KKVITI

Koteci politik shqiptar në Maqedoni

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Emin Azemi – Gruevski ende perceptohet nga politikanët shqiptarë si faktorizuesi i vetëm i tyre. Deri më tani nuk ka ndodhur që ky faktorizim të bëhet në saje të unitetit brendashqiptar dhe ofertës së përbashkët kundrejt politikës maqedonase. Duke e hetuar këtë dobësi të tyre, Gruevski, jo rrallë edhe kushëriri i tij që drejton shërbimin sekret maqedonas, në prag të çdo zgjedhjeje prodhon karamele për t’i joshur ambiciet karamelizuese oborrtare të pelikanëve shqiptarë.

Lojërat oborrtare të partive politike shqiptare në Maqedoni, kanë trimëruar kryeministrin Gruevski që të projektojë ide për shtetndërtim pa shqiptarët. Deklarata e fundit e tij se maqedonasit duhet të marrin shumicën e vendeve në Parlament për t’i ikur kushtëzimeve të shqiptarëve, flet edhe njëherë për falsitetin e koalicioneve shqiptaro-maqedonase.

Sado që ta trajtojmë si deklaratë për konsum të brendshëm dhe për efekt elektoral, ajo si e tillë, megjithatë, është sinjal i keq se Maqedonia po shkon në drejtim të gabuar. Në defektet e këtij drejtimi kanë shumë faj edhe forcat politike shqiptare, të cilat, me sjelljet dhe qëndrimet e tyre, jo rrallë kanë lajthitur edhe faktorin politik maqedonas, tek i cili kanë injektuar një lojalitet blanko për shumë çështje, e sidomos për çështje të karakterit ndëretnik. Në disa raste fitohej përshtypja se ndonjë lider shqiptar, në tentativën e tij të pasuksesshme për të korrigjuar imazhin e keq të Maqedonisë në botë, bënte edhe ministrin e Jashtëm, por pa dimensionin e përfaqësimit shqiptar. Shumë kancelari të botës që janë vizituar nga lider të tillë sot janë shumë të bindur se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë kurrfarë problemi me politikën agresive maqedonase dhe çdo përpjekje tani për ta prezantuar këtë politikë ndryshe nga ajo që është reklamuar kohë më parë, del qesharake dhe e paefektshme.
Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve ka rrezik të degradohen në përmasa brengosëse nëse nuk intervenohet shpejt në gjetjen e një kompromisi afatgjatë, ndonëse kjo është vështirë të arrihet pasi që kemi një disnivel brengosës përfaqësimi – në njërën anë kemi nivelin superior dhe arrogant maqedonas dhe në anën tjetër kemi nivelin inferior dhe eklektik shqiptar.

Sigurisht që Gruevski nuk do ta përdorte këtë diskurs ksenofobik sikur të mos kishim edhe një qëndrimi jo shumë të qartë të bashkësisë ndërkombëtare kundrejt Shkupit zyrtar, për faktin se ajo si tepër i ka kushtuar vëmendje raporteve të jashtme të Maqedonisë dhe fare pak është marrë me raportet e brendshme të saj. Marrja gjatë gjithë kohës e bashkësisë ndërkombëtare (Brukseli, Uashingtoni) me kontestin që ka Maqedonia me Greqinë dhe sfidat që ajo i kishte në rrugën e (mos)integrimeve euro-atlantike, krijoi një bindje të sforcuar tek forcat nacionaliste maqedonase se politikat e tyre retrograde, të orientuara kryesisht kundër shqiptarëve, mund të kalojnë pa u ndëshkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Qasja selektive e organeve të ndjekjes, sidomos të policisë së shtetit, ndaj incidenteve nëpër rrugët dhe autobusët e Shkupit, ku keqbërësit maqedonas lihen të lirë të organizojnë banditizmin e radhës, kurse shumë efikas energjik ndaj ndonjë të mituri shqiptar, vazhdimi i politikës recidiviste maqedonase për të reduktuar përdorimin zyrtar e publik të gjuhës shqipe, nxitjen e urrejtjes ndëretnike përmes projekteve monoetnike, të financuara edhe me paratë e shqiptarëve, diskriminimi buxhetor i projekteve e institucioneve kulturore, sociale, shkencore të shqiptarëve, janë disa nga pikat neuralgjike të realitetit në Maqedoni që nuk janë përfshi gati në asnjë raport zyrtar të Brukselit e Uashingtonit, pos rasteve kur ato përmenden shumë shkarazi dhe jo me një dioptri të qartë.

