Shqiptarët s`kanë gjasa të fitojnë asnjë nga deputetët e diasporës
Shqiptarët nga Maqedonia në diasporë pritet të mos fitojnë asnjërin prej tre deputetëve që do të zgjidhen në tre njësitë zgjedhore në Evropë, SHBA – Kanada dhe Australi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 prillit.
Kjo do të jetë mëse evidente pasi që shifrat e qytetarëve shqiptarë nga Maqedonia të regjistruar nëpër përfaqësitë diplomatike dhe përmes formës elektronike tregojnë se gjasat janë shumë të pakta vetëm në Evropë për të arritur ndonjë rezultat pozitiv, por megjithatë edhe kjo do të jetë shumë vështirë.
Partitë shqiptare si Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) garojnë me kandidatë të tyre në njësinë 7 – Evropë, ndërsa BDI garon e vetme në njësinë 8 SHBA – Kanada si dhe njësinë 9 – Australi.
Pse nuk fitohet asnjë deputetë
Shifrat e shtetasve të Maqedonisë të regjistruar jashtë vendit për të votuar më 27 prill tregojnë rezultat humbës. Sipas rezultateve zyrtare të siguruara nga albinfo.ch, në Komisionin Shtetëror Zgjedhor ka një epërsi të madhe të votuesve maqedonas nga votuesit shqiptarë.
Në njësinë për Evropë janë të regjistruar 9025 shqiptarë, kundrejt 8084 maqedonasve (përfshirë edhe 590 shtetasit shqiptar të deklaruar si maqedonas me shtetësi të dyfishtë edhe të Maqedonisë që janë nga zona e Pustecit). Edhe pse shqiptarët janë në epërsi me mbi 1 mijë votues, janë të regjistruar poashtu qytetarë të regjistruar të komuniteteve të tjera si: 773 rom, 419 turq, 572 të regjistruar si të tjerë, 22 vllehë, 12 boshnjak, 8 serb. Shtrohet pyetja se për cilin kandidat do të votojnë këto pjesëtarë të minoriteteve ngase thuhet se nga partitë VMRO dhe LSDM është në veprim një lobim i rëndësishëm drejt tyre?
Në Njësinë 8 dhe 9 gjasat janë të pakta për të fituar dy deputetët e tjerë. Kjo do të ndodhë pasi që në zonën 8 SHBA- Kanada ka një numër të vogël të shqiptarëve të regjistruar, edhe pse në garë ishte vetëm një kandidat shqiptar, Tefik Abdullahu i propozuar nga BDI. Në këtë njësi janë regjistruar 1021 shqiptarë, 2283 maqedonas, 26 të tjerë, 1 serb, 2 rom, etj. Ndërsa në njësinë 9 dallimi është shumë i madh dhe se kandidati maqedonas do të ketë fitore bindëse, pasi që kemi 1402 maqedonas të regjistruar dhe vetëm 117 shqiptarë, edhe pse në Australi jeton një komunitet i madh shqiptarë nga Maqedonia Perëndimore, Manastiri, Prespa, Ohri dhe zona të tjera.
Njësia e Evropës problematike
Shqiptarët tani për tani janë në garë vetëm për Evropën, por edhe këtu janë gjasat e pakta minimale, pasi që fitorja do të vendoset nga komunitetet e tjera jomaqedonase dhe joshqiptare.
Nga ana tjetër, partitë shqiptare garojnë me tre kandidatë dhe përçarja e votës pamundëson gjithashtu fitoren e ndonjërit prej tyre. Problematike për Evropën janë edhe 590 votuesit shqiptarë me origjinë maqedonas nga zona e Pustecit e Shqipërisë, të cilët kanë shtetësitë e Maqedonisë dhe janë paraqitur për të votuar në ambasadën e Maqedonisë në Tiranë. Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) pritet të diskutojë për këta votues që konsiderohen problematik. Por anulimi i tyre vështirë të ndodhë, pasi që ata fituan të drejtën për të votuar për zgjedhjet presidenciale më 13 prill. Ankesa e BDI-së për tërheqjen e tyre nga lista e votuesve në diasporë nuk u pranua as në KSHZ por as edhe në Gjykatën Administrative, e cila është instanca e fundit që vendos për zgjedhjet.
Nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi deklaroi për albinfo.ch se deri të shtunën do të diskutohet në KSHZ mbi këtë numër të madh të këtyre votuesve problematikë që kanë adresa banimi edhe në Maqedoni, ndërsa evidentohen si votues edhe në diasporë. “Ne kemi bërë ankesën tonë dhe do të kërkojmë që të anulohet ky numër i votuesve problematik, pasi që ata kanë adresë banimi edhe në Maqedoni, dhe se në zgjedhjet lokale kanë figuruar në listat e votuesve në disa komuna, duke shfrytëzuar të drejtën e votës, ndërsa tani paraqiten si diasporë. Do të kërkojmë kontestimin e këtij numri”, theksoi Jakupi.
Tabela
Regjistrimet në diasporë Evropë SHBA- Kanada Australi
Maqedonas 8084 2283 1402
Shqiptarë 9025 1021 117
Të tjerë 572 26 11
Turq 419 1 /
Boshnjak 12 / /
Vlleh 22 / /
Rom 733 2 2
Serb 8 1 /
Naser Pajaziti/albinfo.ch


