Eko Higjiena

Nëntë vjet pas, sytë kah Amerika

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Nga Burim Ramadani – Ky vit, kur Kosova ka bërë nëntë (9) vjet që nga shpallja e pavarësisë, jorrallë është konsideruar si vit i rëndë. Janë, të paktën, katër faktorë të veçantë sfidues për shtetin dhe shoqërinë kosovare gjatë këtij viti. Kapacitetet vetanake të Kosovës janë të kufizuara për t’u përballur me të gjitha në të njëjtën kohë. Prandaj, edhe qasja e përbashkët me partnerin special, Amerikën, është e domosdoshme.

Sfidat e Kosovës duhet të trajtohet bashkërisht me Amerikën. Të tillat nuk janë të pakta dhe mund të ndërlidhen në vazhdimësi.

Edhe trajtimi i tyre, shmangia, zvogëlimi apo zhdukja e këtyre sfidave, nuk duhet parë patjetër si qasje “një nga një” apo krejtësisht të izoluar. Një pako masash duhet të ndërmerren për të ndërtuar një ambient të qetë, të sigurt, proesperues dhe të qëndrueshëm.

Institucionet e Kosovës, elita politike dhe aktivistët e shoqërisë civile duhet ta kenë të qartë se nuk po bëhet fjalë për sfida që kalojnë vetvetiu. Këto sfida janë kryesisht të riafirmuara në periudhën e viteve të fundit. Disa prej tyre vetëm janë thelluar më keq.

Dhe, për të adresuar cilëndo prej këtyre faktorëve vërtetë sfidues për qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës, një platformë nacionale duhet të ekzistojë, në parim dhe në përmbajtje. Politikat që ndërton Kosova duhet të orientohen në përmbushjen e kësaj platforme të domosdoshme.

E mira e pakontestueshme është fakti se mbështetja popullore, në cilëndo matje të deritashme të opinionit publik në Kosovë, është e plotë dhe e paluhatshme për partneritetin me popullin dhe shtetin amerikan.

Pra, kosovarët kanë zgjedhur. Zgjedhja është e qartë: Amerika. Shumë më herët, dekada më parë. Këtë nuk e kanë luhatur në asnjë moment. Aty i kanë sytë!

Por, zgjedhja e tyre duhet të funksionalizohet dhe materializohet në shtetin dhe të ardhmen e tyre të përbashkët. Në përballjen me sfidat e vazhdueshme të qëndrueshmërisë politike, të sigurisë nacionale, të sigurisë rajonale dhe të mundësisë së zhvillimit e prosperitetit të qytetarëve.

Ky vit, kur Kosova ka bërë nëntë (9) vjet që nga shpallja e pavarësisë, jorrallë është konsideruar si vit i rëndë. Ndoshta, edhe viti më i rëndë që nga pavarësimi.

Janë, të paktën, katër faktorë të veçantë sfidues për shtetin dhe shoqërinë kosovare gjatë këtij viti. Secili prej tyre ka ndikim, të gjithë bashkë paraqesin një periudhë jo të lehtë.

Faktori Serbi:

Thellimi i axhendës së Serbisë për të ndërhyrë brenda Kosovës, në vendimmarrjen në Kosovë dhe për sfiduar karakterin unitar të shtetit të Kosovës. Nuk është një sfidë e re, por tashmë është riafirmuar me mekanizma të rinj. Bojkoti i institucioneve qendrore dhe mosdakordimi për të votuar Ushtrinë e Kosovës nga ana e deputetëve të komunitetit serb janë vetëm dy prej çështjeve që duken në sipërfaqe dhe që kanë ndikuar në ngritjen e vazhdueshme të tensioneve dhe pakënaqësisë brenda Kosovës. Ofensiva e Serbisë për fletarrestet ndaj ish-luftëtarëve të Kosovës është një veprim po ashtu strategjik i Serbisë.

Si e tillë, ndërhyrja e këtij Faktori mund të shumëfishohet në periudhën e ardhshme.