Uji Dea

Logjika e politikanëve shqiptarë për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrit maqedonas, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz institucional të shqiptarëve.

Edhe BDI edhe PDSH po bëjnë gara, kush më shumë e kush më pak, kush më hapur e kush më tinëz, që të jenë më afër VMRO-së dhe agjendës së saj për ta marrë edhe një mandat qeverisës. Partitë politike janë legjitime në zgjedhjen e rrugëve dhe strategjive për të synuar pushtetin, por kur ato bëhen jotransparente dhe shumë ordinere, për qëllime të ngushta grupore e individuale, atëherë janë të kota përpjekjet e tyre për të na bindur se të gjitha këto manovrime i bëjnë për të mirën e shqiptarëve. Mjafton të shikohet në retrospektivë se cilat kanë qenë marrëdhëniet e politikanëve shqiptarë me situatat e caktuara në prag të zgjedhjeve. Me saktësi matematikore mund të vërehen se ata u ngelin besnik manireve të tyre për të bërë politikë të pasinqertë e besëprerë ndërmjet vete, por shumë të hapur e të sinqertë me partnerët maqedonas.

Perceptimi i vetvetes si oborrtarë të vegjël me ambicie të mëdha për përfitime personale, i bën politikanët shqiptarë edhe më të lexueshëm para publikut shqiptar, sepse përvoja dhe memoria kolektive ka siguruar një minimum standard sa për të dalluar sinqeritetin nga dallaverja, interesin publik nga ai personal. Patriotizmi i harxhuar i këtyre tipave mund të zgjojë ndonjë adrenalinë të fjetur dikund-dikund, por ajo që pritet si kundërvënie ndaj politikave arrogante të Gruevskit projektohet më tepër si material që do t’u shërbejë konkurrentëve shqiptarë për të baltosur njëri-tjetrin. Sepse, Gruevski ende perceptohet nga politikanët shqiptarë si faktorizuesi i vetëm i tyre. Deri më tani nuk ka ndodhur që ky faktorizim të bëhet në saje të unitetit brendashqiptar dhe ofertës së përbashkët kundrejt politikës maqedonase. Duke e hetuar këtë dobësi të tyre, Gruevski, jo rrallë edhe kushëriri i tij që drejton shërbimin sekret maqedonas, në prag të çdo zgjedhjeje prodhon karamele për t’i joshur ambiciet karamelizuese oborrtare të pelikanëve shqiptarë. Të dalë si pula të lagura nga këto takime, politikanët shqiptarë, sidomos ndonjëri prej tyre që opozitarizmin e tij e këmben brenda natës me ndonjë karamele me afat të skaduar, nuk mund t’i fshehin gjurmët e puplave të ndukura nga gjeli agresiv. Të lagura e puplashkalafitura, këto pula të kotecit politik shqiptar në Maqedoni, ka të ngjarë që të përhapin epideminë e nënshtrimit në trajta të tilla ku edhe një politikan maqedonas, si Gruevski, me shtat liluputi, në sytë e shqiptarëve të duket si një gjigant, përmasash dinozauri.

Në mungesë të alternativës për të zgjedhur midis shiut e breshrit, zgjedhësit shqiptarë janë të kufizuar të demonstrojnë ndonjë refuzim më frontal kundrejt këtij liliputanizmi politik maqedonas dhe të gjithë ata zëra kritikë nga shoqëria dhe mediet shqiptare që marrin guximin të kritikojnë Gruevskin apo ndonjë padron tjetër, nga politikanët shqiptarë kualifikohen si tradhtar e plëngprishës. Duke luajtur rolin e gardianit, këta politikanë jo vetëm që po e mbrojnë Gruevskin nga kritikuesit shqiptarë, por ka rrezik që ta burgosin aspiratën e një gjenerate të tërë shqiptarësh për të jetuar në një shtet normal.

(Autori është publicist nga Shkupi. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)