4.5 milionë euro për sallën e klinikës që ka veç një kardiokirurg

Ministria e Shëndetësisë ka marrë kredi me vlerë prej 4.6 milionë eurosh nga shteti i Austrisë për ngritjen e sallës se dytë për Kardiokirurgji.
Me këtë investim Kosova do të mund të krahasohej me 20 vendet më të zhvilluara të botës sa i përket infrastrukturës në shërbimin e kardiokirurgjisë.
Por ajo e ka vetëm një kardiokirurg. E gjithë çka bëhet për momentin në Kardiokirurgji është përgatitja e pacientëve për t’iu nënshtruar operacioneve që kryhen vetëm kur në Klinikë vijnë ekipe mobile mjekësh të huaj.
Salla që planifikohet të ngrihet është sallë hibride. Ky investim nuk do të sjellë risi për shëndetësinë kosovare. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, sallë hibride nënkupton bashkimin e dy sallave të operimit, të cilat ekzistojnë tashmë në QKUK. Ky projekt përfshin bashkimin e sallës së operimit të Kardiologjisë Invazive me atë të sallës së Kardiokirurgjisë.