FIDANISHTJA

Fitore në sekondën e fundit

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Filip Tonçiniq, qendra kroato-amerikane, të thuash erdhi nga Aeroporti i Prishtinës e drejt në ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit për Klubin e Basketbollit Drita dhe u shndërrua në yllin e mbrëmjes ngase në sekondën e fundit shënoi treshe edhe atë ndaj kundërshtarit të drejtpërdrejtë Bashkimit, me çka Drita ia doli t’i arkëtojë dy pikë të vlefshme në garën për përfundimtare, në kuadër të ETC Superligës së Kosovës në basketboll.

Drita – Bashkimi 95:94 (21:23, 22:30, 31:19, 21:22)

Në një ndeshje të barabartë në çerekun e parë, Drita ka dështuar tërësisht në të dytin, kur koshdallimi ka qenë më shumë se 15 pikë, derisa këndellja e klubit gjilanas ka filluar në çerekun e tretë, kur fillimisht është shkrirë epërsia e më pas u zhvillua një ndeshje e barabartë deri në sekondën e fundit.

Eco Higjiena

Bashkimi ishte në epërsi prej dy pikëve dhe kishin ngelur vetëm tra sekonda deri në fund të ndeshjes, kur topi është pasuar deri te i sapoardhuri Tonçiniq, i cili me të parën gjuajti dhe ia doli që të shënojë treshe dhe të arrij rezultatin përfundimtar Drita – Bashkimi 95 – 94.

Ndër Gjilan janë dalluar Shamar Combs me 28 pikë, Filip Tonçiniq e Driton Sylejmani me nga 23 pikë dhe Jason Hannibal me 13 pikë, ndërsa ndër mysafirë janë dalluar Darrel Llempley me 29 pikë, Aaron Mitchel me 20 pikë, Qëndrim Biraj me 14 pikë dhe Zhelko Jovanoviq me 13 pikë.

Në tabelë, KB Drita nga Gjilani, vazhdon të mbetet në pozitën e pestë me 31 pikë, kurse para saj janë dy kundërshtaret për garat e përfundimtares Trepça dhe Bashkimi që kanë nga 32 pikë. Në ndeshjen e radhës, që do të luhet këtë të diele, KB Drita ballafaqohet me liderin Sigal Prishtinën. Ndeshja do të luhet në Gjilan. /rajonipress/