Uji Dea

Zemra e vogël e liderëve të mëdhenj

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Blerina (Rogova) Gaxha – Mund të pranohet dhuna çnjerëzore, por arsyeja çnjerëzore është e padurueshme. Ka diçka të padrejtë tek ajo që të ngjall neveri, dhe kjo gjë thonë, e huton zgjuarsinë. Dhuna çnjerëzore në kombin shqiptar ka qenë aq e madhe në gjithë historinë sa është bërë pjesë e mbijetesës së tij, asaj më vulgares.

Edhe në ditët kur më shumë se kurrë u fol për qenësinë e shqiptarëve, për vandalizmin e nomadizmin, për madhësinë e vogëlsinë e tij, qemë spektatorë të arsyeve çnjerëzore që dhunën e bëjnë të padurueshme. Qoftë si spektakël propagandues irritues i shtetit serb, qoftë si spektakël i munguar i shtetit shqiptar. Po spektakli u luajt shkëlqyeshëm nga kryelojtarët Vuçiq, Daçiq dhe të tjerë me “iq”, por në fyt u mbeti lojtarëve tanë që kurrë s’ditën si të luajnë në zanatin e tyre. Ajo që i kalli tmerrin shoqërisë është morali i këtij themeli të tmerrit.

Ka mëkate që të tërheqin më tepër vetëm me kujtimin e tyre, dhe shteti serb mbështet forcën e tij më shumë mbi të se sa mbi veprat në vetvete. Po shtetet shqiptare mbi çfarë i mbështesin ngadhënjimet e tyre e me çfarë e shpërblejnë krenarinë e fqinjëve? Ndryshe nga serbët e të tjerët fqinj, liderët shqiptarë duket se kanë një proces motorik që memorien ua fshin çdo ditë, duke ua dhënë si shpërblim veprimet mbi pasionet dhe intelektin e stërholluar, të cilën mbi çdo gjë tjetër e mbajnë me aq krenari.

Tmerri që mund ta ketë shoqëria nuk është edhe tmerri i tyre. Skepticizmi që e ka shoqëria nuk është edhe skepticizmi i tyre. Pasioni mbi të cilin janë ndërtuar është tjetër nga pasioni që mund të kemi ndaj tyre, por liderët shqiptarë më shumë se çdo gjë janë ata që s’na pëlqejnë të jenë. Mbase momentet e epokës në të cilën rrojmë kanë krijuar modelet testuese të politikës, të shpikura e të dirigjuara si objekte të rëndësishme të dirigjimit të një epoke të një grimë vendi.

Ndryshimi dhe zhvillimi i tyre është realizimi i utopisë. Liderët shqiptarë dhe ata që synojnë të bëhen liderë, të vegjël e të mëdhenj, funksionojnë sipas një modeli të vetëm, imitimit. Janë sozitë e njëri-tjetrit.

FIDANISHTJA

Bota është plot fshehtësi për ato që publiku nuk i di, për shoqëritë e panjohura sekrete, për shejtanët e vërtetë, për planet e mëdha të të fuqishmëve, për falimentimin e helmimin e këtij planeti, për bunkerët, tunelet e qytetet e fshehta. Bota është plot fshehtësi dhe këto ndodhin kryesisht pas njerëzve me pamje të thjeshtë. Ajo i ka fytyrat e mëdha të planetit, siç i ka dhe kopjet e tyre – sozitë. Bota shqiptare, ndonëse akoma larg krijesave që fizikisht “mbulojnë” padronin e vet, ka krijuar karakteret imituese që bëjnë të njëjtën performancë e të njëjtin interpretim, siç bën ai që është “bërthama” e grupit. Sozitë e bosëve shqiptarë lëvizin njësoj, flasin njësoj, aprovojnë njësoj e madje pohojnë çdoherë e gjithmonë se njësoj mendojnë, siç mendojnë të zotët e tyre. Janë kopje e karaktereve në pushtet. Në të gjitha pushtet e botës sonë të vogël. Në pushtetin e parë, të dytë, të tretë, dhe në atë që quhet pushtet i katërt. Politika, arsimi, administrata, gazetaria dhe e gjithë kultura, e kanë bërë kaq real fenomenin e klonimit të vetëkërkueshëm dhe kaq real krijimin e karaktereve të pafundme të një figura.

Herë si trashëgimi e ideologji e një politike, herë si model udhëheqjeje, por më shumë si kopje identike e lojtarëve në pushtet, herë si frikë për të qenë ndryshe e për të kundërshtuar, herë si strategji që shkel parimet vetjake. Dhe sigurisht lakmia që mund ta kenë është kaq e imagjinueshme nga shoqëria.

Një lider shqiptar, sot për sot, është lideri që pakkush e do, është lideri i cili nuk arrin të fitojë simpatinë e pak milionë shqiptarëve, pos atë simpati herë të imponuar e herë reale të disa mijë votuesve. Në kohën kur në botën shqiptare, është e vështirë në mos e pamundur, të gjesh një lider që nuk shkel mbi pakënaqësitë dhe fatkeqësitë për të promovuar fatin e tij politik, udhëheqësit që ndezin pasion e adhurim të qytetarëve, mungojnë në tërësi.

Ata nuk dalin jashtë zonës së rehatisë. Dhe gjuha e tyre nuk është gjuha e sundimit të njerëzisë e të ligjit, është gjuhë e hierarkisë dhe e mendjemadhësisë. Është gjuhë e të fortit që udhëheq një grup, një parti, një ministri, një teatër, një bibliotekë… është gjuha e karakterit bazë, kopje identike e të cilit provojnë të jenë të riprodhuarit e tij.

Vend i vogël, zemra të vogla. Telashi duhet të jetë këtu. Pak sinqeritet, thotë Oscar Wilde, është gjë e rrezikshme, shumë sinqeritet-është një fatalitet i plotë. Këtë nuk mund ta durojnë zemrat e vogla të liderëve të mëdhenj shqiptarë. Mbase kjo e justifikon ekzistencën e saj me parimin e madh darvinian të mbijetesës së më vulgares.