Shteti është yni
Nga Imer Mushkolaj – Shteti ndërtohet çdo ditë, nga secili prej nesh. Shtetin nuk mund ta ndërtojnë ata që e vjedhin, që e konsiderojnë pronë private. Kosova na bën krenarë aq sa ne duam të jemi të tillë. Secili kosovar duhet ta ketë të qartë se shteti nuk njëjtësohet me pushtetin. Pushtetet ndërrohen, e shteti mbetet, si gjakim i secilit prej nesh, i brezave që sakrifikuan për të. Si atdhe i fëmijëve tonë. Kur u shpall e pavarur e sovrane, rrallëkush kishte menduar se pas nëntë vjetësh Kosova do të ishte çfarë është sot. Plot entuziazëm e shpresë, qytetarët ëndërronin se më në fund vuajtjet e tyre po merrnin fund dhe gjërat do të rregulloheshin. Por, gjithçka i la vend zhgënjimit.
Si të dehur nga ideja se më në fund po çliroheshin e po mëvetësoheshin vërtet, kosovarët pritën vite me radhë që pavarësia, për të cilën u sakrifikua aq shumë, do t’ua bënte jetën më të mirë. Pritën se shteti, të cilin e ëndërruan aq gjatë do t’u ofronte dinjitet e perspektivë. Pritën se ata që erdhën në pushtet, duke i marrë edhe meritat e shpalljes së pavarësisë, do të punonin ndershëm e drejt.
Por, me kalimin e viteve, besimi po iu shkatërrohej si kullë prej letre dhe ëndrra për shtetin e vërtetë po iu venitej. Ata që morën përgjegjësinë e ndërtimit të shtetit dhe të së ardhmes së qytetarëve, ndërtuan vetëm të ardhmen e vet.
Nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë, kosovarët kanë mbetur njësoj pa punë, njësoj të varfër, me shërbime shëndetësore të këqija e arsim jocilësor. Nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë, kosovarët shpëtimin e kërkojnë jashtë vendit të tyre, ndërkohë që shteti aq shumë i dëshiruar nuk iu ofron as punë, as siguri, as dinjitet, as perspektivë.
Për nëntë vjet pavarësi, kasta politike nuk punoi në ndërtimin e shtetit, por në ndaljen e rritës së tij. Përderisa njëra anë e pa si mundësi për t’u pasuruar, për ta grabitur e shkatërruar, tjetra e pa si njëfarë krijese të përkohshme që duhet luftuar, si një shtet jo tamam shtet që duhet injoruar. Por, mbetur peng ndërmjet politikanëve hajna e inferiorë, shkatërrues e mashtrues, shteti i ri gati po mbush një dekadë. Kështu si është – i kapur, i shkërmoqur nga ata që dikur thoshin se do ta forcojnë e nderojnë.
* * *
Arritje të jazhtëzakonshme, thanë politikanët, kanë ndodhur në Kosovë gjatë nëntë vjetëve shtet. Mbase do t’iu besonim, po të mos jetonim këtu – në pasiguri sociale, të izoluar e të pashpresë.
Atyre që përdorin të tilla shprehje duhet t’iu vijë turp, sepse pikërisht ata e kanë sjellë vendin që e udhëheqin në këtë gjendje të mjerë. Ata sikur na thonë se janë pronarët e këtij shteti dhe mund të bëjnë çfarë të duan me të. Siç kanë bërë tash sa vjet. Por, kosovarët nuk duhet të lejojnë që kjo të ndodhë edhe më tej. Sepse, Kosova është e tyre, jo e hajnave. Kosova është e tyre, jo e mashtruesve, kriminelëve. As e atyre që nuk e ndjejnë si atdhe të vetin.
Shteti ndërtohet çdo ditë, nga secili prej nesh. Shtetin nuk mund ta ndërtojnë ata që e vjedhin, që e konsiderojnë pronë private. Të tillët duhet ndëshkuar me vullnetin qytetar. Kosovarët nuk mund të vazhdojnë së mbeturi peng i një kaste politikanësh të papërgjegjshëm. As shteti t’iu shërbejë apetiteve të tyre të sëmura.
* * *
Shteti i Kosovës njëjtësohet me pushtetin e kriminalizuar e të korruptuar. Kosovarët sot vendin e tyre e indentifikojnë me ata që janë në krye të tij, ata që kanë qenë dje dhe ata që do të vijnë nesër. Por, shteti është shumë më shumë se kaq dhe nuk mund të identifikohet me asnjë emër të përveçëm. Të fortë, të dinjitetshëm e krenar e bëjnë qytetarët e tij.
Sa krenarë ndihemi të gjithë kur flamurin verdh e kaltër e ngrenë lart fitoret e Majlinda Kelmendit. Sa krenarë ndihemi kur himni intonohet dhe përmendet emri i Kosovës, kur Kombëtarja e Kosovës luan futboll, kur artistët kosovarë arrijnë rezultate kulmore.
Edhe flamuri, edhe himni nuk janë as të Hashim Thaçit, as të ndonjë partie e politikani tjetër, pavarësisht se presidenti i tashëm është përpjekur në të gjitha format që ta përvetësojë, personalizojë e privatizojë shpalljen e pavarësisë.
Flamuri na bën krenarë kur e forcojnë dhe e ngrenë lart qytetarët e Kosovës, e jo atëherë kur e përdhosin dhe e shkelin me veprimet e tyre politikanët. Himni, edhe pse pa tekst, na bën të dinjitetshëm kur intonohet për sukseset e kosovarëve, e jo kur shërben për të mbuluar dallavere e hajni.
Kosova na bën krenarë aq sa ne duam të jemi të tillë, duke punuar secili që sadopak të ndihmojmë në forcimin e saj, e jo kur emri i saj shfaqet në statistika krimi e korrupsioni.
Por, secili kosovar duhet ta ketë të qartë se shteti nuk njëjtësohet me pushtetin. Pushtetet ndërrohen, e shteti mbetet, si gjakim i secilit prej nesh, i etërve e nënave, gjyshërve e gjysheve tona. Si atdhe i fëmijëve tonë. Sepse, atdhe tjetër nuk kemi.


