Ishte në ISIS, prokurori kërkon lirimin
Ka qenë gjatë luftës në Siri dhe atje dyshohet se ka qenë pjesë e grupit terrorist ISIS. Faktin që ka qenë në Siri, Dardan Gjuka e ka pranuar edhe vetë por ky fakt për prokurorinë nuk është i mjaftueshëm që ai të mbahet në paraburgim andaj prokurori kërkon lirimin e tij nga paraburgimi.
Gjuka është arrestuar një muaj më parë së bashku me 14 hoxhallarët dhe imamët e tjerë të Kosovës.
Të enjten, prokurori i rastit Haki Gecaj në seancën e mbajtur pas kthimit të çështjes në rivendosje nga ana e Gjykatës së Apelit, ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore që ndaj Gjukës, masa e paraburgimit të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak. Kërkesë të ngjashme prokurori ka parashtruar edhe ndaj Alban Malsiut i cili dyshohet se përmes aktiviteteve të tij “ka rekrutuar dhe ka shtytur persona që t’iu bashkëngjiten grupeve terroriste në Siri duke siguruar fonde, siç ka vepruar me të ndjerin Hetem Dema, i vrarë në luftën e Sirisë si dhe personave të tjerë të cilët i janë bashkangjitur grupeve terroriste “Al Nusra dhe ISIS”.
Fatin e njëjtë me Gjukën e Malsiun e ka edhe hoxha Idriz Bilibani i cili dyshohet se gjatë ligjëratave të tij ka mbështetur luftën në Siri. Edhe ndaj Bilibanit, prokurori ka kërkuar që të hiqet masa e paraburgimit dhe e njëjta të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak. Bilibani ka gjasë që ta gëzojë arrestin shtëpiak ndonëse kishte deklaruar se nuk i njeh institucionet laike të Kosovës. Ai dyshohej se në fillim të këtij viti ka pranuar një shumë të dyshimtë të hollash në vlerë prej 50 mijë eurosh.
Kërkesën për zëvendësimin e masës së paraburgimit në masë të arrestit shtëpiak ndaj Gjukës, Bilibanit e Malsiut, prokurori e ka paraqitur të enjten, ditë në të cilën ka kërkuar edhe dy muaj të tjerë paraburgim ndaj kryetarit të lëvizjes “Bashkohu” Fuad Ramiqi si dhe ndaj Bedri Robajt, Mazllam Mazllamit, Eroll Nesimit, Leonard Rulit, Sebahudin Selimit e Trim Ademit.
Prokurori në seancën e cila ka zgjatur për më shumë se katër orë ka thënë se ekzistojnë prova të cilat e vërtetojnë dyshimin e bazuar. Ndonëse ka kërkuar që shtatë personat të mbeten në paraburgim edhe për dy muaj, për disa nga ta ka njoftuar se ka hequr dorë nga ndjekja për veprën penale rekrutim për terrorizëm.
“Për të dyshuarit Eroll Nesimi, Alban Malsiu, Leonard Ruli dhe Idriz Bilibani është hequr dyshimi se kanë kryer veprën penale rekrutim për terrorizëm”, ka njoftuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Liridona Kozmaqi.
Megjithatë, pavarësisht se nga një vepër ka hequr dorë, prokurori pretendon se të pandehurit kanë kryer vepra penale që janë në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës dhe si të tillë, sipas prokurorit, të dyshuarit duhet të qëndrojnë në arrest shtëpiak, përkatësisht paraburgim.
Pretendimet e prokurorit janë hedhur poshtë nga avokatët mbrojtës të të dyshuarve të cilët thonë se prokurori nuk e ka sjellë as edhe të vetmen provë të re por vazhdon të paraqesë kërkesën pa pasur prova që do ta dëshmonin dyshimin e bazuar se ata kanë kon sumuar veprat që i vohen në barrë.
“Seanca e sotme është thirrur për të vendosur në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit e cila e kishte kthyer lëndën në rivendosje. Gjykata pati kërkuar në mënyrë decidive nga prokurori që të siguroj prova të reja dhe ai nuk e ka sjellë as të vetmen provë”, thotë Skender Musa, avokat mbrojtës i Fuad Ramiqit.
Ngjashëm shprehet edhe Esat Gutaj i cili mbron hoxhën nga Prizreni Leonard Ruli. Sipas tij, nuk ka bazë ligjore për mbajtjen edhe më tutje në paraburgim të klientit të tij dhe të tjerëve.
Në lidhje me kërkesat e avokatëve dhe të prokurorit, gjyqtari i procedurës paraprake pritet që të vendosë më së largu gjatë ditës së nesërme.
Pjesë e këtij grupi kishin qenë edhe imamët Enis Rama, Ekrem Avdiu e Enes Goga të cilët janë liruar javë më parë. Grupi prej 15 personave është arrestuar mëngjesin e 17 shtatorit në një seri bastisjesh në qytete të ndryshme të Kosovës./zeri/


