Uji Dea

Trashëgimia e femrës në Kosovë

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Ardiana Blakçori – Dikur femra është cilësuar një rob, një makinë prodhuese, një “gajle” më shumë. Sot roli shoqërorë i saj ka ndryshuar. Femra sot nuk është vetëm një grua e cila duhet të lind fëmijë, të konsiderohet një rob, të ketë mbi kokën e saj gjitha punët e shtëpisë.

Shoqëritë patriarkale mohojnë të drejtën e trashëgimisë për femrat. Djali konsiderohet ai i cili e trashëgon mbiemrin e babait, ndërsa femra jo ngase ajo martohet dhe krijon familjen e saj. Shpesh dëgjohet edhe thënia “Djali për emër, çika për zemër”. Sipas traditës djali është ai që gëzon gjithë trashëgiminë.

E drejta e trashëgimisë brenda vendit tonë është një temë e cila në ditët e sotit është duke u debatuar.

Se femra nuk ka të drejtë të gëzojë pronën nga familja e saj është një fakt i cili jo vetëm tani por edhe në të kaluarën ka zënë hapësirë të trajtimit të saj, madje është konsideruar si një temë tabu për shoqërinë tone, është cilësuar si tabu për faktin pse femra të trashëgojë.

Të dhënat e ofruara nga shumë hulumtime dhe sondazhe mbi trashëgiminë e femrës nuk janë të një niveli të kënaqshëm. Sot edhe pse mjaft është duke u punuar që femra të cilësohet e barabartë me mashkullin akoma nuk kemi një arritje të kënaqshme në Kosovë e sidomos në sferën e trashëgimisë. Dihet mirë se mashkulli në shoqërinë tonë çdo herë e më shumë ka gëzuar privilegj dhe ka qenë ai i cili është konsideruar i vetmi trashëgimtarë në familje.

Mobi Casa

Mirëpo tani shtrohet pyetja se çka më tutje?! Cilët hapa duhet ndjekur, çfarë sensibilizimi duhet bërë ne si femra por edhe në përgjithësi shoqëria jonë që femra të gëzojë të drejtën e trashëgimisë?

Shoqëria jonë duke filluar nga individi, familja e tërë shoqëria duhet të ndryshojnë mentalitetin e tyre të krijuar mbi trashëgiminë, madje edhe vetë femra duhet ta ketë të njohur faktin se nuk duhet t`ia mohoj të drejtën e trashëgimisë vetes së saj.

Kosova, ka të rregulluar mënyrën e trashëgimisë edhe me ligj, mirëpo sa po zbatohet respektimi i kësaj të drejte realiteti tregon krejtësisht të kundërtën. Shpesh herë edhe pse femra kërkon të drejtën e trashëgimisë së saj nga kërcënimet e marrura nga ana e vëllezërve të saj, e po ashtu edhe të rrethit shoqërorë të saj tërhiqet. Duhet theksuar se e drejta e pronës është një ndër parimet kryesore të respektimit të barabartë midis femrave dhe meshkujve. Familjet e pasura në Kosovë kanë filluar sa do pak ta respektojnë të drejtën e pronës, ndërsa shtresa tjetër e shoqërisë te familjet e varfra, akoma nuk përcillet kjo mënyrë e rregullimit të trashëgimisë.

Shoqëria dhe mekanizmat shtetërorë, nuk duhet harruar se një numër i konsiderueshëm i femrave mbi të cilat ushtrohet dhunë shpesh zgjedhin këtë mënyrë jetese vetëm për faktin se nuk kanë ku të shkojnë. Shumë herë thuhet nga këto gra “më mirë të kem një kulm mbi kokë, se sa mos të kem ku të shkojë”…

Një fakt i rëndësishëm që ka ndikuar në emancipimin dhe vetëdijesimin e femrës lidhur me trashëgimin është arsimimi dhe pavarësimi ekonomik i saj, ngase dita ditës është duke lulëzuar. Brengë e madhe akoma mbetet implementimi i ligjeve dhe një vetëdije më e lartë e institucioneve gjegjëse dhe vetë shoqërisë sonë lidhur me të drejtën e trashëgimisë së femrës. Madje do duhej një grup punues i shumë sektorëve të organizonin një fushat vetëdijesuese mbi trashëgiminë e femrës në Kosovë./rajonipress/