Faktori Rusi:

ARKATANA

Një strategji e dukshme e Rusisë për të përhapur ndikimin e vet në Ballkan ka përfshirë edhe Kosovën. Strategjia e tyre dhe operacionet inteligjente përmes asaj që njihet si “Lufta informative” apo edhe si “Strategjia e Lajmeve të Rrejshme” mund të vërehet qartë në Kosovë. Saherë që “Sputnik” dhe “RT” citohen nëpër opinionin publik në Kosovë, aq herë shumëfishohen dilemat për të ardhmen e qëndrueshme të ekzistencës së shtetit të Kosovës. Ja një shembull krejt ilustrues se si ndikon “lufta informative” në Kosovë:

Vërshimi i “lajmeve ekskluzive” në opionion publik në Kosovë për “plane sekrete perëndimore për ndarjen e Kosovën në vitet e ardhshme” apo për “plane sekrete perëndimore për kufij etnik në Ballkan” kanë zakonisht një burim informativ: agjencinë ruse të lajmeve “Sputnik”!

Dhe, çka ndikon drejtpërdrejt kjo: fillimisht në zbehjen e lojalitetit të qytetarëve të Kosovë për shtetin e Kosovës dhe, pastaj, në rritjen e formulimeve populliste, të cilat pastaj zhvendosin pikënisjen e retorikës publike politike kah radikalizimi.

Ky Faktor mund të thellojë përfshirjen e vet në Kosovë dukshëm më shumë në muajt dhe vitet e ardhshme.

Faktori idelogjik/Ekstremizmi i Dhunshëm që shpie në Terrorizëm:

Përhapja e ideologjisë ekstremiste, që manipulon ndjenjat e mira fetare në Kosovë, nuk është shmangur, pavarësisht se në një masë të dukshme është ngritur vetëdijësimi i përgjithshëm publik dhe institucional. Porse, ndikimi i tillë duket se ka vendosur si cak moshën e re, kryesisht të rinjtë dhe të rejat që janë në fazën transitore të jetës së tyre, ku qëllimet jetësore janë vërtetë ambicioze (sikurse i takon moshës së tillë), ndërsa mundësitë për të lundruar qetë në botën reale drejt realizimit të ambicieve normale personale janë krejtësisht të pakta.

Një angazhim i dukshëm kundër kësaj ideologjie, gjatë viteve të fundit, është bërë nga institucionet, elita politike, shoqëria civile dhe publiku, porse orientimi i këtyre përpjekjeve duhet të fokusohet tek komuniteti dhe individët. Roli i komunitetit është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe përcaktues. Sigurisht se korniza ligjore dhe aksionet e institucioneve të zbatimit të ligjit duhet të jenë të përditësuara vazhdimisht.

Ky Faktor ndikon në afat-gjatë dhe si i tillë duhet të ketë trajtim afat-gjatë.

Faktori “Gjykatë Speciale”

Që nga viti 2014 ka filluar formësimi i një tronditje në Kosovë, përkatësisht prej kur është miratuar korniza e parë ligjore që i hapte rrugë themelimit të asaj që njihet si “Gjykata Speciale”. Porse, në të vërtetë, tronditja ka filluar që nga dhjetori 2010, kur Dick Marty ka publikuar raportin e tij. Thjesht, janë bërë mbi gjashtë (6) vjet që nga fillimi i tronditjes.

Një padrejtësi e shkaktuar nga mungesa e drejtësisë, në fakt Gjykata Speciale është një Variabël Kontekstual sa i përket zhvillimeve të mëpastajshme. Porse, pa dilemë se është paraqitur si një sfidë e dukshme dhe ende e pamatshme në Kosovë.

Ky Faktor/Variabël Kontekstual mund të ketë edhe ndikim afat-shkurtër, por edhe ndikim afat-gjatë.

Përgjithësisht, kapacitetet vetanake të Kosovës janë të kufizuara për t’u përballur me të gjitha në të njëjtën kohë. Prandaj, edhe qasja e përbashkët me partnerin special, Amerikën, është e domosdoshme.

Sepse, trajtimi i faktorëve të veçantë nuk është e tëra. Janë edhe sfidat tjera tashmë të zakonshme, si korrupsioni dhe krimi i organizuar, mungesa e qeverisjes së mirë në të gjitha nivelet dhe funksionalitetit të administratës publike, mungesa e vendeve të reja të punës dhe zhvillimit të mirëqënies.