjo nuk ngjau. Ky shi depërtoi gjer te salla e Edukatës fizike, ku në masë të madhe e ka dëmtuar parketin e fushës së sportit. Kjo ishte një skenë shëmtuese nga gjendja e kohës.

Por, rreth kësaj “gjendje” biseduam me dy zëvendës drejtorë të gjimnazit: Jakup Mehmeti e Faik Sahiti. Jakup Mehmeti, tha se, ky shi i këtyre ditëve na ka dëmtuar mjaft shumë. “Qe tri javë ditë shkolla ka qenë pa kulm. Shiu që po bie këto ditë ka bërë dëme të konsiderueshme gjimnazit në fjalë. Ka dëmtuar sallën e arsimtarëve, por ka dëmtuar dhe sallën e edukatës fizike, zyrën e drejtorit, rrjetin elektrik, sistemin e kamerave, i cili sistem nuk punon fare”.

Fundamenti

Por, shiu ka dëmtuar edhe ditarin e klasën XII-12. Pse ngjau kjo? Dihet mirë se, firma “Fitorja”, e cila ka fituar tenderin për ta renovuar objektin e gjimnazit, ajo i ka filluar punët sipas kontratës. Por, pyesim: a do të kishte qenë më mirë që kulmi t’mos hiqet gjer sa janë shkollarët në mësim? Madje, të pritet ndonjë kohë më e volitshme ku do të shkonin punët pa e penguar procesin mësimor. Edhe punët, të cilat po bëhen jashtë objektit, po e pengojnë procesin mësimor. Ndonëse për maturantët është fundi i vitit shkollor, kjo “gjendje” po e lëndon shkollën, personelin shkollor, por edhe shkollarët.

Ndërsa, Faik Sahiti, zëvendës drejtor shton se, punët janë kah shkojnë mbarë. “Dihet, kjo punë është dashur të kryhet pa “telashe”, sepse, firma në fjalë e ka planifikuar që të kryhen punët me kohë. Mua më duket se është bërë pak dëm, por shiun askush nuk mund ta ndalë. Nuk e kemi menduar se shi do të bie në këtë masë të madhe. Sidoqoftë, kjo “gjendje” do të kalojë dhe gjimnazi i vjetër do të shkëlqejë edhe më bukur se më parë. Pra, “nusja” e qytetit do të rrezatojë edhe më bukur se ishte më parë. /tefik selimi/rajonipress/