ARKATANA

Të rinjtë, të painteresuar për manifestimet në diasporë

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Shqiptarët në Zvicër të brezit të dytë, ose “secondot”, nuk janë shumë të dhënë pas manifestimeve që organizohen në diasporë.

Festa e përvjetorit të 6-të të pavarësisë së Kosovës nga shqiptarët u mbajt gjithandej Zvicrës në kohë dhe vende të ndryshme, në organizime dhe programe të ndryshme.

Pjesëmarrës në këto manifestime ishin kryesisht të moshuar, familje dhe shoqatat e shkollat shqipe që kishin përgatitur programin e tyre për këto manifestime.

Këtyre manifestimeve ka diçka që po u mungon, dhe ajo është prania e një numri të vogël të rinisë shqiptare, përkatësisht gjeneratës së dytë, sekondot, që kanë lindur dhe janë rritur në Zvicër.

Është brengosëse fakti që të rinjtë tanë, përveç atyre që janë pjesë e programit, nuk kanë interesim që të vijnë si publik të marrin pjesë në manifestimin për pavarësinë e Kosovës.

Pse është ky numër kaq i vogël i gjeneratës së dytë të shqiptarëve në organizime dhe manifestime kulturore shqiptare?

Në këtë pyetje albinfo.ch ka marrë mendime dhe përgjigje të ndryshme.

I riu Pjetër Delia (16) nga Turgau mendon se problemi është te prindërit, në fakt, kështu mendojnë edhe Mejremja (18), Graniti (20) si dhe Blerimi (18).

“S’di, ndoshta të rinjtë shqiptarë që kanë lindur këtu nuk duan të dallohen nga bashkëmoshatarët e vet zviceranë, duan të mos vërehen. Besoj se duhet të integrohemi edhe në Zvicër, mirëpo jo të harrosh dhe të anashkalosh kulturën tënde. Është detyrë edhe e prindit që t’i shtyjnë fëmijët e vet të tregojnë më tepër interesim për kulturën shqiptare”, thotë Pjetër Delia nga Turgau.

Ndërsa Mejreme Govani thotë se përveç prindërve që mbajnë pjesë të fajit, këtu edhe institucionet kosovare duhet të interesohen më shumë për rininë shqiptare në Zvicër.

Fundamenti

“Rinia nuk ka shumë interes, në radhë të parë prindërit nuk kanë shumë vullnet t’i informojnë për këto manifestime, dhe e dyta është p.sh. shumë pak fëmijë shkojnë në shkollën shqipe, sepse nëse shkon në shkollën shqipe, ke edhe vetë dëshirë për interesim më shumë për kulturën dhe në këto manifestime… Nëse nuk shkon në shkollën shqipe, nuk të intereson edhe aq shumë dhe në njëfarë mënyre largohesh prej rrjedhave. Do të kishte qenë mirë të kishte edhe mbështetje nga shteti i Kosovës në drejtimin e kulturës në Zvicër. Me këtë rast rinia ndoshta do ta kishte rritur më shumë interesin për kulturën shqiptare”, thotë Mejreme Govani po ashtu nga Turgau, e cila ndjek mësimet për ekonomi.

Graniti Kryeziu dhe Blerim Kastrati kanë po ashtu të njëjtin mendim për mungesën e rinisë shqiptare në manifestime.

“Edhe ne si të rinj jemi të ngarkuar, dikush më shumë e dikush më pak, mirëpo prapë mendoj se kjo nuk duhet të jetë arsye e fortë. Qysh prej fëmijërisë njeriu mëson drejtimin dhe sjelljen për jetën dhe se prindërit janë faktori kryesor në edukimin e fëmijëve”, thanë Graniti dhe Blerimi.

Shqiptarët në Zvicër me entuziazëm i presin dhe i organizojnë festat e ndryshme kombëtare, mirëpo a do të mund të mbahet “gjallë” ky entuziazëm i shqiptarëve nëse rinia jonë do të rri anash.

Një shqetësim dhe arsyetim e jep edhe Ibish Neziri, ish-mësues në shkollën shqipe në Argau. Por, ai ka një këndvështrim tjetër për pjesëmarrjen e ulët të të rinjve.

“Tubimet gjithnjë fillojnë me vonesë, janë të mërzitshme, fjalimet janë të stërzgjatura, njerëzit nuk dëgjojnë, por flasin me njëri-tjetrin sa shpeshherë edhe dëgjohet mirë se çfarë po thuhet. Kur recitohen poezi, ato nuk recitohen, por lëshohen britma kur duhet dhe kur nuk duhet, shpeshherë janë pothuajse përsëritje të tubimeve paraprake dhe, edhe tubimet si të tilla janë të stërzgjatura. Shpeshherë janë kaotike. Politizimi i tejskajshëm i tubimeve, shfrytëzimi i foltores për promovime personale, paragjykimet politike të prindërve dhe të mësuesve, të cilat barten edhe te fëmijët, po ashtu janë arsye pse të rinjtë nuk marrin pjesë nëpër manifestime”, thotë Neziri.

Shoqata “Bashkimi”, gjegjësisht kryetari i saj, Afrim Hasanaj, mendon se nuk është vetëm faji i rinisë dhe i prindërve, por është informimi jo i duhur për rininë. Ai thotë se informimi duhet të jetë edhe në gjuhën gjermane.

“Mendoj që informimi nuk ka qenë aq i mirë, ndoshta të rinjtë që kanë lindur këtu e donë një informim më ndryshe, ndoshta një informim edhe në gjuhën gjermane”, thotë Hasanaj.

Dihet se sa më larg vendlindjes të jesh, aq më shumë do ta duash dhe do të kesh mallë për vendin tënd, mirëpo për gjeneratën e dytë në Zvicër nuk është e lehtë të përcaktohen dhe të bëjnë dallime ndërmjet vendit për vendlindjen e tyre.

Përderisa gjenerata e parë e shqiptarëve në Zvicër pati vështirësi me integrimin dhe adaptimin, gjenerata e dytë, edhe pse në numër jo të mjaftueshëm, po arrin gradualisht të marrë përgjegjësi për jetën e vet./Visar Kryeziu/albinfo/