Shefkije Islamaj emërohet kryesuese e Këshillit Drejtues të UP-së
Shefkije Islamaj është emëruar kryesuese e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke filluar kështu procedurat për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së rektorit.
Këshilli me anëtarët e rinj ka mbajtur mbledhjen ku kanë marrë vendimin për fillimin e procedurave për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së Rektorit në Universitetin e Prishtinës. Në këtë mbledhje të mbajtur nga Këshilli Drejtues i UP-së, u emërua edhe kryesuesja e këtij këshilli, Shefkije Islamaj.
Ajo tha se presim propozime nga Senati për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së rektorit, por që edhe ky këshill ka drejtë të propozojë.
“Së shpejti, këto dy ditë, fillojnë procedurat që nga ky moment, presim propozimet e Senatit dhe ka drejtë edhe ky këshill drejtues të propozojë, jemi shumë të hapur, do të kemi propozime shpresojmë më të mirat, më të mundshmet dhe më të duhurat për momentin”, ka thënë ajo raporton Kosovapress.
E sa për detyrën që i është dhënë sot, ajo tha se moto e këtij këshilli do të jetë transparenca dhe se do të jenë shumë të hapur me të gjithë ata që duan të dijnë se si po shkojnë punët në UP.
Islamaj tha se ende nuk kanë asnjë emër për UD-në e pozitës së rektorit.


