Ndërprerja e duhanit largon depresionin dhe stresin
Një hulumtim i ri ka treguar se personat të cilët heqin dorë nga duhani, ndjejnë se iu është përmirësuar disponimi dhe se efekti i ndërprerjes së duhanit përmirëson gjendjen mendore.
Udhëheqësi i ekipit të studiuesve nga Universiteti i Oxfordit, Paul Aveyard, ka thënë se duhanpirësve duhet t’u jepet mesazhi se kur e lënë shprehinë e tyre të keqe, ndjehen shumë më mirë sesa kur pinë cigare.
Të dhënat e shkencëtarëve britanikë janë grumbulluar nga rezultatet e 26 studimeve të mëparshme, të cilat kanë përshkruar sjelljet e personave që kanë ndërprerë duhanin, ndërsa më herët kishin pirë deri në 20 cigare në ditë.
Personat që e kanë braktisur cigaren, brenda gjashtë muajsh kanë filluar të ndjehen më mirë, të largojnë shqetësimet, depresionin dhe stresin, dhe iu është përmirësuar kualiteti psikik jetësor.
Tashmë është e njohur se ndërprerja e duhanit shpëton jetë, duke qenë se duhanpirja konsiderohet si faktor rreziku për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancereve të ndryshme. /Mjeku.Net/

