Mobi Casa

Xhepat bosh të Isa Mustafës

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Shkelzen Maliqi – Kosova e kërkon ndryshimin dhe i duhet një kryeministër i profilit tjetër. Por, ky tjetri nuk mund të jetë Isa Mustafa. Për fat të keq ai edhe nuk po punon sa duhet dhe si duhet, pos me deklarata boshe, për t’u paraqitur si konkurrent dhe alternativë serioze e Hashim Thaçit.

Sistemet demokratike në parim funksionojnë më mirë kur partitë e mëdha politike në garën konkurruese zëvendësojnë njëra-tjetrën në pushtet. Nëse një qeveri gjatë mandatit të administrimit nuk i përmbush premtimet apo nuk arrin rezultate të kënaqshme, ajo ndëshkohet në zgjedhjet dhe pushteti i delegohet me votë ndonjë formacioni opozitar, i cili premton rezultatet e munguara. Kjo rrjedhë afirmon rolin prej sovrani të elektoratit, si dhe fuqinë korrigjuese dhe progresive të demokracisë.

Por, kjo skemë është vetëm model ideal që në praktikë rrallë herë funksionon për së mbari, në dobi të së mirës së përgjithshme. Gjithnjë ka situata dhe rrethana që pamundësojnë realizimin e këtij modeli, qoftë ngase elektorati nuk e ka nivelin e vetëdijes dhe përgjegjësisë, qoftë për shkak se votën e manipulojnë në format e ndryshme, oligarkitë sunduese politike, ekonomike dhe mediatike.

E bëra këtë hyrje për të dal te një pyetje që po shtrohet në lidhje me zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, të cilat do të duhej të mbaheshin në një ardhme jo fortë të largët, edhe pse ende nuk e dimë se a do të jetë fundi i majit, qershori, apo shtatori… E pra, për këto zgjedhje kemi pritje dhe premtime të mëdha se do të ketë ndryshim të pushtetit. Qeverisjes 6-vjeçare të Hashim Thaçit i parashikohet fundi, e për postin e kryeministrit i kemi disa pretendentë që thonë se Kosovën do ta qeverisnin ndryshe dhe më mirë se ai.

Pretendenti kryesor dhe më ambicioz është Isa Mustafa, i cili udhëheq LDK-në, partinë e vetme më konkurruese, që i ka votat në rritje dhe mund të ndodhë që të kalojë PDK-në si parti e parë në vend. Në zgjedhjet e fundit lokale LDK-ja ka pas një ngecje prej rreth 2 % nga totali i elektoratit, por në analizat dhe propagandën partiake të ldk-istëve supozohet se në ndërkohë kjo parti ka avancuar, ndërkaq që te partia rivale ka rrjedhje serioze të votës për shkak se dita ditës po forcohet Nisma e re e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit, që target kanë kryesisht votuesit e pakënaqur të PDK-së.

Ky interpretim i rishpërndarjes së votës përcaktuese po përsëritet në mënyrë aq skematike, sa që udhëheqësit dhe propaganduesit e LDK-së as që e vënë në dyshim rikthimin e LDK-së në pushtet. Në këto parashikime më shumë vëmendje i kushtohet partnerëve eventualë në koalicionin qeverisës, sepse as Isa Mustafa nuk pret që të sigurojë një fitore me mazhorancë të pastër, por duhet ta ndajë pushtetin me subjektet tjera. Për këto koalicione eventuale qeverisëse LDK-ja edhe nuk ka zgjedhje të mëdha. Isa Mustafa shpesh ka deklaruar se me PDK-në dhe Hashim Thaçin nuk do ta bëjë në asnjë rast koalicionin. Pra, i mbeten vetëm AAK-ja e Ramush Hjaradinajt dhe Vetëvendosja e Albin Kurtit (dhe tani, padyshim edhe e Shpend Ahmetit!), subjekte këto që mund të fitojnë numra të konsiderueshëm mandatesh për ta bërë një qeveri komode të udhëhequr nga Isa Mustafa. Ndërkaq, për më vonë lihet mundësia që në koalicion të futet edhe ndonjë parti tjetër që e ka kaluar pragun zgjedhor prej 5 për qind, si dhe paritë e minoriteteve me mandate të rezervuara.

