15 milionë euro për fiskalizimin e naftëtarëve

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Takime pa reshtur mes Shoqatës së Naftëtarëve dhe zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, janë zhvilluar gjatë javës së fundit. Këto takime, të cilat po zgjasin me orë të tëra, larg mediave dhe opinionit publik, lidhen me insistimin e ekzekutivit që naftëtarët të pajisen deri më 1 shkurt me arkat fiskale.

Shoqata e Naftëtarëve ka shpalosur kërkesën para ministrit Beqaj, që të bëhet rimbursim nga shteti për këto arka ose t’iu jepet kohë për këtë gjë.

Për asnjërën kërkesë ministri Beqaj nuk ka dashur të dëgjojë. Madje, kjo është arsye shumë e fortë për naftëtarët që gjithë energjinë e kanë drejtuar në këto takime, pasi që rreth 20 mijë euro pritet të u kushtojnë këto arka për një pikë karburanti.

Për këtë punë Shoqata e Naftëtarëve ishte e zëshme edhe në takimin e Odës Ekonomike me shoqatat e bizneseve në Kosovë, takim në të cilin ministri Beqaj e kishte dërguar zëvendësin e tij. Por, assesi të bindet ministri Beqaj që arkat fiskale t’i paguajnë naftëtarët me paratë e shtetit.

Fundamenti

Ai ka llogaritur se 750 pikat e karburantit që janë në territorin e Kosovës të paguajnë nga 20 mijë euro për arkat, i bie 15 milionë euro arkëtim. E ata të cilët nuk i binden ministrit, do të gjobiten. Beqaj iu ka bërë me dije se ka kërkuar nga inspektorët e ATK-së, që nga 1 shkurti të mobilizohen në terren dhe të shqiptojnë gjoba për ata që i gjejnë pa arka fiskale. “Enterneti” dhe “Sikos” janë dy kompanitë të cilat vetëm se kanë filluar kontratat e para t’i realizojnë me disa prej pikave të karburanteve.

Kompania “Enternet” e cila vite më parë nga Autoriteti i Konkurrencës ishte gjobitur me 100 mijë euro se kishte krijuar monopol në treg, tani vetëm se i ka sjellë këto pajisje në pikat e saj të shitjes. Besim Gjigolli, menaxher në “Enternet”, ka sqaruar se kjo kompani ka instaluar në 46 pika karburanti këto arka. “Është rritur numri i atyre që po kërkojnë fiskalizimin dhe prej vitit të kaluar ne jemi duke instaluar këto arka fiskale”, ka thënë Gjigolli.

Kurse kompania tjetër “Sikos”, e cila në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit të Kosovës figuron në vendin tonë si kompani e huaj është kompania e dytë në treg që ka këto arka për naftëtarët. Shoqata e Naftëtarëve edhe pas takimit të radhës me zyrtarët e Ministrisë së Financave vazhdon të shpresojë se ministri Beqaj do t’iu japë kohë më tepër se 1 shkurti.

Fadil Berjani, kryetar i kësaj shoqate, ka thënë se takimi ishte konstruktiv dhe i frytshëm. “Ministri po tregohet shumë i interesuar që të gjejë një zgjidhje sa më të mirë për naftëtarët”, ka sqaruar Berjani./zeri/