Azemi çon Greuther Furthin drejt Bundesligës
Ilir Azemi po shijon momentet më të mira në karrierë. Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, është treguar sërish hero për skuadrën e tij Greuther Furth. Këtë herë ia solli fitoren 2:1 ndaj Aues, në kuadër të javës 29 të Bundesligës 2 të Gjermanisë.
Futbollisti nga Podujeva realizoi në minutën 56 për shifrat 2:1, me të cilat u mbyll edhe ndeshja. Ai shënoi një gol për mbamendje. Fillimisht iu shmang një mbrojtësi, më pas kaloi edhe portierin, për t’u futur me top në portë.
Për Azemin ishte goli i tetë këtë edicion. Ai luajti titullar, sikurse bashkëlojtari i tij nga Istogu, Mërgim Mavraj. Me këtë fitore, Greuther Furth ruajti vendin e dytë, katër javë para fundit të kampionatit. Ata kanë një pikë më shumë se Paderborni i Alban Mehës. Dy vendet e para sigurojnë ‘vizën’ direkt për në Bundesligë.


