Hidromorava

Shoqërore

/ 6 minuta lexim

Nga Albin Kurti – Kushtetuta e Kosovës asnjëherë nuk është marrë seriozisht nga askush. Prej fillimit ajo funksiononte si emërtim vendës që mbështjell Planin e Ahtisaarit. Nga dialogu politik në Bruksel, Plani i Ahtisaarit po zëvendësohet me marrëveshjet Thaçi-Daçiq. Kushtetuta është emri që nuk ndryshon i përmbajtjes përherë të ndryshueshme sepse vazhdimisht të zëvendësueshme.

Ndonëse ky zëvendësim është edhe cilësor, ai përgjithësisht është sasior. Premisat janë etno-kulturore: shqiptarët e serbët janë të reduktueshëm në thelbet e tyre të dallueshme kolektive që i përkasin më shumë natyrës sesa shoqërisë, më shumë kulturës sesa politikës. Plani i Ahtisaarit thekson diferencat kulturore e jo pabarazitë socio-ekonomike.

Marrëveshjet e Brukselit vetëm sa do t’i shtojnë e sforcojnë të dyja këto, pra, edhe diferencat kulturore edhe pabarazitë socio-ekonomike.

Mandej, si zakonisht, shpjegimet kulturore (keq)përdoren për të arsyetuar pabarazitë: nuk duhet të harrojmë që komuniteti i caktuar e ka të atillë mënyrën e jetesës (sic.). E kushtëzuar kulturalisht, Kosova nuk mund të ketë sundim të ligjit sepse ligji është orvatje për ta rregulluar ekonominë e shoqërisë përkundër kulturës. Në fakt, i gjithë Ballkani perëndimor nga pothuajse të gjithë faktorët ndërkombëtarë mendohet si histori, mirëpo trajtohet si kulturë për t’u rimenduar si kulturë. Edhe nacionalizmin nuk duan ta kuptojnë si politiko-ekonomik por vetëm si etno-kulturor; flasin për organizim kulturash në vend se për kulturë organizimi. Mbi këtë pikëpamje të tyre s’bëjmë dot platformë tonën për zhvillim.

Nuk është e rastësishme që hamendësimet që prodhojnë debate në Kosovë nuk janë për zhvillimin, por për funksionimin. Jo nëse ka zhvillim në shtetin e Kosovës, por nëse po funksionon shteti i Kosovës. Jo për bërjen e subjektit por për jetesën e qenies. Zaten, kur s’ka debate për prodhimin, prodhohen debate, ashtu sikundër që kur s’ka fabrika prodhimi, universitetet prodhojnë diploma. Degradimi i debatit për nga lloji sjell edhe debat të degraduar për nga shkalla. Atëherë, a po funksionon shteti i Kosovës? Përgjigja e vërtetë tregon se pyetja është e rrejshme. Varet për kë.

Po, pra, për kë e ke fjalën? E vetmja përgjigje e vërtetë në pyetjen nëse është funksional shteti i Kosovës ka formën e kundërpyetjes: për kë po funksionon e për kë nuk po funksionon shteti i Kosovës? P.sh. për protagonistët e aferës ‘Pronto’ shteti i Kosovës po funksionon shumë mirë dhe jemi duke ecur nga njëri sukses në tjetrin. Nëse vetëm një dajë i Grabovcit ka mbetur i lënë anash kjo gjë shndërrohet në prioritet të kryeministrit. Që të gjithë janë bërë multimilionerë dhe kurrë nuk kanë pasur më shumë ndërmarrje, nuk kanë kontrolluar më shumë medie dhe nuk kanë poseduar më shumë pasuri sesa tani. Për këtë pushtet dhe të gjithë njerëzit e tij shteti i Kosovës po funksionon vaj.

Uji Dea

Për të gjithë njerëzit e tjerë shteti i Kosovës kur nuk i ndihmon ata tashmë është duke ua vështirësuar jetën. Varet cilës klasë shoqërore i përket dhe sa je i papërshtatshëm politikisht për t’u përgjigjur se sa funksional është shteti i Kosovës. Sepse, në njërën anë, njerëzit kanë edhe gjendje edhe qëllime të ndryshme. Në anën tjetër, burimet e shtetit janë të fundme. Funksionim për kë? Shumicën a pakicën? Kjo është çështja. Pakica janë pak, porse kanë shumë dhe janë të bashkuar për nga interesi. Shumica janë shumë, porse kanë pak dhe janë të ndarë për nga vullneti. Shumica janë sidomos ata 80% të popullsisë për të cilët Banka Botërore në Kosovë na njoftoi se jetojnë me më pak se pesë dollarë në ditë.

Shteti në Kosovë nuk shënjon Republikën. Shteti është pushteti sepse pushteti është shteti. Pushteti i veçantë e ka veçuar shtetin nga e përgjithshmja, nga Republika. Republika s’mund të jetë e pushtetit dhe e të pasurve. Po u bë e tillë ajo nuk është më Republikë. Në këtë kuptim, Kosova njëmend ka Kushtetutë, mirëpo kjo Kushtetutë s’e ka Republikën. Republika e nënkupton edhe barazinë e drejtësinë e jo vetëm lirinë. Liria pa barazi e drejtësi është liri për disa, që do të thotë se është diktaturë për shumicën.

Pabarazia përçan dhe e ndan shoqërinë. Barazia përkthehet në kohezion shoqëror. Në momentin që nuk e mendojmë shumicën, kjo do të thotë se tashmë e kemi humbur shoqërinë dhe publiken. Secili prej nesh e përbëjmë shoqërinë dhe publikun, porse ato s’vijnë pas nesh por na paraprijnë. Shoqëria njëmend përbëhet prej neve mirëpo ne kemi lindur në shoqëri. Nëpërmjet përkatësisë shoqërore e publike të barabartë ne rrugëtojmë drejt barazisë. Shoqëria si shumë individësh, në rastin më të mirë, është koncept liberal. Shoqëria si shumë familjesh është mënyrë tjetër për të thënë që s’kemi shoqëri. Regjimi aktual në Kosovë, jo vetëm që kombit ia kundërvë fisin, por edhe shoqërisë ia kundërvë familjen.

Barazia pa liri shënon burgun. Të burgosurit kanë krevatin, uniformën dhe ushqimin e njëjtë. Liria pa barazi shënon xhunglën. Lepuri e luani janë njësoj të lirë në xhungël, por dihet rezultati. Pse ne u dashka të zgjedhim midis burgut e xhunglës? Pse alternativa e vetme ndaj okupimit të Serbisë (kur shqiptarët iknin nga Kosova me qindra për çdo ditë) të jetë vetëm neoliberalizimi (kur shqiptarët sërish ikin nga Kosova me qindra për çdo ditë)?

Neoliberalizimi i ka nxjerrë jashtë ekonomisë politikën dhe demokracinë, kurse jashtë mirëqenies e punësimit shumicën. Ne kemi nevojë edhe ta demokratizojmë edhe ta politizojmë ekonominë, ta sjellim shumicën në pjesëmarrje dhe në vendimmarrje. Me një subverzion hegelian, duhet ta ekonomizojmë ekonomizimin e ekonomisë politike.

Në shekullin XXI nuk mund të ketë demokraci pa shoqëri. Në Kosovën e shekullit XXI shoqëria nis me shoqërimin e të varfërve kundër pushtetit (të neoliberalizmit). Me shumicën që e ndryshon vendin dhe veten, veten dhe vendin.