UBT

Xhaka i kërkon falje gjyqtarit, rrezikon Botërorin

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Granit Xhaka ka kërkuar falje për fjalët kritike ndaj gjyqtarit të ndeshjes Freiburg-G’gladbach, pasi ai përjashtoi me të kuq mesfushorin kosovar. Gjithsesi, kjo kërkim-falje nuk pritet ta shpëtojë Xhakën nga dënimi i federatës gjermane.

Mesfushori i Borussia Monchengladbach, Granit Xhaka, i ka rënë pishman fjalëve të tij pas ndeshjes me Freiburgun.

Futbollisti kosovar kritikoi ashpër gjyqtarin e ndeshjes, pasi ai e përjashtoi atë me karton të kuq, pasi paraprakisht ia tregoi dy të verdhë.

Madje, Xhaka theksoi se gjyqtarë të tillë nuk duhet të ndajnë drejtësinë në futbollin gjerman.

“Unë isha shumë i zhgënjyer dhe nervoz, veçanërisht me vetën time pas kartonin të dytë të panevojshëm. Më pas, eksplodova në momentin më të keq, duke folur pas ndeshjes me gazetarë”, u shpreh Xhaka, transmetojnë mediat gjermane.

Mobi Casa

“Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhte. Unë e di se gjyqtarët, sikurse ne lojtarët, mundohen ta japin më të mirën e tyre javë pas jave. E ndjej se është e rëndësishme të kërkoj falje”, shtoi tutje mesfushori kosovar.

Përkundër kësaj kërkim-faljeje, Graniti pritet t’i humb tri ndeshjet e fundit të stinorit në Bundesligën gjermane, pasi sipas të gjitha gjasave federata gjermane do ta dënojë atë me tri ndeshje mos-lojë.

E rrezikon Botërorin

Nëse Graniti merr tri ndeshje pezullim për kartonin e kuq dhe kritikat që i dha gjyqtarit të ndeshjes Freiburg-Monchengladbach, atëherë ai nuk do ta kishte një vend të sigurt me Përfaqësuesen e Zvicrës në Kampionatin Botëror që këtë vit zhvillohet në Brazil.

Siç kanë njoftuar mediat zvicerane, përzgjedhësi i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, ka rënë në dyshim sa i përket ftesës për Xhakën, duke qenë se ky i fundit gjatë këtij viti është angazhuar tejet pak në ndeshjet e Borussias.