Hidromorava

Zbardhen rrëfimet e vrasësit me pagesë

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Një biznesmen vlonjat rezulton të jetë i implikuar me bandën e bombave C4, pasi dyshohet që përmes Andon (Erjon) Mëhillajt, ka porositur të dyshuarin si vrasës me pagesë, Julian Sinanajn, të ekzekutojë J. M., një eksponent i njohur në qytetin e Vlorës.

“Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë prova nga dosja hetimore që pritet të depozitohet këto ditë për Sinanajn në gjykatë.

Gjatë gjykimit pritet të dalin në dritë prova dhe fakte për përfshirjen në bandën e “bombave C4” edhe të biznesmenit me emrin Ardi, i cili edhe pse i identifikuar nga prokuroria për Krime të Rënda, nuk është vënë në pranga.

Në dosjen e prokurorisë hidhet dritë dhe mbi detaje të vënies së eksplozivit në shtëpinë e Ardian Kollozit, kandidatit për deputet të Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës dhe njëkohësisht kryetar i PD-së në këtë qark.

Uji Dea

Ndër të tjera, aty thuhet se para derës së apartamentit ku banonte Kollozi është vendosur një sasi prej 600 gramë tritol dhe se dëmet e shkaktuara nga shpërthimi kapin shifrën e 8.3 milionë lekëve.

Mandej, zbardhen pjesë të dëshmisë së Julian Sinanajt, i cili drejton gishtin drejt Marjon Mitros, si porositës i lëndës eksplozive që u zbulua në makinën e prefektit të Qarkut Vlorë, Besnik Dervishi. Sinanaj u ka rrëfyer hetuesve për këtë rast, se me Mitron ka komunikuar përmes e-mailit dhe pasi e ka prodhuar minën me telekomandë, ia ka dorëzuar 42- vjeçarit. Kjo minë, këmbëngul Sinanaj, është pikërisht ajo që u zbulua në makinën e prefektit Dervishi.

Sipas prokurorisë, fakti kriminal për të cilin dyshohet Mitro cilësohet si “vepër me qëllime terroriste” në dëm të prefektit Besnik Dervishi, me qëllim përhapjen e panikut në popullatë, për të sjellë shkatërrimin serioz të pronës private në përmasa të mëdha, duke rrezikuar jetën e personave të tjerë.

Gjithashtu, Sinanaj shprehet se me ndërmjetësimin e Andon (Erjon) Mëhillaj ka marrë porosi nga Mitro dhe një biznesmen me emrin Ardi për të ekzekutuar një eksponent të njohur të krimit në Vlorë. /BW/