ARKATANA

Margjinalizimi i femrave të dhunuara gjatë luftës

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Në Bernë është mbajtur një mbrëmje kulturore, ku temë e debatit ishin viktimat e dhunës gjatë luftës në Kosovë. Po ashtu janë ekspozuar fotografi, të cilat temë kishin paragjykimet ndaj gruas në përgjithësi.

„Rrëfime tronditëse – femrat e dhunuara gjatë luftës në Kosovë“, ishte temë e një takimi që u mbajt me gra shqiptare në Qendrën Integruese për Migrantë „Zentrum 5“ në Bernë të Zvicrës.

Me kryeprotagonisten, aktivisten e humanisten shumëvjeçare, Behide Hasanaj, e cila me anë të rrëfimeve të saj për periudha të ndryshme kohore, në ndihmë të popullatës në nevojë në kohën e pasluftës, ngjalli një interesim të madh te të pranishmet.

Mirëpo, ajo që preku më së shumti, e ku nuk munguan as lotët në sytë e shumicës së grave të pranishme, ishte pikërisht tema e dhunimeve të grave gjatë luftës në Kosovë.

Në njërin nga incizimet e shumta që posedonte aktivistja Hasanaj, ishte edhe dëshmia e një gruaje shqiptare, viktimë e dhunimit, e cila rrëfente me hollësi për ato se çka ajo kishte përjetuar gjatë mbajtjes së saj me dhunë për 22 ditë, diku në një rajon të Kosovës.

Gjatë këtij takimi janë kritikuar po ashtu edhe institucionet e Kosovës, të cilat kishin bërë shumë pak ose hiq për vite të tëra për viktimat e dhunës gjatë luftës.

Sipas koordinatores së takimit, Brikela Andrea, kjo kategori e luftës kishte mbetur e margjinalizuar në shoqëri, me fatin e të cilave është marrë vetëm shoqëria civile.

Pas diskutimeve për projektligjin për kategoritë e dala nga lufta, ku në fillim nuk ishte përfshirë kjo kategori, për koordinatoren Andrea kjo ishte mëse e padrejtë, sepse është marrë në konsideratë vetëm lëndimi fizik i viktimave, e jo edhe ai mendor apo edhe shpirtëror.

Pas diskutimeve të shumta, në projektligjin për viktima civile ishin futur edhe viktimat e dhunimit.

ARKATANA

Komisioni për Shëndetësi i Kuvendit të Kosovës ka propozuar që për këtë kategori të ndahen rreth 74 milionë euro. Ndërkohë, projektligji u jep mundësi të gjitha grave të dhunuara në luftë që në një periudhë kohore prej 4 vjetësh të lajmërohen.

Sipas të dhënave, besohet se rreth 20 mijë gra shqiptare të Kosovës kanë qenë viktima të përdhunimit nga forcat ushtarake e policore serbe.

Përderisa në fund, për të relaksuar paksa mbrëmjen, e për të treguar forcën dhe vendosmërinë e gruas shqiptare, u hap edhe ekspozita me fotografi e fotografes Zogëza Haradini.

Në fokus të fotografive të Zogëza Haradinit është pikërisht tema: Gruaja shqiptare.

Ajo thotë se është frymëzuar nga femrat që njihen si “gra burrnore”.

“Aq sa janë të pushkës, janë edhe të zgjuara, përparimtare dhe të shkolluara. Kanë arritur shumë si në vendet tona, ashtu edhe në gjithë botën, duke qenë të suksesshme në fusha të ndryshme, si në arsim, art dhe muzikë, etj“, tha për albinfo.ch fotografja Haradini.

„Unë kam pasur rastin dhe fatin t‘i fotografoj disa zonja që kanë sukses të madh dhe famë botërore. Si Liri Beqja, mjeshtre e merituar e sportit qitës, Inva Mula, soprano, vajza e të madhit Avni Mula. Delina Hajra, soprano, vajza e Luan Hajrës, Edlira Dedja, Ledina Çelo, etj.”, tha Zogëza.

Po ashtu në këtë mbrëmje ishin ekspozuar punëdore të bëra nga kreatorja Mirjana Macaj.

Që të dy këto ekspozime ngjallën interesim të madh të të pranishmeve, ku veçohej seti i fotografive, të cilat temë kishin paragjykimet ndaj gruas në përgjithësi./Alban Hamza/albinfo/