Eko Higjiena

Legjislatura aktuale, më e dobëta që ka pasur Kosova

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Tanimë kur legjislaturës aktuale po i vjen fundi, monitoruesit e punës së saj dhe analistë thonë se kjo legjislaturë është më e dobëta që ka pasur Kosova që nga përfundimi i luftës e këndej, derisa pozita nuk pajtohet me këtë konstatim të monitoruesve të punës së Kuvendit dhe opozitës.

Sipas monitoruesve, ka pasur shumë raste kur deputetët në shumicën e rasteve nuk kanë lexuar fare ligjet, kur deputetët pas pesë minutave që kanë votuar janë penduar pse kanë votuar dhe shembuj të tjerë që të bëjnë të vije në përfundim se kjo legjislaturë ka dështuar në përmbushjen e misionit të saj kushtetues.

Me shoqërinë civile pajtohen edhe përfaqësues të partive opozitare, të cilët e pranojnë se legjislatura aktuale që po përfundon mandatin, ka qenë më e dobëta që ka pasur Kosova ndonjëherë. Derisa, pozita nuk pajtohet me këtë konstatim të monitoruesve të punës së Kuvendit dhe opozitës.

Driton Selmanaj nga Instituti i Demokratik i Kosovës, thotë për KosovaPress, se legjislatura aktuale që po përfundon mandatin, ka ardhur si pasojë e një procesi të zgjedhjeve të vitit 2010, ku pati vjedhje industriale të votave.

“Puna tre vjeçare sa ka bërë ky institucion mendoj që lenë shumë për të dëshiruar, madje mund të vlerësohet definitivisht si njëra ndër legjislaturat me të dobëta që ka pasur Kosova ndonjëherë, e sidomos pas konstituimit të institucioneve demokratike. Pse e them këtë, sepse ka pasur shumë raste kur deputetët në shumicën e rasteve nuk kanë lexuar fare ligjet ose dokumentet që vijnë në Kuvend, instrumentet e kontrollit ndaj qeverisë kanë qenë jashtëzakonisht minimale të shfrytëzuara nga ana e deputetëve, kemi pasur raste kur deputetët pas pesë minutave që kanë votuar janë penduar pse kanë votuar, kemi pasur raste kur pas secilit amendament iu është sugjeruar me po ose jo se si duhet votuar. Të gjitha këto situata, përfshirë këtu edhe situata kur ka pasur precedent në Kuvendin e Kosovës kur shumica parlamentare për të rrezikuar kuorumin kanë ikur nga seanca”, thotë Selmanaj.

Kuvendi i Kosovës edhe me kushtetutën e vendit e ka për obligim ta mbikëqyrë punën e Qeverisë së Kosovës, sipas Selmanajt edhe në këtë aspekt ka dështuar ta kryejë obligimin kushtetues.

Meqë po flitet si datë alternative ose si muaj alternativ fundi i majit ose fillimi i qershorit, Selmanaj e sheh si një lajm të mirë për Kosovën se po i vie fundi kësaj legjislature dhe kësaj qeverisje. Por thotë se në legjislaturën e ardhshme, partitë do të duhej të mendonin që të mos bien njerëz që nuk janë kompetentë për të përfaqësuar qytetarin, por edhe subjektin politik prej nga vijnë.

Se, kjo legjislaturë ka qenë shumë e dobët dhe nuk ka përmbushur detyrat e saj kushtetuese, e thotë edhe analisti Ardian Arifaj.

Ai thotë se kjo legjislaturë dhe puna e saj, nëse shihet si pjesë e pjekurisë politike të klasës politike në Kosovë, atëherë mund të kuptohet dhe të thuhet se Kuvendi ka dështuar në përmbushjen e misionit që ka.

“Si shoqëri ende jemi duke e mësuar të kuptojmë që një republikë parlamentare është Kuvendi, ai institucioni më i fuqishëm në shtetin e Kosovës, prandaj, edhe shpesh herë shohim hezitim tek deputetët e Kuvendit që të kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë që u takojnë atyre dhe që duhet të përmbushin. Sigurisht se më e dalluara është ajo për mbikëqyrjen e Qeverisë së Kosovës. Dokumente të shumta duke përfshirë edhe raportin e progresit çdo vit e kanë theksuar faktin që Kuvendi po dështon që ta përmbush detyrën e vet për ta mbikëqyrur ekzekutivin që vet e ka emëruar dhe shpesh ekzekutivi ka qenë në gjendje që ta ndikoj punën e Kuvendit derisa duhet të jetë anasjelltas”, thotë Arifaj.

FIDANISHTJA

Me vlerësimin se kjo legjislaturë ka qenë e dobët dhe jashtë parametrave të përmbushjes së detyrave kushtetuese, pajtohet edhe opozita. Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se kjo legjislaturë është më e dobëta që ka pasur Kosova që prej se ka institucionet e veta demokratike.

Beqiri thotë se edhe në kohën e ish regjimit kur janë mbajtur dy palë zgjedhje, legjislativi ka qenë kredibil dhe me njerëz që kanë qenë të përgatitur për vendin që përfaqësojnë.

“Ne kemi bërë atë që kemi mundur të bëjmë me deputet që kemi, por mangësia kryesore ka qenë diktimi gati edhe i agjendës së parlamentit nga qeveria, mos prezenca e ministrave në seanca, kur ka pasur seanca që s’ka qenë asnjë ministër në seancë. Ka pasur raste që është për t’u habitur që pozita disa herë e ka lëshuar seancë, ka pasur raste të presioneve të jashtëzakonshme ndaj deputetëve të pozitës për të votuar diçka që është e dëmshme dhe në kundërshtim me interesat e qytetarëve, që të bënë të thuash një fjalë të vetme, legjislaturë që nuk e ka dhënë provimin ose me thënë legjislatura më e dobët që ka pasur ndonjë herë Kosova”, tha Beqiri.

Por, ndryshe mendon pozita, e cila e sheh këtë legjislaturë si të mirë, por që ka mundur të bëjë edhe me shumë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci thotë për KosovoaPress se duhet të synohet që të kenë një legjislaturë që në vazhdimësi e ngritë cilësinë, por jo që është më e dobët.

“Unë nuk do të thosha se është legjislatura më e dobët, që nuk është frytdhënëse. Megjithatë, GP i PDK-së, ka qenë një grup i koordinuar, i organizuar. Normalisht se PDK-ja ka një debat të brendshëm. Ne i kemi debatuar të gjitha çështjet në GP dhe kemi marr vendime, kemi bërë përpjekje që të mos ndikojmë në përcaktimin e deputetëve në ndonjë rast, por megjithatë, unë e vlerësoj si pozitiv dhe të suksesshëm këtë legjislaturë, edhe pse ka mundur të jetë edhe më e suksesshme”, tha Grabovci.

Ai thotë se Kuvendi në tërësinë e saj e ka kryer detyrën e tij, por ka mundur të jetë shumë më aktiv, të jep rezultate shumë me të mëdha, por duhet pasur parasysh se kanë pasur disa sfida tepër të vështira para vetës.

Madje, sipas tij, në momente të caktuara për dikë kanë qenë të papërballueshme.

Kuvendi i Kosovës është konstituuar me 21 shkurt të vitit 2011, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën me 12 dhjetor 2010, meqë ish presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu pati dhënë dorëheqje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se i pari i vendit ka shkelur aktin me të lart juridik me mbajtjen e funksionit të kryetarit të LDK-së dhe postit të presidentit të Kosovës. /Kosovapress/Telegrafi/