Fundamenti

Adnani mori vendimin e duhur

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Duke shikuar aspektin sportiv, përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaku, ka theksuar për Express se vendimi i Adnan Januzajt është i drejtë. Madje, Bunjaku deklaroi se ky vendim i Adnanit do të shkojë në të mirë të Kosovës, pasi kjo e fundit tani është opsioni i vetëm i mbetur i kosovarit, pas Belgjikës.

Ndonëse po kritikohet pse nuk zgjodhi të paraqitej me Shqipërinë ose Kosovën, përzgjedhësi ‘verdhëekalktër’, Albert Bunjaku, ka uruar Adnan Januzajn për vendimin e tij.

Duke folur për Express, Bunjaku theksoi se për nga aspekti sportiv, Januzaj mori vendim të drejtë dhe të qëlluar.

“Unë mund të flas vetëm në aspektin sportive dhe mendoj është vendim i pritur i tij. Ndoshta është vendimi më i mirë, kur merret parasysh se bëhet fjalë për një 18-vjeçar që është në një shpërthim të karrierës së tij në një klub mjaft të mirë”, u shpreh Bunjaku.

Përzgjedhësi kosovar theksoi se me vendimin e sotëm, Januzaj u ka mbyllur derën të gjitha kombëtareve tjera të interesuara për të, duke lënë të hapur vetëm derën për Kosovën, pas pranimit në FIFA e UEFA.

“Deri në këtë moment, kanë qenë 7-8 kombëtare që kanë qenë pas tij, duke i dhënë një zgjidhje të vështirë. Tani është vetëm një kombëtare, Belgjika, dhe në momentin e pranimit të Kosovës do të jenë dy shtete që ai mund të zgjedh”, deklaroi Bunjaku. “Nga shtatë shtete tani kemi vetëm dy”, shtoi tutje përzgjedhësi kosovar.

“Rasti i Kosovës është pak më unik, pasi ne nuk e kemi përngut si të tjerët, ngase zgjedhja që e bën atë për Belgjikën e heq prej sistemi të gjitha vendet tjera të interesuara. Në anën tjetër, pas pranimit të Kosovës, Adnani e ka mundësinë për të zgjedhur edhe njëherë”, sqaroi Bunjaku.

Eco Higjiena

Belgjika ia shton vlerën

Përzgjedhësi Bunjaku deklaroi se fakti se Januzaj do të luajë në Kupën e Botës në Brazil do të thotë shumë për reputacionin dhe përvojën që mund ta fitojë atje.

“Pjesëmarrja e tij në Kampionat Botëror me një skuadër shumë të mirë dhe që besoj se do të jetë befasia e Botërorit, ia ngrit atij vlerën, si nga spekti sportiv, ashtu edhe për nga përvoja. Kjo është një zgjedhje e mirë e tij”, përfundoi Bunjaku.

Merr urimin e Ministrit

Adnan Januzaj mori urimin e Ministrit të Sportit, Memli Krasniqi, pasi ai zgjodhi Belgjikën para shteteve të tjera të interesuara për të.

Gjithsesi, Krasniqi shpreson ta shoh një ditë Januzajn me fanellën e Kosovës.

“Urime Adnan Januzajt dhe i dëshiroj suksese me Belgjikën në Kampionatin Botëror 2014. Shpresoj ta shoh duke luajtur për Kosovën një ditë”, shkroi në ‘Twitter’, Krasniqi.