Por ky versioni optimist i avancimit të LDK-së drejt pushtetit, ka disa mangësi serioze edhe në interpretimin e numrave, edhe në strategjinë dhe taktikat që do të duhej të përdoreshin për arritjen e qëllimit. Prejse është e bërë e qartë se do të mund të kemi zgjedhje të parakohshme (edhe afati i rregullt nuk i bie fort larg!), jemi dëshmitarë të një parafushate të fuqishme të PDK-së, e koncentruar në promovimin dhe rifreskimin e imazhit të Hashim Thaçit, ndërkaq që LDK-ja dhe Isa Mustafa, nuk tregojnë asnjë zell që të bëjnë të njëjtën gjë. Përkundrazi LDK-ja dhe Isa tregohen joinventiv dhe shumë inert në promovimin e asaj që pretendojnë, se do të janë bindshëm fitues të zgjedhjeve. Në të vërtetë, ka ndodhur kohëve të fundit që Isa Mustafa të mos jetë fare prezent në opinion për disa ditë ose edhe javë. E edhe kur është paraqitur, e ka bërë këtë me informata stereotipe mbi aktivitetet partiake, apo deklarata që forconin bindjen e vazhdimit të asaj mendjelehtësie dhe arrogance që Mustafa e pat treguar në zgjedhjet lokale, kur thoshte se pushtetin në Prishtinë do ta rifitojë “me duart në xhepa”, ose kur refuzonte që të marrë pjesë në debatet publike me rivalët. Si rrjedhojë Isa Mustafa u pat ndëshkuar bindshëm nga elektorati. Kydështimi lë hije të zezë mundësisë së realizimit të ambicies së tij për ta arritur postin e Kryeministrit të Kosovës.

FIDANISHTJA

Dështimi në zgjedhjet për Prishtinën nuk është hija e vetme që rëndon Isa Mustafën, por njerëzit tani kujtohen se edhe qeverisja e tij e Prishtinës në dy mandate nuk ka qenë për lëvdatë, përkundrazi, kanë nisur të dalin sheshit dhe po hetohen keqpërdorimet e rënda të zyrtarëve të Komunës së Prishtinës që po e dëmtojnë politikisht dhe moralisht autoritetin e tij prej udhëheqësit të saj.

Nga ana tjetër, në LDK ka pakënaqësi me rezultatet e pamjaftueshme të Isa Mustafës në reformimin dhe përtëritjen e partisë, për çka ka pas premtime të mëdha në kohën kur e morri drejtimin.

Përshtypja është se Isa Mustafës i mungon energjia, por edhe vizioni dhe aftësia menaxhuese për detyrat serioze për të cilat po kandidon, për më shumë duke e bërë këtë sërish “me duart në xhepa”!

Ndonëse për Mustafën kultivohet një famë e “ekonomistit të shquar”, reputacioni real i tij në të vërtetë nuk i kalon suazat e aftësive të një profesori të UP, i cili nuk ka zë të shquar ose doktrinë të identifikueshme në opinion mbi strategjinë zhvillimore të Kosovës. Nëse ka fare ndonjë doktrinë, ajo është e doktrinë e ekonomisë dhe pushtetit socialist, që në ndërkohë ai e ka përafruar jo edhe aq suksesshëm me doktrinën e ekonomisë liberale, e cila është bërë dominuese në kohën e transicionit që po e kalon Kosova.

Me këtë analizë nuk dua të them se Isa Mustafa nuk ka gjasa që të bëhet kryeministër i ardhshëm Kosovës. Për këtë, megjithatë, do të vendosë elektorati. Poenta e argumentit tim është se Isa Mustafa edhe në LDK u instalua në një moment krize si udhëheqës me afat të përkohshëm o figurë transitore, deri sa të mos paraqitet një udhëheqës ose grup politikanësh më kreativë, që do ta ringjallnin dhe rifuqizojnë subjektin politik që zë vendin e parë, themelues, në historinë e pluripartizmit në Kosovë. Nga misioni që kishte, Isa Mustafa arriti që deridiku ta konsolidojë elektoratin e LDK-së, por nuk tregoi aftësi dhe fuqinë që të sjellë freski, ide dhe njerëz të rinj në parti.

Krejt në fund, them se Kosova e kërkon ndryshimin dhe i duhet një kryeministër i profilit tjetër. Por, ky tjetri nuk mund të jetë Isa Mustafa. Për fat të keq ai edhe nuk po punon sa duhet dhe si duhet, pos me deklarata boshe, për t’u paraqitur si konkurrent dhe alternativë serioze e Hashim Thaçit.